94 persona do të gjykohen me akuzë “komplot për grushtshtet” në Emiratet të Bashkuara Arabe, duke shënuar kështu gjykimin më të madh politik që është parë në këtë shtet. Në mesin e tyre ka avokatë, gjykatës, akademikë dhe udhëheqës studentorë, shumica e tyre anëtarë të një grupi paqësor shoqëror në nivel vendor, të quajtur “AL-ISLAH”. Shumica e tyre ishin arrestuar në muajt korrik dhe gusht të vitit 2012, kurse ekzistojnë të dhëna për torturë dhe sjellje të dhunshme ndaj tyre, të argumentuara nga Human Rights Watch në shtator të vitit 2012. Kohë më parë, anëtarë të familjeve të tyre kanë treguar se të arrestuarit ishin subjekt i maltretimit me dritë të fortë, ngrohje të dobët, veshje të kësulave në kokë dhe me sharje të vazhdueshme nga rojet e burgjeve.
Gjatë hetimit, avokatët kanë qenë të shqetësuar dhe nuk janë lejuar t’i shohin klientët e tyre. Në periudhën ndërmjet 20 dhe 27 shkurtit, avokatët e mbrojtjes janë lejuar t’i vizitojnë disa prej të arrestuarve, por gjithmonë në prezencë të përfaqësuesit të zyrës së prokurorit, të cilët i kanë mbikëqyrur tërë kohën. Po ashtu, dokumentet që përmbajnë akuzat dhe argumentet të cilat do të prezantohen kundër të akuzuarve janë publikuar para disa ditëve, gjegjësisht më 28 shkurt të këtij viti, duke u lënë shumë pak kohëve avokatëve mbrojtës për të përgatitur mbrojtjen në mënyrë adekuate.
Nga 94 të akuzuarit, 61 janë meshkuj, 13 femra nga të afërmit e të arrestuarve, kurse 20 të tjerë janë kualifikuar si të “arratisur”. Mirëpo, gjatë 1 dhe 2 marsit, së paku gjashtë persona nga lista e të arratisurve janë arrestuar. Në mesin e tyre është edhe Ahmed Saleh al Hamadi, një ligjërues i pensionuar universitar, dhe Adel al Zar’oni, i punësuar në Bankën e Abu Dhabit. Këta dy gjenden në vend të panjohur dhe ekziston frika për mirëqenien e tyre.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paraqitur Pasqyrën Periodike Universale të të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara në muajin janar të vitit 2013, ku Ministri i Punëve të Jashtme, Anwar Gargash, në mënyrë të flaktë mbronte protokollin e tyre të të drejtave të njeriut. Ndërsa, ky gjykim do të jetë shumë i rëndësishëm për të parë nëse vërtetë sundimtarët të Emirateve të Bashkuara Arabe janë zotuar për respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave elementare të njeriut. Pas ratifikimit të Konventës Kundër Torturës, në korrik të 2012, dhe zgjedhjes në Këshillën e të Drejtave të Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara në nëntor të vitit 2012, është obligim që autoritetet t’u përmbahen këtyre urdhrave dhe mos të shpërdorin të drejtat e njeriut për të përhapur imazh të rrejshëm të një shteti progresiv liberal.
Gjykimet e mëparshme politike në Emiratet e Bashkuara Arabe janë përshkruar nga mbikëqyrësit ndërkombëtar si shumë të padrejta dhe me lëshime serioze gjatë proceseve gjyqësore. Autoritetet vendore janë përkujtuar për Nenin 13 të Kartës Arabe të të Drejtave të Njeriut, ku edhe Emiratet janë subjekt, i cili thotë se “të gjithë kanë të drejtë për gjykim të drejtë i cili ofron garanci adekuate para gjyqit kompetent, të pavarur dhe të paanshëm”. Por, edhe ky hetim është karakterizuar me lëshime të mëdha procedurale, shqetësime në trajtimin e të arrestuarve dhe pengimin e avokatëve në përfaqësimin e lirë të akuzuarve. Duke pasur parasysh këtë, është obligim për autoritetet vendore që tu lejojnë mbikëqyrësve ndërkombëtarë të vlerësojnë drejtësinë e procedurave, për shkak të shkeljeve që kanë ndodhur gjatë procesit hetimor.
Kanë kaluar tani dy vjet nga peticioni i cili ka nxitur masa energjike kundër aktivistëve politik dhe ia vlen për tu përkujtuar se çfarë ishte kërkuar atëherë. Të nënshkruarit e peticionit kishin ftuar qeveritarët e Emirateve për të reformuar sistemit politik, në drejtim të përfshirjes së një Këshilli Federal Nacional që do të zgjidhej përmes votimit të përgjithshëm, dhe i cili do të posedonte juridiksion të plotë mbi procesin legjislativ. Për fat të keq, autoritetet e Emirateve u janë përgjigjur këtyre thirrjeve për pjesëmarrje më të madhe politike në vend me arrestimin dhe dënimin e aktivistëve.
Ky gjykim vjen në një kohë vendimtare për Emiratet e Bashkuara Arabe. Andaj, i thërrasim autoritetet që tu mundësojnë këtyre njerëzve gjykim të drejtë, në një gjyq të hapur me prezencë të mbikëqyrësve ndërkombëtarë dhe të mos merret në konsideratë asnjë argument i nxjerrë me torturim. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë botës do t’i bëhet e qartë se premtimet e dhëna nga sundimtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe për të drejtat e njeriut, kanë qenë vetëm premtime boshe.
Qendra e të Drejtave të Njeriut në EBA
Categories