Në një vendim prej 180 faqesh, Gjykata e Krimeve të Rënda hedh dritë mbi rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, 18 vite më parë. Për pesëshen gjykuese të kryesuar nga Gurali Brahimllari, fajtori i vetëm për krimin e rëndë është Ilir Kumbaro, ish-SHIK-asi që jeton në arrati, pasi mundi t’u shpëtonte dhe autoriteteve britanike, pas një kalvari të gjatë procesesh e hyrje-daljeve nga qelitë. Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi arritën t’i shpëtonin burgut, jo sepse ishin të pafajshëm, por për shkak se akuzat që u rëndonin mbi supe ishin amnistuar.
Në vendimin e gjykatës që “GSH” disponon, thuhet se Remzi Hoxha u mor peng nga punonjësit e SHIK-ut, për shkak se e dyshonin si pjesëtar të agjenturave të huaja. Konkretisht, dëshmitari Anibal Basha rrëfen për shënimet që kishte mbajtur Kumbaro në fletore “zbulues i serbëve”. Po kështu hidhet dritë mbi supozimet se Hoxha-Kristopulli-Loshaj mund të kishin lidhje me atentatin ndaj Presidentit maqedonas, Kiro Gligorov. Më poshtë “GSH” publikon pjesë të vendimit të Gjykatë së Krimeve të Rënda.
Fillimi i këtij procedimi i përket ngjarjes së ndodhur më 21.10.1995, rreth orës 13:30, kur në mjediset e firmës “Albatros”, në rrugën “Siri Kodra”, Tiranë, është marrë me forcë pronari i kësaj firme, bashkëkombësi, me shtetësi maqedonase, Remzi Hoxha.
Punonjësit e firmës, jo vetëm kanë reaguar ndaj këtij veprimi, por provohet se, nëpërmjet një telefoni të stacionar që gjendej në afërsi të mjediseve ku ndodhi ngjarja, brenda disa minutave kanë njoftuar Komisariatin e Policisë Nr 3, (në juridiksionin territorial të të cilin përfshihej vendi i ngjarjes). Punonjësit e shqetësuar për fatin e pronarit të tyre nuk janë mjaftuar me kaq, por kanë nisur menjëherë drejt këtij komisariati edhe dy prej punëtoreve, dëshmitaret Ruzhdo (Didika) Kërçini dhe Violeta Radi, të cilat kanë bërë kallëzimin penal me shkrim dhe kanë dhënë deklarim para policisë gjyqësore të këtij komisariati.
Kallëzuesja Kërçini ka kallëzuar mbi rrethanat e ngjarjes së ndodhur disa minuta më parë në mjediset e punës së saj, në ambientet e firmës “Albatros”, kur persona të panjohur kanë shkuar në hyrje të magazinës së kësaj firme dhe dy prej tyre, kanë marrë me forcë, duke i futur krahun, pronarin e firmës, Remzi Hoxha. Ata e kanë futur Remziun në një makinë dhe kanë ikur me shpejtësi.
Akti i kallëzimit është përpiluar nga oficeri i policisë gjyqësore pranë këtij komisariati, dëshmitari, Ilir Xheka. Sipas aktit të kallëzimit, punonjësit kanë parë se në mjediset e firmës kanë ardhur të paktën dy makina dhe se njëra prej tyre ishte me ngjyrë të errët, si ngjyrë ulliri dhe se mbante targën e TR 24 49 C.
Për ngjarjen, punonjësit e firmës “Albatros” kanë njoftuar menjëherë familjarët e të dëmtuarit Remzi, bashkëshorten dhe vëllezërit, të cilët kanë bërë përpjekje maksimale për ta gjetur e kontaktuar fizikisht të afërmin e tyre, Remzi Hoxha. Pas tri ditësh nga data e ngjarjes, të afërmit e të dëmtuarit Remzi janë informuar nga njëri prej punonjësve të policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Nr 3, nga dëshmitari Zograf Cala, i cili mbulonte territorin e punishtes se duralumineve, se Remziu ishte liruar ose do të lirohej atë ditë.
Gëzimi i familjarëve dhe i punonjësve të firmës “Albatros” nuk ka zgjatur, pasi informacioni ka qënë i rremë. Kur ky njoftim ka dalë i gënjeshtërt, familjarët e Remziut dhe punonjësit e firmës së tij janë shqetësuar më tej dhe kanë intensifikuar përpjekjet për gjetjen e Remziut dhe të autorëve që e privuan atë nga liria. Ata e kanë kërkuar jo vetëm në Komisariatin Nr 3, por edhe në rajonet e tjera të policisë, kanë njoftuar edhe instancat e tjera shtetërore, por nuk kanë marrë përgjigje zyrtare as për shkakun e marrjes dhe as për vendndodhjen e Remzi Hoxhës.
Ndërkohë rezulton se në datën 26.10.1995, Komisariati i Policisë Nr. 3, me shkresë e titulluar “Shpallje kërkimi”, që është drejtuar komisariateve të policisë, 1, 2 dhe 4), provohet se është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Remzi Ali Hoxha, duke dhënë edhe moshën e karakteristikat e tij: “Vjeç 40, lindur në Shkup e banues në Tiranë, lagja 43, rruga ‘Qemal Stafa’, P 161 sh.2 ap 18. I gjatë 180 cm, biond me flokë të shkurtra, të drejta, me mjekër, ka veshur një xhaketë jeshile me kuadrate bezhë”.
Por nga përmbajtja e këtij akti, konstatohet se organi në të cilin ishte depozituar kallëzimi, shpalljen në kërkim për zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha, e bën me argumentin e gabuar se “Remzi Hoxha nuk gjendej e ishte larguar në drejtim të paditur”, gjë që nuk i përgjigjet faktit të kallëzuar. Ndërsa me shkresën nr.4068 prot, dt. 14.11.1995 Komisariati i Policisë nr. 3 Tiranë, duke marrë në konsideratë kallëzimin e punonjësve në lidhje me targën e përdorur nga një prej mjeteve që morën me forcë Remzi Hoxhën, provohet se i është drejtuar Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor pranë Ministrisë së Brendshme, Tiranë, me kërkesën “Për verifikimin e targës TR 2449 C”.
Nga përmbajtja e këtij akti del se është arsyetuar si vijon: “Për nevoja hetimore na konfirmoni nëse targa TR 2449 C është vënë në qarkullim dhe nëse po, kush e ka këtë targë”. Rezulton se titullari i këtij institucioni, dëshmitari Gjergji Jorgo, i është drejtuar Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor edhe dy herë të tjera, në datat 14.11.1995 dhe 22.11.1995, me të njëjtën kërkesën për verifikimin e targës TR 2449 C, por nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
Mbështetur në deklarimet e dhëna prej punonjësve të firmës së duraluminit, “Albatros”, posaçërisht të dëshmitarëve Violeta Radi, Didika Kërçini, Astrit Sula, Meleq Frashëri, Dalip Seferi etj, familjarët e të dëmtuarit Remzi Hoxha kanë pretenduar që në fillim se Remzi Hoxhën e kanë marrë punonjësit e Shërbimit Sekret Shqiptar, sepse targa TR 2449 C ka qënë në përdorim të automjetit që ishte në pronësi të këtij shërbimit, se personat që kanë shkuar në mjediset e firmës dhe që e kanë marrë me dhunë ishin të armatosur dhe se disa javë më parë, persona të prezantuar si të Shërbimit Sekret ishin interesuar për vendbanimin e Remzi Hoxhës në Tiranë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, hetimet për ngjarjen e datës 21 tetor 1995, i ka rifilluar përsëri me veprime për verifikimin e targës dhe se pas një korrespodence të gjatë e disamujore mes kësaj prokurorie dhe institucioneve që mund të jepnin të dhënat, si Ministria e Brendshme (nga varej Drejtoria e Qarkullimit Rrugor), Drejtorisë Qendrore të Shërbimit Informativ Kombëtar etj, më në fund, në datën 30.03.1996, ka marrë një përgjigje zyrtare nga Drejtoria e Policisë Rrugore, në Ministrinë e Brendshme të Republikës së Shqipërisë, sipas së cilës rezulton se targa TR 24 49 C është tërhequr nga Drejtoria e Shërbimit Informativ Kombëtar për Tiranën, për nevoja operative, në muajin mars 1995.
Kallëzuesi Ziso Kristopulli ka pretenduar se, në tetor 1995, personat të SHIK-ut, duke u kamufluar si punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit e kanë marrë atë nga vendi i punës, në fshatin Ksamil dhe e kanë dërguar e mbajtur të izoluar në një vend të fshehtë, që ai e ka kuptuar se ka qënë afër vendit të quajtur “Klubi i Gjuetarit’ në Lezhë.
Këtu, sipas kallëzimit të tij, e kanë keqtrajtuar, rrahur e dhunuar, pasi kanë kërkuar të marrin informacione për veprimtarinë e tij, të cilësuar prej dhunuesve si agjenturore dhe që sipas tyre, kishte kryer së bashku me Remzi Hoxhën, Armando Loshajn e persona të tjerë. Sipas kallëzuesit Ziso, në një moment, gjatë marrjes në pyetje duke e keqtrajtuar, ai ka dëgjuar ulërimat e të bërtiturat e një personi të tretë në një dhomë tjetër, në të njëjtën ndërtesë.
Në atë moment, personi që ishte duke e marrë të dëmtuarin Ziso Kristopulli në pyetje, i ka thënë: “E kemi marrë dhe e kemi këtu Remzi Hoxhën e dëgjoje se si ulëret. Kallëzuesi Ziso ka deklaruar se vetëm kur ai ka pohuar e nënshkruar gjithshka që i kanë vënë përpara si dhe ka pranuar se do të jetë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ Kombëtar, është liruar, ka shpëtuar nga dhuna e keqtrajtimi, por nën kërcënim e shantazh, që të mos tregojë asgjë për çka e kanë pyetur e çka ka nënshkruar. Ai u paraqit para gjykatës dhe ka dhënë dëshminë e tij në seancën gjyqësore të datës 09.09.2008, e cila do të analizohet më gjerë në vijim, për veprimet e paligjshme të kryera ndaj tij nga punonjës të Shërbimit Sekret Shqiptar, duke e marrë me forcë nga vendi i punës së tij e duke e dërguar me thes në kokë në ‘Vain’, Lezhë, ku është keqtrajtuar e torturuar, me qëllim nxjerrjen e informacioneve se ai dhe të dëmtuarit Avdyl e Remzi ishin në shërbim të agjenturave të huaja.
Nga provat me dëshmitarë dhe me prova shkresore në gjykim u provua se Shërbimi Informativ Kombëtar ka pasur në administrimin e tij, ndër të tjera edhe një vilë, në vendin e quajtur ‘Vain’, në Rrethin e Lezhës, e ndërtuar që në periudhën e regjimit komunist.
Ndërtesa ishte e veçuar, e rrethuar dhe e siguruar mirë. Ajo ndodhej brenda një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, mes një mjedisi të pyllëzuar dhe jo larg nga bregu i detit. Kjo ndërtesë-vilë u provua se, gjatë viteve 1993-1997 është ruajtur 24 orë pa ndërprerje nga persona të armatosur, të punësuar si roje me kohë të plotë e që paguheshin nga Drejtoria e SHIK-ut në Lezhë. Në periudhën shtator–dhjetor 1995 u provua se, përgjegjës i rojeve në këtë ndërtesë ishte dëshmitari Gjok Nikhasani, ndërsa si roje kanë qënë të punësuar dëshmitarët Viktor Sokoli, Tom Qoshku, Mehill Pjetri e Llesh Cali.
Për nevojat e funksionimit të kësaj ndërtese ishte e punësuar si kuzhiniere dhe pastruese edhe dëshmitarja Flora Nikhasani, bashkëshortja e dëshmitarit Gjok Nikhasani. Vila kishte një kuzhinë modeste dhe tri dhoma të tjera, njëra prej të cilave ishte më e madhe dhe në të gjendej edhe një tavolinë.
Në dy dhomat e tjera kishte vetëm krevat tek me dyshek. Në gjendjen që provonte se ka qënë në tetor 1995, gjykata bindet se kjo ndërtesë nuk kishte kushtet minimale për t’u përdorur për qëllime pushimi apo për turizëm. Në të kundërt, vila në Vain i ngjante më shumë një burgu të improvizuar. Sipas dëshmitarëve që kanë shërbyer në këtë vilë (rojet e armatosura dhe kuzhinierja), të gjitha dritaret e dhomave mund të hapeshin vetëm nga brenda për ajrosje, por ishin të siguruara me hekura të trashë e të dendur.
I dëmtuari Avdyl Loshaj është marrë në “dorëzim” nga i pandehuri Ilir Kumbaro, i cili është kujdesur që të mbahet në kushte të tilla, që i është ndaluar çdo kontakt me botën e jashtme, me familjarë, me avokatë apo me të njohur të tij. Ai është vendosur në një ambient të paidentifikuar, ndërsa ditën vendosej në një dhomë pa tualet, në katin e tretë të Drejtorisë së SHIK-ut Tiranë.
Këtu ka qëndruar për disa ditë rresht në izolim të plotë, duke u marrë në pyetje, në të ashtuquajturat “biseda operative”, pa respektuar asnjë dispozitë të ligjit kushtetues dhe të ligjit procedural-penal. Në këto biseda operative provohet se të dëmtuarit Avdyl Loshaj, nga i pandehuri Ilir Kumbaro i është kërkuar informacion për aktivitetin e tij kundër Shqipërisë, ai është akuzuar si agjent i një agjencie të huaj të shërbimit sekret dhe se ka qënë pjesëmarrës në atentatin kundër Presidentit të atëhershëm të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligorov.
Për aktivitetin agjenturor kundër Republikës së Shqipërisë është akuzuar se ka bashkëpunuar me shtetasit Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha dhe i është kërkuar informacion për aktivitetin e tyre. Kundërshtimit të të dëmtuarit Avdyl Loshaj për t’iu përgjigjur pyetjeve që i bëheshin rezulton tej çdo dyshimi, se i pandehuri Ilir Kumbaro i është përgjigjur me rrahjet e goditjet, të cilat i kanë shkaktuar dhimbje të vazhdueshme fizike e mendore, e ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore e degraduese etj.
Të gjitha veprimet kundër integritetit fizik të të dëmtuarit Loshaj bëheshin prej të pandehurit Ilir Kumbaro, me qëllim që të detyronte të dëmtuarin të pohonte veprimtarinë kriminale kundër interesave të Republikës së Shqipërisë si dhe që të jepte informata për rrethanat e përfshirjes së tij në atentatin kundër Presidentit të asaj kohe, të Republikës së Maqedonisë. Ky trajtim degradues e çnjerëzor ka qënë shumë i egër, ka qënë intensiv, sepse ka vijuar me orë të tëra për disa ditë pa ndërprerje, duke i shkaktuar të dëmtuarit Avdyl dhembje e vuajtje të rënda fizike e mendore.
Nga dëshmia e dëshmitarit Anibal Basha rezulton se ka punuar në SHIK nga nëntori 1992 deri në janar 1995 me detyrë inspektor zone. Gjatë detyrës nga viti 1994 deri në fund ka qënë nën vartësinë e të pandehurit Ilir Kumbaro. Dëshmitari dëshmon se ka dijeni vetëm për Armand Loshaj në këto rrethana: “…….Unë kam qenë duke dalë nga zyra dhe jemi shkëmbyer me Ilirin dhe na ktheu mbrapsht te shkallët dhe na ka thënë sot s’do dilni në zonë, do ju ngarkoj me detyrë tjetër: është ndaluar një person, por duke mos pasur inspektor të tjerë, do jeni të pranishëm. Pyetjet ia kam bërë unë dhe kur të mbaroni pune do më njoftoni. Pasi ka mbaruar punë, ia kemi dorëzuar kryetarit të degës. Iliri tha ‘meqenëse s’ka persona të tjerë, shkoni ju. Ne ishim vëzhgues, pyetjet i kishte bërë Iliri. Thjeshtë kemi asistuar. Ky personi që është marrë në pyetje ishte Armando Loshaj”.
I pyetur se çfarë di për të tjerët Remzi Hoxha dhe Ziso Kristopulli, dëshmitari Anibal është përgjigjur: “Vetëm kur dorëzuam shënimet e Ilirit i lexova dhe është përmendur emri i Remzi Hoxhës si lidhje e aktivitetit të përbashkët”. Pyetjes se për çfarë aktiviteti dëshmitari u përgjigj: “S’i vura rëndësi, ishte si zbulues për llogari të Shërbimit Serb, por s’e kam taku”. Pyetjes së av.Zef Nikaj se, çfarë kuptove ti, se çfarë njeriu ishte, dëshmitari Anibal Basha u përgjigj: “Zbulues serb, agjent”. (balkanweb)
EDITOR
12 years ago
previous article
“Xhuxhi” talent në basketboll (Foto&Video)
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
12 months ago