“Gjithmonë e mbajta të gjallë imazhin e saj, edhe pse në varr, e largët je sikur të ishe e gjallë”. (Ebu Is’hak de Elvira (v.1066), ia dedikon gruas së tij të vdekur).
Gratë në Andaluzi, d.m.th, gratë myslimane të kësaj epoke, përveç veprimtarisë së tyre brenda hapësirës familjare, kanë zhvilluar veprimtaritë dhe ndikimin e tyre edhe në hapësirat jashtë familjes, në jetën shoqërore e politike të Spanjës myslimane.
Gratë myslimane të kësaj epoke i hasim në pozita të ndryshme shoqërore. Përmendet p.sh, që e veja e El Mensurit, kishte pasuri të shumta nën zotërimin e saj personal, saqë arriti të financojë rebelimin kundër Sanchielos në oborrin e kalifit.
Në këtë mënyrë: “…këto të dhëna jo vetëm na bëjnë të ditur, që një grua si Dhalfa (dhe nuk ka pse të mendohet, që kemi të bëjmë me një përjashtim) dispononte në mënyrë të lirshme pasuri të mëdha dhe që e njëjta gjë ndodhte me shumë gra të tjera të kësaj epoke1
Po kjo autore shton, se gratë në Andaluzi nuk ishin aq të veçuara nga ambienti shoqëror, siç mendohet jo rrallë. Përderisa në këto vite të progresit intelektual e artistik, ato rivalizojnë gjithashtu për të ndërtuar e rregulluar xhamia e ndërtesa të tjera publike. 2
Njihen raste të ndryshme të këtij aktiviteti nga ana e grave të kësaj epoke, p.sh, rasti i grave të Abdurrahmanit II, me kontributin e të cilave u ndërtuan xhami të tilla si: Xhamia e Tarubit në lagjen e anës së majtë të Guadalkivirit, Xhamia e Fahrit, e Mutasë dhe e Shifasë etj. Në hapësirën jashtë familjare gruaja në Andaluzi, më tepër sesa pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në aktivitetin prodhues, luan rolin e një agjenti ekonomik të qarkut prodhues të shoqërisë. Blen lëndët e para për punët e saj të shtëpisë dhe për mbajtjen e familjes, apo për prodhimtarinë artizanale në lloje të ndryshme të tregtisë, është në dispozicion të shërbimeve publike, të administratës dhe të drejtësisë, të fesë dhe madje edhe të financave; shpenzon në shërbime të tjera tregtare të lagjes, si: furra, banjo, salla festash etj. 3
Studiuesja spanjolle Maria Luiza Avila, e doktoruar në filologji semitike, në ka mundur të mbledhë një numër relativisht të madh, rreth 116 gra, të cilat përmenden në kronikat e kohës, në enciklopedi dhe biografi të ndryshme, për kontributin e tyre në lëmi të ndryshme të diturisë dhe të jetës shoqërore.
Këto gra të ditura (alime), përfshihen në vepra të ndryshme të studiuesve myslimanë të kohës siç janë: , shkruar nga Muslim bin El Kasim, në – mbi gratë të Ebu Davud el Mukri, në “Et-tarih el-kebir” të Ibn Hajjanit etj. Nga këto 116 gra, që autorja e mësipërme i përmend, 44 janë nga Kordova, 12 nga Granada, 4 nga Malaga, 5 nga Almeria, 6 nga Valencia, madje citohen nga Majorka, Saragoza, Guadalahara etj.
Për sa i përket lëmive, në të cilat këto gra e kanë dhënë kontributin e tyre, pjesa më e madhe e tyre, rreth 50, ishin poete. Disa prej këtyre poeteshave ishin njëkohësisht kultivuese të kulturës letrare (el adab). 22 prej tyre ishin poete dhe njohëse të letërsisë (sha’ira ve adiba). 12 prej tyre ishin sekretare (katiba) dhe në përgjithësi ishin gra jo të lira, por që punonin për zotërinjtë apo zonjat e tyre dhe ishin të ngarkuara përveç të tjerash, për letërkëmbimin e tyre. Kopistet: 4 gra përmenden si kopjuese. Këto janë gra të lira dhe i përkushtoheshin kopjimit të librave të ndryshëm, Kuranit etj. Kaligrafistet: Qenë 9 gra, të cilat zotëronin aftësinë dhe mjeshtërinë e kaligrafisë (bukurshkrimit) së arabishtes, që më tepër sesa kaligrafi është në fakt një art i vërtetë dhe më vete. Njëra prej tyre përmendet si paleografe, pasi zotëronte aftësinë për të lexuar shkrime të vjetra e të vështira për t’u kuptuar.
Tri gra përmenden si leksikografe, dy përmenden si njohëse të gjuhës (arabijja), dy si njohëse të gramatikës dhe dy të tjera si njohëse të metrikës. 16 të tjera përmenden, që kanë studiuar dhe u kanë mësuar të tjerëve Kuranin dhe mësimin e mënyrave të leximit të Kuranit (kiraet). Hadithit i janë përkushtuar 6 prej tyre, ndërsa asketizmit 8 (me këtë term autorja përfshin termat arabë “zuhd” dhe “ibade”). Fusha të tjera të veprimtarisë të kultivuara prej grave të Spanjës myslimane ishin: Fikh 6 veta, Historia (tarih) 4 veta, aritmetikë (hisab) 1 dhe kelam 1 grua. Eksperte në aktet gjyqësore ka qenë gruaja e një kadiu, me të cilën i shoqi konsultohej, kur kishte ndonjë çështje të dyshimtë për të zgjidhur.
Një grua përmendet si astronome. Dy përmenden si mjeke. Si mësuese (mualima) përmenden gjithashtu dy. Njihet gjithashtu rasti i një predikueseje dhe oratoreje të mirëfilltë (vaize), që përshkonte Andaluzinë, për t’u predikuar grave fenë. Gjashtë gra përmenden të kenë marrë licencën (ixhaze) nga profesorët e tyre. Vepra të botuara nga gratë e Spanjës së epokës myslimane përmenden: Nga Amat er-Rrahman bint Ebi Muhamed b. Atijja, e cila ka shkruar një libër mbi varret (kubur) dhe një tjetër mbi lutjet (ad’ija). Fatima bint Atik ka shkruar: “Kitab fi kijan el-Endelus”. Që të tri këto vepra kanë humbur, por ruhen pjesë të prodhimtarisë poetike të grave të tjera të kësaj epoke.
Kjo pasqyrë e shkurtër, na jep një ide mbi rolin, që ka luajtur gruaja myslimane spanjolle në shoqërinë e asaj kohe. Kjo merr një rëndësi të madhe, për vetë faktin se një nga fushat e debatit, që më së shpeshti zhvillohet ndërmjet atyre që diskutojnë mbi karakterin lindor apo perëndimor të Andaluzisë, është pikërisht ai i lirisë së gruas hispano-myslimane në raport me bashkëkohëset e tjera të botës islame. Dy studiuesit më të shquar të historisë së Spanjës Islame, francezi Henri Perez dhe spanjolli Sanchez Albornoz, mbështesin mendimin, se gruaja myslimane e Andaluzisë ishte më e përfshirë dhe më aktive në jetën fetare, politike, shoqërore e artistike-shkencore sesa bashkëkohëset e saj. 4
Le të shohim një për një disa nga këto gra myslimane të shquara në dituritë e Andaluzisë. Abida el-Medenijja, nëna e djalit (Ummu Veled) të Habid b. El Velid el Mervani. Transmetoi nga Maliku 10 000 hadithe.
Aisha bint Ahmed b. Muhamed b. Kadim (vdekur më 400/1009). Nga Kordoba, zotëronte pasuri të madhe dhe një influencë po ashtu të madhe. Ju përkushtua shkencës dhe arriti të kishte një bibliotekë të mrekullueshme. Kultivoi poezinë dhe dituritë letrare. Zotëronte gjithashtu një kaligrafi të bukur dhe kopjonte ekzemplarë të Kuranit.
Amat er-Rrahman bint Abdulhak b. Atijja, ishte nga Granada. E bija e Muhamed ibn Atijja, kadi i Almerias. Studioi me të atin. Prej saj përmenden një vepër mbi varret dhe një tjetër mbi lutjet. Në librin mbi lutjet, El Marrakushi, ka gjetur emrin e saj në një ixhaze (diplomë) që ajo u jepte atyre, që kishin mësuar prej saj. Ishte gjithashtu poete.
Azize bint Muhamed b. Namil (shek. VI h/ XIIe.r.). Ka marrë mësime nga kadiu Ebu Bekr ibn-El Arabi. Kishte një kaligrafi shumë të mirë. Ibn Zubejri thotë, se ka parë një shënim të saj në “Kitab as-Sila” të Ibn Bashkuvilit, që mbante datën Dhulkade të vitit 551 h/ 1156 e.r.
El Beha bint Abdurrahman, b. El Hakem b. Hisham b. Abdurrahman b. Muavija (shek III h/ IX e.r.). Siç mund të vërehet edhe nga gjenealogjia ishte e bija e emirit emevit Abdurrahmani II. Rronte në vetmi dhe merrej me kopjimin e ekzemplarëve të Kuranit. Prej saj e ka marrë emrin xhamia e El Behasë, njëra nga xhamitë e lagjes së Rusafës, në Kordobë. Vdiq në muajin Rexheb të vitit 305 h/ 917 e.r, në fillim të mbretërimit të En Nasirit dhe thuhet se nuk ka munguar njeri në varrimin e saj.
Fathuna bint Xhaferr b. Xhaferr (shek. IV h/ X e.r), nga Mursia. Letrare (adiba) dhe kroniste (tarihijja). Shkroi një libër të titulluar “Kitab fi kijan El Endelus”, duke pasur si shembull librin e Ebul-Ferexh el-Isfahani, “Kitab el-Agani” të shkruar më 356 h/ 966 e.r.
Fatima bin Ebil Kasim b. Galib el Kurtubi. Studioi Kuran dhe shumë hadithe me të atin. Sipas të birit, ajo e ka marrë ixhazen (diplomën) nga dijetari Ebu Mervan ibn Masarra.
Fatime bint Ebi Ali Husejn al Mursi ibn Sukkara (vdekur më 590 h/ 1193 e.r.). Nga Mursia, një grua shumë e devotshme dhe askete (zahide). E dinte përmendësh Kuranin (hafize) dhe njëkohësisht shumë hadithe të Profetit (a.s). Kishte një kaligrafi të mirë ishte e apasionuar pas librave.
Gassanija (shek. IV-V h/ X-XI e.r). Poete që thurte panegjirikë (poezi lavdërues) për mbretërit dhe letrare. Ende ruhet një kaside e saj.
Hafsa bint Hamdun b. Hajra (shek. IV h/ X e.r.), nga Guadalahara. Letrare dhe poete me dituri të gjera (alima).
Hafsa bint el Usted Ebi Abdilah ibn Arus (shek VI h/ XII e.r.). Mësoi me të atin shtatë leximet e Kuranit (kiraetet), gjithashtu studioi me të shumë vepra të hadithit, literaturës dhe shumë fusha të tjera. Mes cilësive të saj të shumta ishte ajo e paleografes, pasi mund të lexonte libra të vjetër pa gabime. Vdiq 27 vjeç më 15 Ramazan të vitit 580 h/ 1184 e.r.
Ibnet Faiz El-Kurtubi (shek V h/ XI e.r). E shoqja e Ebu Abdulla ibn Attab. Mësoi nga i ati Faizi, tefsirin, leksikografinë (luga), gjuhë arabe (arabijja) dhe poezinë. Ndërsa nga i shoqi mësoi fikhun. U nis nga Kordoba, për të kërkuar Ebu Amr ed-Donin, për të mësuar prej tij leximet (kiraetet) e Kuranit, por e gjeti të sëmurë dhe pas vdekjes së tij mësoi nga Ebu Daud el Mukri të shtatë leximet.
Udhëtoi në Lindje dhe e plotësoi detyrimin e Haxhit. Vdiq në Egjipt, kur po kthehej për në Andaluzi më 445 h/ 1054 e.r.
Ibnet Said el Baluti. Gratë e virtytshme i drejtoheshin asaj, për të pyetur dhe studiuar fikun, për shkak të diturisë dhe devotshmërisë së saj. E përmend Ibn Hajjani.
Kitmana (shek. IV h/ X e.r.). Ishte nga Kordoba. Sekretare (katiba) e Abdurrahmanit III en-Nasir. Lubna (shek. IV h/ X e.r.). Ishte skllave (xharije) e Hakamit II dhe sekretare e tij. Ishte gjithashtu njohëse e gramatikës, poete, eksperte në aritmetikë (hisab), njihte metrikën (arud) dhe kishte kaligrafi të mirë. Vdiq më 374 h/ 984 e.r.
Nidhamja (shek. IV h/ X e.r.). Sekretare në oborrin e kalifit të Kordobës, në kohën e Hishamit II. Ishte eksperte në letrat (rasail) dhe ishte ajo, që e redaktoi lajmin, me të cilin i jepte Muzzaferit, ngushëllimet për vdekjen e të atit të tij, Hisham II dha emërimin për ta zëvendësuar në Shevval të vitit 392 h/ 1001 e.r. E përmend Ibn Hajjani në “Et Tarih el Kebir”.
Nudar bint Ebi Hajjan el Garnati (shek. VIII h/ XIV e.r.). Shkruante vargje dhe e ka kryer detyrimin e Haxhit. E ka marrë ixhazen prej dijetarit Ebu Xhaferr ibn Zubejrit. Lindi më 702 h/ 1303 e.r. dhe vdiq më 730 h/ 1329 e.r., në moshë të re. I ati shkroi një libër për të, të titulluar: “En Nudhar fil masla en-Nudhar”.
Kelamja (shek. III h/ IX e.r.). Sekretare e Abdurrahmanit II. Ishte baske me origjinë. Pati shëtitur shumë në Lindje dhe mbërriti në Medine, ku mësoi të këndonte duke u bërë eksperte. Ishte adiba (letrare), kaligrafe, dinte poezi, njihte përmendësh kronika (ahbar) dhe ishte eksperte në degë të ndryshme.
Sejjide bint Abd-el Gani el Garnatijja. I ati e pati lënë jetime qysh në moshë të re. Studioi Kuran dhe shquhej në kaligrafi. Gjatë gjithë jetës saj ka dhënë mësim në oborret mbretërore. Ka njohur dijetarin Ebu Zekerijja el Dimashki në Granadë dhe ka kopjuar nga origjinali “Ihja Ulumid-din”. El-Shilbija (shek. VI h/ XII e.r.). Letrare (adiba) dhe poete. I shkroi një poezi sulltanit Jakub el-Mensur, duke iu ankuar për qeveritarët e zonës së saj dhe për shefin e taksave (sahib el-haraxh). Kjo poemë u gjet një të xhuma në sixhaden ku falej el-Mensuri. Kur El Mensuri përfundoi namazin, mori përsipër që ta hetojë këtë çështje. Vërtetoi që thoshte të drejtën dhe urdhëroi rikompensimin e saj.
Ummu Amr Ebi Mervan ibn Zuhri (shek. VI h/ XII e.r.). E motra e Ebu Bekr ibn Zuhrit. U shqua në mjekësi për aftësinë e saj në kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Për këtë shkak u zgjodh nga sunduesit Almohadë, për të kuruar gratë dhe fëmijët e tyre dhe i kërkonin këshilla mbi mjekësinë për burrat. Vdiq më 580 h/ 1184 e.r.
Umm-el Hasan bin Ebi Liva Sulejman (shek. III h/ IX e.r.). Nga familja e saj janë shquar edhe gra të tjera dhe dihet, që gjashtë prej tyre kanë kryer Haxhin. Ajo ishte një grua besimtare dhe e virtytshme, që plotësoi detyrimin e Haxhit dhe gjatë udhëtimit të saj studioi hadith dhe fikh. Pasi kthehet në Andaluzi, më vonë niset për të kryer haxhin për herë të dytë, ku edhe vdes e varroset në Meke. Përmendet në “Kitab Fadail” të Baki Mahlad dhe gjithashtu për atë flet edhe Er-Raziu. Umm-el Hasan bint Ebu Xhaferr et-Tenxhali (shek. VIII h/ XIV e.r.). Poete, eksperte në Kuran dhe çështje mjekësore (mesail et-tib).
Një sekretare (nuk i përmendet emri) e el-Hakemit II (shek. IV h/ X e.r.). Hakemi dërgoi një vajzë të re, që e kishte në oborrin e tij, një sekretare shumë inteligjente tek Ebul Kasim Sulejmani, për t’i mësuar astronominë, përdorimin e astrolabit dhe gjëra të ngjashme. Ju kushtua kësaj dege të shkencës, duke u bërë eksperte. Për këtë e ndihmoi talenti i saj i natyrshëm për këtë shkencë, të cilën arriti ta zotërojë në tre vjet. Pas kësaj ajo fitoi admirimin e Kalifit, i cili e vuri si astronome në oborrin e tij. Ndërsa Sulejmanit ia shpërbleu me një dhuratë të çmuar dhe dyfishimin e rrogës. Varka bin Jinton el-Tulejtuli el-Hajja (shek. VI h/ XII e.r.), nga Toledoja. Jetoi në Fes dhe kreu Haxhin në Meke. Adibe, poete dhe grua e devotshme, që dinte përmendësh Kuranin dhe ishte eksperte në kaligrafi.
* * *
Këto ishin disa nga gratë e ditura të Spanjës myslimane, Andaluzisë së mrekullueshme. Shembulli i këtyre grave dhe veprimtaria e tyre është një rrugë, që vlen të njihet e ndiqet nga çdo grua myslimane, në çdo vend e në çdo kohë. Për më tepër në tokat shqiptare ku gruaja gjendet në udhëkryqe të mbushura me tabela, që e udhëzojnë dhe e drejtojnë vetëm drejt një rruge: asaj të mbrapshtisë e të zvetënimit, të vetë ekspozimit bosh dhe të humbjes. Gratë që i përmendëm më sipër, ishin gra që studionin e punonin, që kishin në shpirt dëshirën për dije dhe kulturë. Ishin hafize, muhadithe, eksperte në fikh, kiraet, poezi, kaligrafi, gjuhësi. Ishin historiane dhe oratore (vaize), ishin mjeke e astronome etj, etj. Ajo çka është më e rëndësishme, është se ato ishin të tilla, duke qenë njëkohësisht gra që e gëzonin dhe jetonin jetën, që dashuronin e dashuroheshin, që rrisnin fëmijë e ishin bashkëshorte të mira ashtu siç e urdhëron Islami. Ky është një shembull më tepër, që vërteton, se Islami nuk e kufizon femrën për mirësi, përveçse në të keqe ashtu siç e kufizon edhe mashkullin.
Literatura e shfrytëzuar:
1) Manuela la Marin; , në: “La mujer en Al-Andalus”, Madrid 1989, fq. 113.
2) Mikel de Epalza; , po aty, fq.53.
3) M. Garcia Arenal – , Madrid 1983.
4) M. Rubiera – M. Jesus: Al Mutamid Ibn Abbad – Poesias. , Madrid 1982.
5) Antonio Munoz Molina: – Barcelona 1998.
6) Daniel Cunat: Al-Andalus – Madrid 1991
EDITOR
11 years ago
previous article
Zgjedhjet komunale, 2013 në Kosovë
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
17 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
17 hours ago