Categories
Lajme FRI

Futsall: A do të shohim finale shqiptare?

Tre skuadrat shqiptare që bëjnë gara në Ligën e Parë të Futsallit, Juventusi, SEE Univerziteti dhe Rojal Ilirët, kanë arritur një sukses të madh duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës…….
Tre skuadrat shqiptare që bëjnë gara në Ligën e Parë të Futsallit, Juventusi, SEE Univerziteti dhe Rojal Ilirët, kanë arritur një sukses të madh duke u kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës.
Kjo na bënë të shpresojmë që për herë të parë në historikun e Futsallit në vendin tonë të shohim një finale midis dy skuadrave shqiptare. Skuadra që mund të ju prish planet njërës prej tre skuadrave pjesëmarrëse në gjysmëfinale, është skuadra e Crna Rekës, e cila në çerekfinale eliminoi ekipin e Velesit.
Paraprakisht në një ndeshje infarkt Juventusi vetëm përmes penaltive kishte eliminuar skuadrën e Bixhos në Kumanovë. Ishte kjo një ndër ndeshjet më të mira gjatë këtij sezoni në Futsallin vendas, ku ndeshja në kohën e rregullt ishte mbyllur me rezultatin e barabartë 5:5.
Vendasit e kishin nisur mirë ndeshjen duke avansuar me dy gola, mirëpo që shumë shpejtë kjo epërsi e tyre ishte shkrirë. Kësisoj pjesa e parë e këtij takimi mjaft interesant ishte mbyllur me rezultatin e barabartë 3:3, ndërkohë falë dy golave të shënuar gjatë pjesës së dytë ekipi shqiptarë i Juventusit nga Serava kishte avansuar me rezultatin 5:3.
Vendasit e Bixhos në 3 minuta para fundit të ndeshjes ngushtuan epërsinë e “bardhezinjëve” në 5:4, ndërkohë golin e barazimit e shënuan në vetëm 5 sekonda para mbylljes, kështu që për të mësuar emrin e skuadrës fituese u desh që të ekzekutohen penaltitë, ku më të suksesshëm u treguan futbollistët e Juves, duke shënuar fitore me rezltatin e përgjithshëm 14:13.
Përmes ekzekutimit të penaltive, një vend për në gjysmëfinale ka siguruar edhe SEE Univerziteti nga Tetova, skuadër kjo që brenda një kohe shumë të shkurtë edhe për herë të dytë arriti që të shënojë fitore kundër skuadrës kampione të Zhelezarecit.
Pas fitores në kampionat, SEEU Univerziteti arriti edhe një fitore tjetër, edhe më të ëmbël kundër Zhelezarecit, skuadër kjo e cila edhe përkundër faktit që avansonte me dy gola epërsi, (0:2), në fund duheshe të pajtohet me eliminimin. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me rezultatin 2:2, ndërsa pas ekzekutimit të penaltive, SEEU Univerziteti shënoi fitore me rezultatin 6:5.
Fitore më të lehtë kanë arritur Rojal Ilirët, të cilët për kundërshtarë patën ekipin e Koçanit që bënë gara në Ligën e Dytë. Ekipi kumanovarë shënoi fitore me rezultatin 5:1, edhe atë falë një loje të shkëlqyer në pjesën e dytë kur shënuan plotë 4 gola.
Ditëve në vijim pritet të hidhet shorti dhe të caktohet data e zhvillimit  të ndeshjeve gjysmëfinale, ku më pas do të mësojmë edhe dy finalistët e sivjetshëm.

Exit mobile version