Në kuadër të projektit INCEPT, u realizua takimi i pestë me temë “Bazat e lidershipit”, i udhëhequr nga ligjëruesi Medin Bajrami.
Takimi nisi me një bashkëbisedim interaktiv me pjesëmarrësit, ku u diskutua rreth kuptimit të lidershipit dhe rolit të liderit në shoqërinë bashkëkohore. Ligjëruesi trajtoi pesë llojet e lidershipit, duke i shoqëruar ato me shembuj konkretë dhe duke nxitur reflektim tek të rinjtë mbi format dhe stilet e ndryshme të udhëheqjes.
Gjatë trajnimit, u prezantuan dhjetë cilësi pozitive që duhet t’i posedojë një lider modern, si dhe dhjetë cilësi negative që duhen evituar, duke u theksuar ndikimi i tyre në suksesin personal dhe atë ekipor.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua lidershipit profetik, i cili u paraqit si një model i rëndësishëm dhe gjithmonë aktual i udhëheqjes, përmes analizimit të vlerave dhe parimeve që e karakterizojnë këtë formë lidershipi.
Pjesëmarrësit përfituan gjithashtu këshilla praktike dhe konkrete mbi zhvillimin e tyre si liderë, duke u fokusuar në teknika efektive si: rritja e vetëdijes personale, edukimi i vazhdueshëm, pjesëmarrja në trajnime dhe përmirësimi i aftësive të komunikimit.
Në përmbyllje të takimit, u realizua një ushtrim në grupe dhe një lojë interaktive, të cilat ndihmuan pjesëmarrësit të kuptojnë më mirë rëndësinë e lidershipit të shëndoshë, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në punën ekipore.
Ky aktivitet shënon një tjetër hap të rëndësishëm në kuadër të projektit INCEPT, duke kontribuar në fuqizimin e të rinjve me njohuri dhe aftësi lidershipi të domosdoshme për angazhimin e tyre aktiv në komunitet dhe shoqëri.
Shkup, 31 janar 2026
