Bashkimi Evropian është në prag të anulimit të bisedimeve të reja me Turqinë për anëtarësim e saj në union, lëvizje që mund të minojë shpresat e pakta të Ankarasë për t’iu bashkuar bllokut dhe të dëmtojë marrëdhëniet me Brukselin.
Gjermania, si motori kryesor ekonomik i BE-së, është duke bllokuar përpjekjet për ecjen para të Turqisë në integrimet evropiane, pjesërisht për shkak të mënyrës se si ajo u përgjigj kundër protestave anti-qeveritare gjatë javëve të shkuara.
Qëndrimi i ngurtë i Gjermanisë ka ndezur alarmin tek disa vende anëtare, të cilat mendojnë se BE-ja duhet të tregojë më shumë angazhim me Turqinë dhe të përkrahë sektorin e të drejtave të njeriut, në vend që të largohet nga ndikimi i saj në këtë vend.
“Do të ishte një gabim i madh që të bllokohet ecja e mëtejme e Turqisë drejt Bashkimit Evropian në këtë kohë”, është shprehur të dielën në “Twitter” ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt.
Edhe Holanda ka shprehur rezerva për planet evropiane të rinisjes së bisedimeve me Turqinë të mërkurën e ardhshme për “një kapitull” të ri, në fushën e politikave, i ka thënë një burim agjencisë “Reuters”.
Ambasadorët evropianë, të cilët nuk u pajtuan për këtë agjendë javën e shkuar, pritet të takohen për herë të fundit të hënën në mëngjes.
Çfarëdo rezultati të prodhojë ky takim, dhe nëse do të ndryshojë apo jo në minutë të fundit qëndrimi i Berlinit, Irlanda, si kryesuese e radhës e BE-së do të duhet t’i komunikojë zyrtarisht Turqisë se takimi i së mërkurës është anuluar apo shtyrë për ndonjë ditë tjetër.
/Start/
Categories