Categories
Opinione

Gjarpëri duhet kapur për koke jo për bishti!

Jo rrallë herë ndodh që popullit tone shqiptarë t’i jepet një barrë që nuk duhet të e bartë ai vet. Deri kur do të qëndrojmë duar kryq ndaj rasteve të tilla?
Tanimë botërisht po flitet se aksioni ushtarak në “Lagjen e Trimave” është aksion i montuar keq dhe i pakuptimtë, me strategji të errët, pasojat e së cilit aksion ushtarako-policor i ndjenë nën lëkurën e tyre banorët e pafajshëm të cilët vdekjen e panë dhe e dëgjuan plot njëzet orë resht. Këto pasoja sjellën klithmat e tyre për të afërmit e tyre dhe për dëmet e shkaktuara nga kjo çmenduri.
Ska dyshim se jemi një popull bujarë i ndjeshëm në raste tragjedie,dhe asnjëherë nuk do të ndalemi të jemi të tillë, ashtu siç edhe jemi lidhur me rastin e lartë përmendur  në Kumanovë, i cili nuk la shqiptarë dhe besimtarë musliman këtu e të mos na prekë në zemër, ngase zullumqarët lanë prapa vehtes viktima në njerëz, dëme të mëdha materiale si dhe trauma tek banorët e goditur, të gjitha këto si pasojë e ankthit dhe hutisë së paparë të kumanovarëve por edhe të mbarë popullit shqiptarë në Maqedoni, rajon dhe dijasporë.
Por këtyre banorëve të mjerë kush duhet tu dal në ndihmë më parë se sa ata të cilët edhe u shkaktuan humbje dhe dëme të mëdha – pushteti ekzekutiv. Pikërisht ky pushtet, i përbërë edhe nga faktori politik shqiptarë, është ai i cili edhe është më i thirrur që të kthejë “Lagjen e Trimave” në gjendje sadopak normale,që për një moment të harohet dhuna dhe represioni I shkaktuar atje.Por jo, ata nuk do ta bëjnë këtë, sepse zullumqari nuk bëhet edhe humanitar.
Në anën tjetër, nuk do mend që ne shqiptarët nga vendi dhe dijaspora, gjithsesi do t’i përgjigjemi thirrjes për ndihmë vëllezërve tanë kumanovarë.Këtë e kemi obligim  njerëzor, kombëtar dhe fetar. Ne në vazhdimësi i ndajmë hallet dhe brengat me popullin tonë dhe këtë do ta bëjmë edhe me kumanovarët tanë.
Por, ajo që po na dhemb më shumë është pyetja, përgjigjja e së cilës nuk po shihet askund -deri kur ne do të ri-ndërtojmë shkatrimet që bëjnë mizorët zullumqarë të cilët jo vetëm që vrasin dhe burgosin shqiptarë  të pafajshëm, por edhe ua shkatërojnë pasuritë e tyre dhe ate qëllimisht vetëm e vetëm të arrijnë në realizimin e planeve të tyre të fëlliqura që edhe dëmi apo zullumi të jetë sa më i madh me qëllim që pasojat të jenë më të dhimbshme dhe afatgjate.
Prandaj, subjektet politike, shoqëria civile dhe intelktualët e ndryshëm duhet që së pari të apelojnë deri te institucionet qeveritare- shkaktarë të dëmeve konkrete materiale dhe shpirtërore, dhe së dyti këto kërkesa t’i aktualizojnë edhe në instancat ndërkombëtare gjithnjë derisa të realizohen nevojat e banorëve të pa fajshëm të kësaj lagjeje për kompenzimin e dëmeve njerëzore dhe materiale nga ana shtetërore. Urgjentisht duhet që qeveria, banorëve të shtëpive të shkatëruara tu siguroj strehim dinjitoz siç u ka hije njerëzve të qytetëruar, e jo ata të bredhin nëpër farefisët e tyre në kushte të rënda jete.
Shqiptarët, banorët e “Lagjes së Trimave” poashtu janë tatim pagues dhe ata meritojnë trajtim të barabartë me të gjithë qytetarët tjerë në raste të këtilla. Dihet fort mirë ekzistimi i fondeve të posaçme për gjendje të këtilla (të cilat fonde janë të siguruara edhe nga BE-ja) për ndihmë qytetarëve dhe vendbanimeve  për raste të jashtëzakonshme. Duhet vetëm të ekzistojë vullneti i mirë që këto fonde edhe të arrijnë në vendin e duhur.
Pyes publikisht opinion e gjërë, vallë, po të ndodhte kjo në një nga lagjet e banuara me popullatë maqedonase, a do të kishte vepruar njëjtë kjo qeveri, duke heshtur mbi të vrarët, të arestuarit, të zhdukurit dhe duke heshtur mbi mungesën e kushteve elementare për jetë dinjitoze nëpër shtëpitë e rënuara dhe të dëmtuara, ashtu siç edhe veçse po ndodh me popullatën shqiptare atje? Përgjigjja është se gjithsesi në rast të këtillë qeveria nuk do të heshte por do të kishte vepruar ndryshe. Ata fillimisht as që do të kishin lejuar një aksion të tillë në vendbanimet maqedonase.
Popullit tonë nuk po i ndalen padrejtësitë. Shumë kush pyetet mos ndoshta jemi popull i mallkuar dhe këtë do ta kisha pranuar edhe unë, sikur të mos isha prijës fetar dhe të mos e dija që konform udhëzimeve fetare një gjë e tillë nuk ekziston. Popullin tonë po e mallkojnë pushtetarët shqiptarë të cilët me veprimet e tyre të heshtura dhe të pamatura i lanë pas dore veteranët e luftës,familjet e dëshmorëve, qytetarët e nevojshëm për punësim si dhe së fundi edhe banorët e “Lagjes së Trimave” pa kulm mbi kokë. Edukata fetare na mëson që heshtja ndaj padrjtësive të zullumqarit, të bënë pjesëmarrës në zullumin e tij.
Deri kur do të mësohemi që secili të bartë barrën e vet dhe askush nuk duhet bartë barrën e tjetrit.
Ndaj të gjithave këtyre veprave makabre dhe rrjedhimisht edhe ndaj rastit të “Lagjes së Trimave” heshtin subjektet politike shqiptare dhe fatkeqësisht heshtim edhe ne dhe në vend që tu drejtohemi fajtorëve kryesorë- institucioneve shtetërore, ne dorën e shtrijmë kah populli jonë thuaese fajtor na ështe populli. Vallë, pse bëhemi nga ata që barën e tjetrit ia ngarkojmë popullit? Pse…? Deri kur kështu? A nuk dijmë të kërkojmë të drejtat apo vallë i dijmë por nuk duam? Vallë humanizmi a vetëm në ndihmë matriale tregohet, kurse që të kërkosh të drejtën qenka jashta humanes dhe se ajo nuk quhet njerzore a? Përse kapim gjarpërin për bishti e jo për koke?
Heshtja është shenjë e miratimit  Prandaj unë nuk po heshti dhe po kërkoj që edhe ata më të thirrurit të mos heshtin, sepse heshtja e tyre sjell dëme historike me përmasa të paparashikueshme. Po kërkoj që edhe OJQ-të dhe qytetarët në përgjithësi  të mos heshtin por të ngrejnë zërin e arsyes së shëndosh dhe të dalin në krahë të vëllezërve tanë nga “Lagjja e Trimave”.
Pikërisht lidhur me heshtjen, le të na shërbej fjala e Napoleonit Bonapartës:
“Bota vuan shumë.Jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqinj, por për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë.“
Ridvan Kurtishi
Imam ne Bashkesine Islame Shqiptare Ludwigshafen, Gjermani

Exit mobile version