Në ueb-faqen e Ministrisë për arsim është publikuar një doracak për testimin ekstern, që është përgatitur në bashkëpunim me Qendrën shtetërore për provime, e që është publikuar në gazetën “Nova Makedonija”, ku nxënësve u jepen informatat kryesore për testin që do të zbatohet për t’u matur njohuritë e nxënësve.
Në testime eksterne do të hyjnë mbi 200.000 nxënës të shkollave fillore dhe atyre të mesme.
Testim ekstern nuk do të kenë nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të tretë, si dhe nxënësit e klasave të fundit të arsimit të mesëm.
Kontrollimi i ekstern i njohurive do të realizohet në periudhën prej 27 majit deri më 10 qershor, duke i përfshirë edhe të shtunat, përveç më 8 qershor, kur do të zhvillohet provimi i maturës shtetërore.
Më së voni shtatë ditë para testimit, komisioni i shkollës është i obliguar që ta publikojë orarin në tabelën për shpallje të shkollës, ku do të ketë informata për se cili nxënës në çfarë lënde do të testohet dhe në cilën datë. Çdo nxënës do të testohet në dy lëndë mësimore, në ditë të ndryshme, sipas orarit.
Pyetjet do të jenë me katër përgjigje të ofruara, ndërsa nxënësi do të duhet ta klikojë përgjigjen që mendon se është e saktë. Testi do të përmbajë pyetje nga materiali i lëndës konkrete, të cilin nxënësit e kanë mësuar gjatë vitit shkollor. Në ditën e testimit, nxënësit që do të testohen nuk do të shkojnë në mësim. Nxënësit e tjerë do të kenë mësim të rregullt sipas orarit mësimor.
Nëse nuk ka rrymë, testimi për atë ditë do të anulohet, ndërsa shkolla në mënyrë plotësuese do të njoftohet se kur do të mbahet testimi i shtyrë.
Testimi ekstern në të gjitha shkollat fillon në orën 9:30 minuta, çdo ditë që do të ketë testim. Provimi do të zgjasë 60 minuta. Pauza ndërmjet dy testimeve zgjat 30 minuat. Për pjesën më të madhe të lëndëve nuk lejohet shfrytëzimi i mjeteve ndihmëse. Nxënësit mund të përdorin laps dhe letër për lëndët e matematikës, fizikës dhe kimisë. Laps, letër dhe kalkulator nxënësit do të mund të përdorin nëse zgjidhin test nga këto lëndë profesionale: elektroteknikë, materiale dhe elemente elektroteknike, matjet elektrike, automatikë dhe programim.
Si mungesa të arsyeshme do të konsiderohen rastet kur nxënësit do të mungojnë për arsye shëndetësore dhe për këtë do të kenë vërtetim mjekësor ose dokumentacion mjekësor. Nëse nxënësi nuk merr pjesë në testim, do të testohet në sesionet prej 17-27 qershor dhe prej 15-19 gusht. Nxënësi që nuk do të hyjë në provimin ekstern, nuk do të marrë dëftesë.
Nxënësit e çrregullt nuk do të hyjnë në testimin ekstern, ndërsa nxënësit që do të shkojnë në riprovim, në testimin ekstern do të hyjnë në periudhën kur këtë do ta bëjnë nxënësit e tjerë. Drejtori është i obliguar që më së voni një ditë pas testimit, në Qendrën shtetërore për provime të dorëzojë listë me emrat e nxënësve që kanë kopjuar gjatë testimit. Nxënësit mund t’i ndryshojnë përgjigjet e shënuara, derisa të mos e zgjedhin opcioni  “përfundo”, që gjendet në fund të testit.
Në klasë do të jenë të pranishëm testuesi dhe një mbikëqyrës i jashtëm. Nota e marrë në testin ekstern do të krahasohet me notën që e ka marrë nxënësi në lëndën përkatëse në fund të vitit shkollor.
Për nxënësit, nota që do t’i marrin në testimin ekstern janë të rëndësishme për shkak se do të shkruhen në dëftesë dhe do të ndikojnë në suksesin e tyre të përgjithshëm.
Nëse në notimin e ndonjë arsimtari konstatohet dallim prej testimit ekstern, me ta do të veprohet sipas Ligjit për arsim fillor dhe Ligjit për arsim të mesëm. /Portalb
 

Neziri: Nxënësi që bojkoton testin ekstern nuk merr dëftesë!

Pas paralajmërimeve të shumë unioneve të nxënësve si të shkollave me mësim në gjuhën shqipe, ashtu edhe ata në gjuhë tjera, se do të bojkotojnë testimin ekstern, zëvendës ministri për arsim dhe shkencë, Safet Neziri, ka thënë se vendimi nuk ndryshon, ndërsa ata që bojkotojnë do të mbeten pa dëftesa.
‘Unë e di që ka paralajmërime të natyrave të ndryshme të organizuara për bojkotim, por do të kisha apeluar deri tek nxënësit dhe arsimtarët të mos jen në gracka të provokimeve të kësaj natyre, sepse MASH-i është e vendosur që vlerësimi eksetrn të zhvillohet deri në fund’ tha Neziri.
‘Vlerësimi ekstern është kategori ligjore e cila është sjellë nga Parlamenti i Maqedonisë, nuk ka të bëjë me kahje negative siç e komentojnë disa grupe të ndryshme, por është kategori e cila do të bjerë në shprehje objektivitetin e vlerësimit të nxënësve, punës së arsimtarëve.  Nuk është vlerësimi ekstern vetëm me elemente negative siç pretendojnë disa grupe të caktuara, por është në atë drejtim që një herë e përgjithmonë të vihen bazat e shëndosha në drejtim të ngritjes së kualitetit të cilësisë së sistemit të arsimit në Maqedoni’ tha më tej Neziri.
Ndryshe, dje Unioni i nxënësve të shkollave të mesme shqipe u prononcua me deklaratë të përbashkët dhe vendim të prerë se do të bojkotojnë testimin ekstern./Portalb