Pyetja: Vëllezër të nderuar. Vëllai im ka bërë një mëkat të madh; i ka bërë dikujt një padrejtësi të madhe dhe unë i kërkova atij që t’ia kërkojë hallallëkun këtij personi që i ka hyrë në hak dhe t’ia kthejë atij të drejtën e cenuar. E sqarova se është gabim, duke i sjellë argumente nga Kurani fisnik dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut, por ai nuk ra dakord me mua mbi atë që i thashë. Cila është detyra ime në këtë situatë? Si duhet të veproj unë me të? Kam menduar të distancohem nga ai, derisa ai të zbatojë ligjin e Allahut. Kam frikë se nëse unë hesht mbi këtë çështje, Allahu i Lartësuar ka për të më kërkuar llogari për të, sepse nuk dua as ta humbas tim vëlla.
A kemi të drejtë të shtiremi se jemi të kënaqur me familjarët dhe të afërmit, pavarësisht se ata nuk janë në rregull, me qëllim që të mënjanojmë problemet dhe konfliktet? A na lejohet t’i pranojmë gabimet e tyre, pavarësisht se ne s’jemi të kënaqur dhe s’jemi dakord me gabimet e tyre.
Na orientoni si të veprojmë në situata të tilla. Na orientoni sesi të reagojmë dhe çfarë të bëjmë, Allahu ju shpërbleftë.
Es selamu alejkum.
Përgjigjet prof. Atije Abdulmeuxhud Lashini:  
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe cilindo që e ndjek atë, kurse më tej:
Kjo pyetje ka lidhje me subjektin e “urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja”. Ajo çfarë kërkon kjo çështje, është që kur personi shikon një njeri të padrejtë ose mëkatar, duhet që ta orientojë atë që ai të bëjë më të mirën, ta urdhëroj në të mirë dhe ta ndalojë nga e keqja, nën konsideratën e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Fto në Rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të hijshme” dhe fjalën e Allahut të Lartësuar të cilën Ai ia kushton të Dërguarit të Tij a.s: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje…”. [Ali Imran: 159]
Siç është e ditur për pyetësin e nderuar dhe mbarë muslimanët, gradët e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, janë tre:
Së pari: Urdhërimi përmes përdorimit të dorës, mjet që nuk i lejohet vartësve, por i përket gjithkujt që ka autoritet dhe pushtet mbi atë që e urdhëron në të mirë. Dihet se vëllai nuk ka autoritet mbi vëllanë e tij, prandaj ky mjet nuk mund të përdoret midis vëllezërve me njëri-tjetrin.
Së dyti: Mjeti i dytë është urdhërimi në të mirë përmes gjuhës, i aprovuar për çdo njeri që beson në Allahun dhe në Botën Tjetër. Ky mjet, siç u cek, zbatohet përmes gjuhës. Këtu fjala shoqërohet me butësi dhe lehtësi, karakterizohet me urtësi dhe këshillë të hijshme, në mënyrë që thirrja e saj të jap fryte të pjekura tek ai që urdhërohet në të mirë dhe ndalohet nga e keqja.
Së treti: Mënyra e tretë është urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja përmes zemrës, që përbën mjetin e fundit dhe bëhet evident, kur zemra e personit që urdhërohet në të mirë dhe ndalohet nga e keqja mbyllet dhe ai nuk i përgjigjet thirrjes së vëllait të tij; kësisoj nuk mbetet mjet tjetër për urdhëruesin, përveçse ta urrejë gjënë e keqe, të cilën vëllai i tij musliman insiston që ta kryejë.
Në pyetjen e parashtruar duket qartë, se vëllai në fjalë e ka urdhëruar vëllanë e tij në të mirë dhe e ka ndaluar nga e keqja, si dhe e ka sqaruar atë se veprimi i tij është padrejtësi dhe mëkat ndaj Allahut të Lartësuar, gjë që e angazhon kryerësin e këtij mëkati që medoemos të pendohet. Në situatën në fjalë, personi e ka shlyer përgjegjësinë e tij, pasi ai ka zbatuar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Le të jetë prej jush një grup që thërrasin tek e mira, urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja!”
Ndërsa sa i përket rolit të mëtejshëm të urdhëruesit dhe pozicionimit të tij karshi atij, që e ka urdhëruar, i cili as nuk i është përgjigjur dhe as nuk e ka dëgjuar orientimin ku e ka udhëzuar vëllai i tij, duhet që urdhëruesi të mos e bojkotojë atë dhe as të hyjë në konflikt me të, pasi kjo gjë vjen me një rezultat të kundërt nga ai që dëshiron urdhëruesi, prandaj duhet bërë durim. Urdhëruesi duhet që herë pas here, ta urdhërojë vëllanë e tij me urtësi dhe këshillë të hijshme drejt të mirës dhe ta ndalojë nga e keqja, duke e lutur Allahun e Lartësuar që thirrja e tij të gjejë vend në zemrën e vëllait të tij.
Gjithashtu urdhëruesi këshillohet, që edhe nëse thirrja e tij s’merr përgjigje, të mos bëhet pesimist, të mos i humbasë shpresat nga mëshira e Allahut të Lartësuar, por vazhdimisht të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, derisa Allahu ta udhëzojë vëllanë e tij, që t’i përgjigjet së mirës në të cilën ai po e urdhëron.
Heshtja karshi së keqes, për të shmangur problemet:
Përgjigjet prof. Dok. Fuad Ali Mukhajmer:
Sa i përket heshtjes së personit përkundrejt urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, kjo gjë konsiderohet shkelje ligjore në Islam. Muslimanit i kërkohet ta evitojë të keqen me njërën nga tre mënyrat, në konkretizim të thënies së Profetit a.s: “Kush shikon prej jush një të keqe le ta ndryshojë atë me dorën e tij, nëse nuk mundet (me dorën e tij, le ta ndryshojë) me gjuhën e tij, nëse nuk mundet (me gjuhën e tij, le ta ndryshojë) me zemrën e tij; e kjo (e fundit) përbën besimin më të dobët”.
Personit i cili nuk do që të flasë hapur mbi të keqen e të tjerëve, nga frika se mos bie në probleme familjare, vlen t’i theksohet se frika duhet të jetë vetëm për Allahun, pasi ne Atë e adhurojmë të Vetëm e të Pashoq dhe nuk i adhurojmë krijesat. Frika e personit nga krijesat e dobëson frikën e tij prej Allahut të Lartësuar, i Cili do ta pyesë personin mbi neglizhencën e bërë përkundrejt luftimit të së keqes dhe ndryshimit të saj.
Kësisoj, muslimanit i kërkohet që të urdhërojë në të mirë dhe të ndalojë nga çdo e keqe që konstaton, qoftë kur ajo ndodh në mesin e të afërmve të tij ose jashtë tyre. Përndryshe, secili nga ne do të pyetet për pasivitetin karshi urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, sidomos ngaqë shumica e njerëzve janë të mundshëm që ta ndryshojnë të keqen me gjuhët e tyre.
Duhet ta dimë, se personi që është gabim dhe ne nuk e ndihmojmë të ndryshojë për mirë, në Ditën e Gjykimit ka për t’u varur në qafat tona, duke na thënë: “Përse më pe të bëja para syve të tu gabim apo mëkat dhe nuk më ndihmove ta ndryshoj atë?!”, gjë e cila do ndikojë në shumëfishimin e mëkatit të neglizhuesit në urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja.
Allahu është më i dijshmi.