Kreu i lëvizjes Nahda në Tunizi, partia e të cilës qeveris vendin, shejh Rashid Gannushi, është shprehur se presidenti i Egjiptit, i larguar para disa ditësh me puç ushtarak, Muhamed Mursi, do të kthehet sërish në postin e tij.
“Do të përsëritet i njëjti skenar i Venezuelës në vitin 2002, kur ushtria e largoi Hugo Çavezin, por populli e ktheu sërish në postin e tij. Ka njerëz të cilët duan ta tërheqin historinë pas, ndërkohë që historia duhet të ecë para.” shtoi Gannushi.
Sipas burimeve të informacionit, para grushtit të shtetit, ministri i mbrojtjes Sisi, i ka propozuar Mursit që të largohet në Turqi, Jemen, ose Katar. Por Mursi e ka refuzuar këtë sugjerim dhe është shprehur i vendosur të qëndrojë në vend.
Shejh Gannushi i ka drejtuar popullit egjiptian një mesazh, në të cilin thotë:”O egjiptianë, o pasardhës të kolosëve si Ibnul As, Salahudin dhe Kutuz! Ja ku qëndron historia e Islamit dhe ajo e lirisë, bashkë me pranverën arabe, në pritje të vendimit tuaj final. Vallë a do të qëndroni dhe ti rezistoni komplotistëve dhe atyre që e urrejnë lirinë dhe demokracinë? A do të rezistoni siç bënë të parët tuaj, në linjën e vlerave dhe parimeve, në linjën e lirisë, islamit dhe demokracisë? O popull hero i Egjiptit! Nëse pranvera arabe lindi në Tunizi me një shkëndijë, ajo u shndërrua në Egjipt në zjarr që përpiu pushtetet e diktatorëve. E ardhmja e kësaj pranvere, tashmë është në duart tuaja. A e kuptoni çfarë nderi dhe çfarë përgjegjësie mbani në supet tuaja? Në emër të Zotit dhe në emër të umetit mysliman, u kërkoj që të rezistoni dhe të mbani qëndrimin që pritet prej jush, mos u ktheni në shtëpitë tuaja derisa të përmbushni misionin që u është besuar, derisa të vendosni të drejtën në vendin e saj, derisa të ktheni në binarët e tij trenin e lirisë dhe demokracisë, derisa të ktheni legjitimitetin e mohuar dhe derisa presidenti i zgjedhur prej jush të kthehet në postin që i besuat ju vetë. Kjo nuk do të jetë fitore e vullnetit të popullit egjiptian, por fitore e parimeve, e demokracisë, lirisë dhe islamit. /ardhmeriaonline/
Categories