Kosova shënon sot 6-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Shteti më i ri evropian feston 6-vjetorin me 106 njohje, por edhe sfidën e përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar.
Për 6 vjet shtet, Kosova tashmë është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Pavarësisht sfidave e problemeve zhvillimore, lidershipi i Kosovës e sheh 17 Shkurtin si një të arritur kulmore. Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se kjo datë paraqet sendertimin e aspiratave shekullore për liri dhe pavarësi.
“Këto festime i fillojmë në kohën kur po e forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, tani kur kemi arritur 106 njohje ndërkombëtare, kur çdo herë jemi më afër integrimeve euroatlantike, liberalizimit të vizave, procesit të Stabilizim-Asociimit, perspektivës për partneritet për paqe dhe anëtarësim në NATO”, ka thënë Thaçi.
Për këtë përvjetor, krerët e shtetit të Kosovës kanë marrë edhe urime nga burrështetas botëror. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama përmes një telegrami ka uruar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.
“SHBA-ja vazhdon ta mbështes zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, dhe rritjen e përgjithshme të saj si një demokraci sovrane, e pavarur dhe shumë-etnike”, thuhet në urimin e presidentit Obama.
Krijimi i shtetit të Kosovës, është vlerësuar se i ka dhënë një dimension të ri paqes e stabilitetit në rajon.
Por, pengesë kryesore mbeten raportet me Serbinë, të cilat tashmë po reflektojnë edhe në mospërmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Mosnjohja nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian, në njërën anë dhe pamundësia që të bëhet vend anëtar i Kombeve të Bashkuara për shkak të mosnjohjes nga Rusia, në anën tjetër e lë Kosovën si një vend me subjektivitetin ndërkombëtar të papërfunduar.
Që ky hendiket të zbutet sadopak, Bashkimi Evropian ka inicuar një dialog Kosovë – Serbi përmes së cilit po përpiqet të gjej një normalizim mes dyja vendeve, si hapi i parë që më pas edhe vendet që nuk e njohin atë si shtet të zbusin pozicionet e tyre karshi Kosovës.
Rezultati i parë i këtij dialogu ishte Marrëveshja e parë e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur më 19 prill. Mes tjerash, kjo marrëveshje parasheh shuarjen e strukturave të Serbisë në Kosovë dhe zëvendësimin e tyre me struktura të reja, të zgjedhura
Marrëveshja mundësoi që pas gjashtë vjet shtet, Kosova të organizoj për herë të parë zgjedhje edhe në komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe “pushtuara” nga strukturat ilegalë të Serbisë.
Këto zgjedhje, nga lidershipi i Kosovës u cilësuan historike dhe e arritur e madhe. Po në praktikë edhe pas mbajtjes së tyre ë veri, shteti i Kosovës nuk ka arritur ende të shtrij sovranitetit në atë pjesë.
Nga rrumbullakimi i tërësishëm i arritjeve, Kosova mburret me anëtarësimin e saj në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Përderisa asaj i është hapur edhe perspektiva e kushtëzuar evropiane përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kurse për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës ende nuk ndonjë lajme të mirë.
Pak ditë para kremtës së 6-vjetorit edhe për sportistët kosovar u ndez një dritë në fund të tunelit, duke i lejuar Kosovës të paktën ndeshjet miqësore ndërkombëtare.
Ndërsa nga niveli lokal i politikës dëgjojmë vetëm anën e mirë e pozitive, zhvillimi i Kosovës po vlerësohet nga afër edhe përmes parametrave të institucioneve kredibile ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2013, “Transparency International” ka renditur Kosovën në vendin e 111 sa i takon shkallës së lartë të korrupsionit. Kjo organizatë bën matjen e indeksit të perceptimit të korrupsionit në 177 shtete, dhe me këtë rënditje ka futur Kosovën në “zonën e kuqe” të korrupsionit.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, ku vlerësohet gjendja në 189 vende, Kosova është radhitur e 86-ta, që për një vend evropian mbetet ende larg synimeve për të konstatuar përparime.
Përderisa në raportet e progresit të Komisionit Evropian, për shtetin e Kosovës dalin sfida që nga mungesa e përparimeve në reforma të administratës, prokurimit e deri te gjyqësori ende i varur nga politika. Një aspekt tjetër paraqesin edhe sfidat e sundimit të ligjit me theks të veçantë në luftimin e korrupsioni dhe krimit të organizuar.
Evropianët e rinj, jo vetëm se kanë mbetur më të izoluarit e Evropës, por njëherësh kanë krijuar një armatë të tërë të papunëve duke paraqitur kështu në vazhdimësi një potencial serioz për trazira socio-ekonomike.
Sidoqoftë, evropianët e rinjë kanë nisur kremtën festive të 6-vjetorit qysh nga e premtja. Atraktiviteti i shënimit të pavarësisë, mbetet ende me skenarin e vjetër. Lidershipi i Kosovës do të bëj homazhe tek varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova si dhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kurse pritet të mbahet edhe seancë solemne në Kuvendin e Kosovës.
Si zakonisht, e veçanta e shënimit mbetet parakalimi para qytetarëve që do të bëjë Forca e Sigurisë së Kosovës, edhe pse qytetarët e këtij shteti, në bazë të premtimeve të politikës kanë pritur që sivjet të shohin parakalimin e Ushtrisë së Kosovës.
Categories