Categories
Lajme

Gazeta franceze Le Figaro: Pse të rinjtë perëndimor e pranojnë Islamin?

Gazeta franceze “Le Figaro” ka publikuar një raport të shkrimtarit Claude Sicard, i cili edhe më herët njihet për shkrimet e tij mbi Islamin, ku tregohen shkaqet e pranimit të Islamit nga të rinjtë perëndimor. Përndryshe, autori në fjalë është edhe shkrues i dy veprave që trajtojnë raportet midis muslimanëve dhe të krishterëve.
Në raportin në fjalë thuhet se në dy vitet e fundit ka një rritje të konsiderueshme të atyre të rinjve perëndimorë që e pranojnë Islamin.
Ajo që i bënë të rinjtë të tërhiqen pas Islamit, sipas mendimit të autorit, është se njeriu vetë është i mallëngjyer për ideale fisnike, për të cilat edhe do të sakrifikonte. Gjithashtu, është i etur për një jetë ku do të ishte i respektuar dhe ku do të dihej roli i tij.
Për fat të keq, tendencat e shoqërisë bashkëkohore janë në drejtim të materializmit, gjegjësisht drejtë asaj që do ta kënaqte vetëm egoizmin e njeriut dhe që do t’i sillte vetëm lumturinë individuale. Në një shoqëri të tillë individuale materialiste, të rinjtë nuk janë në gjendje që t’i kënaqin apo përmbushin nevojat dhe synimet e tyre shpirtërore.
Në lidhje me atë se pse të rinjtë e Perëndimit e pranojnë Islamin me aq lehtësi, autori i raportit shpjegon: Islami duhet të kuptohet si një fe e gjallë dhe reformuese, e cila është alramuese dhe nxitëse për njerëzit e fuqishëm. Islami nuk mjaftohet vetëm se me ftesën e njerëzve në monoteizëm dhe në çështjet e adhurimit, porse kërkon prej ithtarëve të vet që, porosinë islame, ta çojnë në cep të botës dhe kështu t’i shërbejnë tërë botës.
Muhammedi, i cili kishte urtësi të madhe dhe ishte një personalitet strateg, arriti që të vë principe të tilla fetare, ku Islami, në bazë të të cilave, arriti t’u bëjë ballë tërë shekujve dhe u zgjerua në të gjitha anët e botës.
Autori më tutje thekson: “Dijetarët muslimanë Islamin e shohin si një fe të matur dhe të ekuilibruar dhe Islami, vërtetë, i tillë është, për shkak se ka pranuar impulset e njeriut, duke i harmonizuar dhe caktuar kufi atyre. Kjo është ajo që Krishterimi e ka humbur.”
“Të rinjtë perëndimor e pranojnë Islamin për shkak se ai është i aftë që t’u ofrojë përgjigje për gjithçka që e preokupon mendjen e tyre.”
“Civilizimin e tyre, muslimanët me automatizëm e konsiderojnë si më të përparuarin dhe më të vlefshmin në krahasim me atë perëndimor, pasi që ky i fundit është i ngritur mbi materializmin dhe dashurinë ndaj materiales, kurse civilizimi islam është i ndërtuar mbi dashurinë ndaj Zotit”, thuhet ndër të tjerash në raportin e publikuar nga gazeta e famshme “Le Figaro”.
(Islampress)

Exit mobile version