Categories
Lajme FRI

Gratë në një shoqëri Kur'anore

LUIZ LAMIA EL-FARUKU

Tema e këtij punimi u zgjodh, duke qenë të bindur, se njerëzimi sot po vuan prej një numri serioz problemesh sociale, lidhur me gratë dhe marrëdhëniet e ndërsjella të dy gjinive në shoqëri. Megjithëse këto probleme mund të jenë më tepër të theksuara, më tepër shqetësuese dhe më tepër ligështuese për disa prej nesh sesa për të tjerët, ekziston ndoshta një numër i vogël rajonesh në botën bashkëkohore, qytetarët e të cilëve nuk i ndiejnë në të njëjtën mënyrë pasojat e këtyre problemeve. Si rrjedhim, ekziston një nevojë e ngutshme për shqyrtimin e zgjidhjeve të mundshme. Në studimin e paraqitur, problemi i grave është lidhur me Kuranin dhe atë çfarë unë e kam quajtur “shoqëri kuranore”, prej bindjes së fortë se Kurani ofron drejtimin më të qëndrueshëm për reformat sociale bashkëkohore, që mund të gjenden në ndonjë model apo në ndonjë literaturë tjetër.
Shumë prej jush ndoshta janë hutuar prej titullit të këtij shkrimi “Gratë në një shoqëri kuranore”. Ju ndoshta keni pyetur veten: Pse ajo nuk tha “Gratë në një shoqëri myslimane” apo “Gratë në një shoqëri islame”? Më lejoni të shpjegoj, se përse, shprehjet ”myslimane” dhe “islame” nuk u përdorën në këtë shkrim dhe se përdorimi i emërtimit thuajse i pazakonshëm, “shoqëri kuranore”, është i justifikuar.
Ekzistojnë të paktën tre arsye se përse e zgjodha këtë titull. E para e këtyre buron prej shqetësimit, se shumë mendime dhe praktika janë etiketuar “myslimane” apo “islame”, pa i justifikuar këto emra. Gjenden afërsisht 40 shtete të botës, të cilat pohojnë të kenë shumicën e popullsisë myslimane dhe si pasojë të jenë shembuj të shoqërive “myslimane”. Kjo natyrisht ka shkaktuar si përfundim një konfuzion të madh, pasi shtrohet pyetja: Cili, prej këtyre vendeve, përfaqëson më së shumti dhe besnikërisht shoqërinë e vërtetë islame? Midis myslimanëve që pyeten, përgjigja më e shpeshtë është pretendimi, se shoqëria e vetë atyre, kombëtare apo rajonale, është më e vërteta ndaj porosive të Allahut xh.sh.
Jomyslimanët, në anën tjetër dhe veçanërisht antropologët perëndimorë, të cilët udhëtojnë rreth e qark botës, për të gjurmuar traditat e popujve, priren për të trajtuar secilin ndryshim brenda botës myslimane, si ngjashmërisht të vlefshëm. Kjo, rrjedh prej devotshmërisë së tyre, që unë e quaj “teoria e kopshtit zoologjik” të njohjes. Pasuesit e kësaj teorie i konsiderojnë të gjithë myslimanët – dhe natyrisht trajtimi i ngjashëm i popujve të tjerë joperëndimorë si specie të ndryshme, – brenda kopshtit zoologjik njerëzor. Protagonistët e “teorisë së kopshtit zoologjik”, shkojnë në terren, regjistrojnë dhe fotografojnë pamje të çdo zakoni të çuditshëm apo ekzotik, që ata shohin dhe dëgjojnë. Ky është Islami dhe praktika islame për këta njerëz. Një udhëtim drejt pjesëve të tjera të botës myslimane, me aparate për regjistrim dhe fotografim, realizon pjesë të ndryshme materialesh, duke dokumentuar ndryshime të përcipta në tradita. Për më tepër, për kërkuesit apo etnografët e “teorisë së kopshtit zoologjik” vetëm ky është Islami apo praktika islame. Pa dyshim, përpjekje të pakta bëhen për të kuptuar Islamin në tërësi. Si pasojë, premisa themelore e skepticizmit dhe relativizmit përforcohen në mendjen e studiuesve dhe ai apo ajo kthehen në shtëpi të bindur se nuk ekziston një Islam, por shenja të Islam-eve ekzistuese në botë. Në mënyrë të ngjashme gjurmuesi raporton, se ekzistojnë shumë përkufizime apo përshkrime të statusit dhe të rolit të grave në shoqërinë myslimane. Secila rezultante e përkufizimeve apo përshkrimeve dublohet si “myslimane” apo “islame”, edhe pse ne si myslimanë mund të kemi disa prej këtyre praktikave, që janë shtrembërime apo zvetënime të parimeve dhe bindjeve tona, prej të paautorizuarve apo të painformuarve midis nesh.
Kjo ishte pjesërisht, për të shmangur konfuzionin e këtyre përshkrimeve dhe moskuptimeve të ndryshme, arsyeja që unë zgjodha emërimin “kuranor”, për shqyrtimin e tanishëm. Në këtë mënyrë, unë shpresoj të lëviz përtej relevancës dhe partikularizmit të kufizuar të “teorisë së kopshtit zoologjik” së shqyrtimit, drejt një paraqitjeje, e cila shmang fragmentarizmin e tillë dhe është ideologjikisht në përshtatje me porositë e vërteta të Kuranit. Në lidhje me çështjet përcaktuese të fatit dhe vetë ekzistencës sonë, ne kurrë nuk mund të kënaqemi me reportazhe të thjeshta, rreth disa lloje kafshësh njerëzore në “kopshtin zoologjik’, të cilët janë statikisht “myslimanë” apo zakonet e të cilëve janë etiketuar si “islame”. Këto emërime, herë-herë, janë keqpërdorur. Në anën tjetër, termi “Kuranor” është një term, i cili është i përcaktuar. Kjo, tregohet qartë në temën e këtij shkrimi.
Së dyti, “shoqëria kuranore”, është vlerësuar të jetë titulli më i përshtatshëm, për faktin se na orienton ne drejt zbulimit të esencës së këtyre parimeve në vetë Kuranin fisnik, që përbën konstruksionin që është në themel të shoqërive tona, anembanë në Botën Myslimane. Kjo është shoqëria e bazuar mbi parimet kuranore, e cila është synim i të gjithëve ne, ndonëse ne pa vetëdije mund të devijojmë, kohë pas kohe prej këtyre parimeve. Kjo është konform një shoqërie të bazuar në Kuran, për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë, që popujt myslimanë të kenë një të ardhme të lumtur. Nuk ka version indonezian, pakistanez, saudian, egjiptian apo nigerian të kësaj shoqërie, që ne duhet ta konsiderojmë si normë të padiskutueshme, por atë që bazohet fuqimisht mbi mësimet e Kuranit të Shenjtë. Vetëm nga kjo pikëpamje ne mund të gjejmë një përkufizim të saktë të rolit të gruas në shoqëri. Përderisa këto mësime janë temë e shkrimit tim, “Gratë në një shoqëri kuranore”, duket titulli më i përshtatshëm. Së treti, me këtë zgjedhje të titullit unë dëshiroj të theksoj, se ne duhet ta konsiderojmë Kuranin e Shenjtë si udhëzuesin tonë në të gjitha aspektet e jetës sonë. Ai nuk është vetëm burimi parësor i dijes rreth besimeve, obligimeve dhe zakoneve fetare, por ai është gjithashtu udhëzues për çdo aspekt të civilizimit islam. Në shekujt e lavdisë së dikurshme ai përcaktonte kreativitetin politik, ekonomik dhe artistik të popujve myslimanë. Nëse ne dëshirojmë të kemi sukses si anëtarë të një shoqërie islame, në dekadat dhe shekujt e ardhshëm ai duhet përsëri të përcaktojë të menduarin tonë dhe të vepruarit tonë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Islami nuk kufizohet në Pesë Shtyllat, shehadetin, namazin, agjërimin, zekatin dhe haxhin. Islami në fakt e sfidon ekuacionin e shkallës së parë me termin anglisht “religjion”, mbasi rëndësia e formuesit depërton në çdo qoshe dhe skutë të qenies dhe sjelljes njerëzore. Natyrisht, ai duhet të jetë synimi ynë, për të lidhur çdo veprim me Islamin tonë. Ne këtë mund ta bëjmë vetëm duke lejuar, që Kurani të frymëzojë dhe reformojë çdo fushë të jetës sonë.
Si një shkallë në këtë drejtim, le të marrim parasysh atë, që Kurani duhet të na mësojë ne rreth shoqërisë, në drejtim të së cilës ne duhet të përpiqemi dhe të mendojmë efektet e tij mbi pozitën e grave. Cilat janë karakteristikat themelore të një shoqërie kuranore, të cilat kanë të bëjnë, veçanërisht, me gratë?
Do të konsideroj pesë karakteristika – të cilat duken themelore, vendimtare dhe të padiskutueshme – të shoqërisë kuranore. Megjithëse, ato paraqiten në një lidhje në seri, ku secila varet nga të tjerat dhe ndikon mbi to. Vartësia e ndërsjellë e këtyre pesë karakteristikave, e bën të vështirë të flasësh për ndonjërën prej tyre, pa përmendur të tjerat dhe sigurisht ato nuk bëjnë e nuk mund të ekzistojnë të izoluara prej njëra-tjetrës.
E para, e këtyre pesë karakteristikave, të një shoqërie kuranore, e cila prek gratë, është se të dy gjinitë janë të njëjtë në status dhe vlerë. Me fjalë të tjera, Kurani na mëson se gratë dhe burrat janë të gjithë krijesa të Allahut, duke ekzistuar në një nivel vlere dhe dobie të barabartë, megjithëse rëndësia e njëllojtë e tyre nuk vërteton pretendimin për barazvlefshmëri apo identitet të përkryer të tyre. Kjo barazi e mashkullit dhe femrës është e dokumentuar në Kuran, në fragmentet që kanë të bëjnë me të paktën katër aspekte të qenies dhe bashkëveprimit njerëzor.
E para e këtyre pohimeve kuranore të barazisë mashkull-femër, përmbahet në deklaratat, që kanë të bëjnë me çështje të tilla fetare, si origjina e njerëzimit, apo me obligimet dhe shpërblimet fetare.
Nuk ka dyshim, se për myslimanët e myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, adhuruesit dhe adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, All-llahu ka përgatitur falje mëkatesh dhe shpërblim të madhHipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve, All-llahu u ka përcaktuar zjarrin e xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë. Ai mjafton për ta. All-llahu i ka mallkuar ata dhe ata kanë dënim të pandërprerë“Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë, mashkull ose femër duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhenet dhe nuk u bëhet kurrfarë padrejtësie“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull apo femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirëedo t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyreNëse All-llahu i Lartësuar nuk i ka gjykuar të dy gjinitë me status dhe vlerë të barabartë, atëherë në Kuran nuk do të ishin bërë deklarata të tilla, të shprehura qartë, për barazinë e tyre në obligimet dhe shpërblimet fetare.
Në krahasim me çfarëdo privilegji, këto të drejta të grave bartin përgjegjësitë përkatëse. Nëse ajo kryen një kundravajtje civile, Kurani na tregon ne, se ndëshkimi i gruas nuk është as më pak e as më shumë, sesa i një burri në një rast të ngjashëm (5:41; 24:2). Nëse asaj i bëhet padrejtësi apo dëmtohet, asaj i jepet e drejta për kompensim tamam si një burri: “O ju që besuat! Nuk është e lejuar, për ju, të trashëgoni gratë në mënyrë të dhunshme, e as t’i shtrëngoni për t’u marrë diçka, nga ajo që u keni dhënë atyre, përveç nëse ato bëjnë ndonjë imoralitet të hapur. Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim, pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreniËshtë e qartë, se Kurani jo vetëm rekomandon, por madje insiston në barazinë e burrave dhe grave, si një karakteristikë themelore e një shoqërie kuranore. Pretendimi i kritikëve jomyslimanë. se Islami i denigron gratë, mohohet në mënyrë emfatike nga Kurani. Mohime të ngjashme janë edhe argumentet e të ashtuquajturve myslimanë, se gratë janë fetarisht, intelektualisht dhe etikisht inferiore kundrejt burrave, sikurse përmendej më herët në literaturat çifute dhe krishtere.
Tani le të marrim në konsideratë karakteristikën e dytë themelore të shoqërisë kuranore, e cila prek pozitën e grave. Kjo është mbështetur në direktivat për një shoqëri seks-duale, më mirë se sa një shoqëri uniseksuale. Ndërkohë, që mbron vlefshmërinë e vleftës së barabartë të burrit dhe gruas, Kur’ani nuk e gjykon këtë barazi, për të nënkuptuar ekuivalencën apo identitetin e sekseve.
Ka të ngjarë, që të gjithë ju jeni familjarizuar me lëvizjen bashkëkohore drejt uniseksualizimit të rrobave dhe këpucëve, të uniseksulizimit të stileve të argjendarisë dhe të flokëve, të uniseksualizimit të veprimeve dhe argëtimeve. Në fakt, në Amerikë shpesh është vështirë të vendosësh, nëse dikush duket si djalë apo si vajzë. Kjo rezulton prej mendimit të tashëm në shoqërinë perëndimore, se ekziston diferencë e vogël midis dy gjinive në dhuntitë fizike, intelektuale dhe emocionale dhe si rrjedhim nuk duhet të ekzistojë ndonjë diferencë në funksionet dhe rolet e tyre në shoqëri. Veshjet dhe veprimet janë veçse dëshmi sipërfaqësore e kësaj bindjeje më të thellë. E shoqëruar me një nënvlerësim të cilësive dhe roleve, që tradicionalisht e kanë shoqëruar gjininë femërore, ky mendim i përhapur ka gjeneruar një shoqëri uniseksuale, në të cilën vetëm roli i mashkullit respektohet dhe synohet. Megjithëse ka si qëllim të sjellë përmasa më të mëdha të barazisë për gratë, ideja se burrat dhe gratë janë jo vetëm të barabartë, por ekuivalentë dhe identikë, aktualisht i ka shtyrë gratë drejt imitimit të burrave, madje i ka shtyrë ato, që të përbuzin feminitetin e tyre. Kështu, po prodhohet një tip i ri i shovinizmit mashkullor. Presionet sociale të jashtëzakonshme, sollën si rezultat zhveshjen e grave prej rolit të tyre, prej përgjegjësive që më parë ishin kryer prej tyre dhe ato detyrohen të jetojnë një jetë pa personalitet dhe individualitet.
Përkundër kësaj kemi shoqërinë e bazuar në Kuran, e cila është një shoqëri seks-duale, në të cilën të dy gjinitë ngarkohen me përgjegjësitë e tyre të veçanta. Kjo siguron funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë, për të mirën e të gjithë anëtarëve të saj. Kjo ndarje e punës i ngarkon burrat me më tepër përgjegjësi ekonomike (2:233, 240; 4:34), ndërsa gratë, pritet ta luajnë rolin e tyre në mbajtjen dhe rritjen e fëmijëve (2:223; 7:189). Kurani, duke e njohur rëndësinë e këtij caktimi seksual plotësues të roleve dhe përgjegjësive, e lehtëson kërkesën më të madhe ekonomike të bërë mbi anëtarët meshkuj të popullsisë, duke u paracaktuar atyre një pjesë më të madhe sesa grave, në trashëgimi. Në të njëjtën kohë, ai u pohon grave të drejtën për t’u mirëmbajtur, në shkëmbim të kontributit të tyre për mirëqenien fizike dhe emocionale të familjes dhe për kujdesin që ato tregojnë për rritjen e fëmijëve. Ideologjia e unifikimit të seksit ngjall një marrëdhënie konkurruese midis gjinive, të cilën e gjejmë në Amerikë dhe e cila është shkatërrimtare për të gjithë anëtarët e shoqërisë: për të rinjtë, të vjetrit, fëmijët, prindërit, të pamartuarit, të martuarit, meshkujt dhe femrat. Përkundrazi shoqëria seks-duale është një zgjidhje më e natyrshme, kundrejt çështjeve të marrëdhënieve midis sekseve, duke inkurajuar më mirë bashkëpunimin, sesa konkurrencën midis gjinive. Kjo është një skemë, e cila është gjetur më e përshtatshme në shoqëritë e panumërta përgjatë historisë. Ideja e jo diferencimit apo identitetit seksual, arriti të spikasë vetëm kohëve të fundit dhe në këtë rast, në radhë të parë në shoqërinë perëndimore. Madje, dëshmitë mjekësore për ndryshimin mendor apo emocional midis sekseve ndalohen të botohen në hulumtimet perëndimore, sepse kërcënojnë prirjet mbizotëruese të mendimit. Ende nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë kjo lëvizje sociale shkatërrimtare, përpara se ajo të hidhet poshtë si e falimentuar. Por pa dyshim, ne si myslimanë duhet të jemi të vetëdijshëm për pasojat e mangëta dhe të rrezikshme të saj dhe ta bëjmë shoqërinë dhe rininë tonë të vetëdijshme për fatkeqësinë e shkaktuar prej saj.
Protagonistët e shoqërisë uniseksuale e kanë shpallur të pavlefshëm organizimin njerëzor seks-dual, duke thënë se ai është i rrezikshëm për mirëqenien e grave. Një situatë e tillë, mund të kishte lindur, nëse me seks-dual do të nënkuptohej, se njëri seks është më superior ndaj tjetrit. Por në shoqërinë e vërtetë kuranore, drejt së cilës ne aspirojmë të shkojmë, kjo nuk është e mundur. Ashtu sikurse e pamë më parë, Kurani mbështet në mënyrë mjaft elokuente statusin e barabartë të grave dhe burrave dhe në të njëjtën kohë ai pranon përgjithësisht ndryshimet e tyre përkatëse të natyrës dhe funksionit. Kështu Kurani nuk i konsideron kurrë dy sekset si identikë apo ekuivalentë, megjithëse pohon barazinë fetare, etike, intelektuale dhe ligjore të meshkujve dhe të femrave,.
III. Varësia e Ndërsjellë e Anëtarëve të Shoqërisë
Karakteristika e tretë e shoqërisë kuranore, e cila fuqimisht mbron të drejtat e grave, është këmbëngulëse, në varësinë e ndërsjellë të anëtarëve të shoqërisë. Përkundër prirjes bashkëkohore, për të theksuar të drejtat e individit në dëm të shoqërisë, në Kuran ne gjejmë në mënyrë të përsëritur theksimin e varësisë së ndërsjellë të burrit dhe gruas dhe gjithashtu të të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Burri dhe gruaja për shembull, përshkruhen si mbulojë (libes) të njëri- tjetrit (2:187) dhe si bashkëshortë, që jetojnë dhe banojnë në qetësi (33:21; shiko gjithashtu 7:189). Burri dhe gruaja janë dërguar, për të plotësuar njëri-tjetrin (9:71). Secilit i kërkohet, që të përmbushë përgjegjësitë e caktuara, që i janë ngarkuar për të mirën e të dyve dhe të mbarë shoqërisë.
Me qëllim të sigurimit të kësaj varësie të ndërsjellë, e cila është kështu e nevojshme për mirëqenien fizike dhe psikologjike, si të burrit ashtu edhe të gruas, Allahu përcakton në Kuranin e Shenjtë, detyra dhe obligime reciproke, apo të ndërsjella, të anëtarëve të ndryshëm të familjes – burrave dhe grave, baballarëve dhe nënave, fëmijëve dhe të mëdhenjve dhe lidhjeve fisnore të të gjitha shkallëve (17:23-26; 4:1, 7-12; 2:177; 8:41; 16:90; etj.). Kujdesi dhe shqetësimi për anëtarët e tjerë të shoqërisë është detyrë e barabartë për myslimanët: “Nuk është e tërë e mira, të ktheni fytyrat tuaja, nga lindja ose perëndimi, por, e mirë e vërtetë është ajo, e atij, që i beson Allahut, ditës së Gjykimit, engjëjve, librit, profetëve dhe pasurinë, që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve..Me anën e kësaj, Kurani fut tek myslimanët ndjenjën e një detyre dhe përgjegjësie ndaj shoqërisë. Kjo nuk duhet konsideruar apo përjetuar si ndrydhje e individit. Përkundrazi, myslimanët inkurajohen vazhdimisht në këtë varësi të ndërsjellë, për të përjetuar të mirat që ajo sjell. Dobitë ekonomike, sociale dhe fiziologjike të marrëdhënieve dhe përkujdesjeve të tilla të afërta brenda grupeve sociale sigurojnë më tepër sesa shpërblime të bollshme për individin, pasi fisnikërojnë aspiratat individuale të tij apo të saj. Anonimiteti dhe pamjaftueshmëria e ndërvartësisë sociale ndërmjet anëtarëve të shoqërisë bashkëkohore perëndimore, ka shkaktuar probleme shumë serioze. Vetmia, kujdesi i pamjaftueshëm për të moshuarit, përftimi i zbraztësisë, përqindja e lartë e vetëvrasjeve dhe krimi adoleshent, të gjitha këto mund ta kenë burimin tek dobësimi gjithnjë e më tepër, i përkeqësuar i varësisë së ndërsjellë sociale dhe mohimi i nevojës njerëzore për kujdes të ndërsjellë.
E gërshetuar familja e shtrirë në afërsi me varësinë e ndërsjellë është karakteristika e katërt themelore e shoqërisë kuranore, e cila shërben për të përmirësuar marrëdhëniet mashkull-femër. Ky është institucioni i familjes së shtrirë. Përveç anëtarëve të ngushtë, që përbëjnë familjen: nëna, babai dhe fëmijët e tyre, – familja islame apo a’ileh përfshin gjithashtu gjyshërit, xhaxhallarët, tezet, hallat dhe pasardhësit e tyre. Normalisht, familjet myslimane janë “ rezidencialisht të shtrira” – që do të thotë, se anëtarët e tyre jetojnë bashkarisht, me tre apo më tepër gjenerata të farefisit, në një ndërtesë të vetme apo të përbërë. Madje edhe kur ky version i banimit të familjes së zgjeruar nuk është i mundur apo nuk zbatohet, lidhjet familjare janë dukshëm lidhje të forta psikologjike, sociale, ekonomike dhe madje edhe politike, duke u shtrirë përtej njësisë bërthamë.
Solidariteti i familjes së shtrirë rekomandohet dhe fuqizohet prej Kuranit të Shenjtë, në të cilin ne gjejmë referenca të përsëritura për të drejtat e farefisnisë (17:23-26; 4:7-9; 8:41; 24:22; etj.) dhe rëndësinë e trajtimit të tyre me dashamirësi (2:83; 16:90; etj). Trashëgimia u ndahet jo vetëm anëtarëve të familjes më të ngushtë, por gjithashtu edhe atyre të familjes së zgjeruar, siç paracaktohet veçanërisht (2:180-182; 4:33,176). Kështu familja e zgjeruar e kulturës islame nuk është thjesht një produkt i kushteve sociale, por është një institucion i ankoruar në fjalën e vetë Zotit dhe i vendosur prej këshillave dhe rregullave të Tij.
Familja e zgjeruar është një institucion, i cili mund të sigurojë dobi të mrekullueshme, si për burrin ashtu edhe për gruan, kur ekziston së bashku me karakteristikat e tjera themelore të shoqërisë kuranore.
1. Ajo të mbron kundrejt egoizmit apo ekscentrizmit të ndonjë grupi, pasi individi përballet jo vetëm me një bashkëshort të vetëm, por me një familje të tërë të barabartësh, të moshuarish dhe fëmijësh, nëse ai apo ajo shkojnë “natyrisht”.
2. Ajo u mundëson grave të ndjekin karrierën, pa dëmtuar vetveten, bashkëshortin, fëmijët apo të moshuarit, pasi ekzistojnë gjithmonë të rritur të tjerë në shtëpi, për të ndihmuar punën e gruas apo nënës. Gratë e një familjeje të zgjeruar islame, të cilat ndjekin karrierën, nuk pësojnë asnjë ngarkesë të stërmundimit fizik dhe emocional e as nuk ndjehen fajtore për neglizhim të përgjegjësive amënore, bashkëshortore apo familjare. Në fakt, pa këtë lloj institucioni familjar, është e pamundur të imagjinosh ndonjë zgjidhje të arsyeshme për problemet, me të cilat përballet tani shoqëria perëndimore. Derisa një numër gjithnjë e më i madh grash po hyjnë në fuqinë punëtore, familja e ngushtë është e paaftë për të mbështetur nevojat e anëtarëve të saj. Vështirësitë në një familje të vetme prindërore janë sigurisht të zmadhuara njëqindfish. Sforcimi, që një sistem i tillë, pra familja, vendos mbi gruan e punësuar, është shkatërrim për individin dhe gjithashtu për martesën dhe lidhjet familjare. Shpërbërja e familjeve dhe degëzimet psikologjike dhe sociale të një përqindjeje të lartë divorcesh në Amerikë dhe shtete të tjera perëndimore (Në 1979, në Shtetet e Bashkuara, kundrejt 2.331.000 martesave që ishin bërë, 1.181.000 ishin divorcuar, sipas një almanaku të vitit 1983. Përqindja e divorceve rritet çdo vit), kanë bërë, që të rritet puna e doktorëve, juristëve, psikiatërve dhe sociologëve, natyrisht prej viktimave fatkeqe të këtyre fenomeneve.
3. Familja e zgjeruar siguron një shoqërizim të mjaftueshëm të fëmijëve. Këshilla e nënës apo babait, në një familje të ngushtë apo të vetme, mund të jetë e vështirë për t’u ndjekur prej një të pabinduri apo fëmije kokëfortë, por ndikimi i kombinuar i anëtarëve të një familje të fortë të zgjeruar, është i efektshëm kundër pabindshmërisë apo padëgjueshmërisë.
4. Familja e zgjeruar siguron shumëllojshmërinë psikologjike dhe sociale në bashkëshoqërim, si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët. Duke qenë se ekziston një varësi më e vogël në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, në secilin anëtar të familjes ekzistojnë kërkesa më të vogla emocionale. Një grindje apo përplasje midis të rriturve, fëmijëve apo personave të brezave të ndryshëm, nuk arrin përpjesëtimet e dëmtimit, që mund të arrihen në një familje të ngushtë. Ekzistojnë gjithmonë anëtarë të tjerë familjarë, që janë të gatshëm për të lehtësuar dhembjen dhe që sigurojnë këshillim terapeutik dhe shoqërimin. Madje, lidhja martesore nuk vendos sforcime shumë të mëdha, prej të cilave vuajnë familjet e ngushta.
5. Familja e zgjeruar, apo a’ileh mbron kundrejt zhvillimit të të çarave që përftohen. Ky problem social rezulton, kur secila grup-moshë bëhet e izoluar prej brezave të tjerë, kështu që gjen vështirësi në arritjen e suksesshme dhe ndërveprimin kuptimplotë me njerëzit e moshave të niveleve të ndryshme. Në a’ileh, tre apo më tepër breza, jetojnë së bashku dhe bashkëveprojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin. Kjo situatë siguron njohuri dobiprurëse dhe përvoja shoqërizimi për fëmijët dhe ndjenjën e nevojshme të sigurisë për brezat më të vjetër.
6. Familja apo a’ileh mënjanon problemin e vetmisë, i cili moleps banuesit e izoluar dhe anonimë, në qendrat urbane të shumë shoqërive bashkëkohore. Në një familje të zgjeruar islame, një grua e pamartuar, e divorcuar, apo e ve nuk do të vuajë kurrë problemet, me të cilat përballen gra të tilla, për shembull në shoqërinë amerikane bashkëkohore. Në një shoqëri kuranore, nuk ka nevojë për institucione komerciale llogaritëse të afatizuara, klube dhe bare të vetmuarish, apo për veçimin e qytetarëve të moshuar nëpër fshatra apo azile të pleqve. Nevojat sociale dhe psikologjike të individit, qoftë të mashkullit, ashtu edhe të femrës, janë të përfillura në një familje të zgjeruar.
Përderisa lidhjet martesore bëhen gjithnjë e më tepër të brishta në shoqërinë perëndimore, gratë priren të jenë viktimat kryesore të këtij ndryshimi. Ato janë më pak të afta sesa burrat, për të rikrijuar martesë apo lidhje të tjera dhe ato janë më të dëmtuara psikologjikisht prej këtyre humbjeve.
7. Familja e zgjeruar siguron një ndarje më të arsyeshme dhe më njerëzore të kujdesit për më të moshuarit. Në një familje të vetme të ngushtë, kujdesi për prindërit më të moshuar, apo prindërit e ndonjë prej bashkëshortëve, mund të bjerë plotësisht mbi një individ, zakonisht mbi nënën e familjes. Ajo duhet të marrë masat për një përkujdesje fizike shtesë, si edhe për mirëqenien emocionale të të moshuarve. Kjo është një barrë tepër e madhe mbi një grua, e cila ndoshta përveç kësaj i duhet të plotësojë edhe nevojat e fëmijëve dhe të burrit. Nëse ajo është një nënë e punësuar, ngarkesa mund të jetë e papërballueshme dhe më të moshuarit vendosen në azilet e pleqve, derisa t’u vijë vdekja. Me përgjegjësitë e shpërndara, që siguron familja e zgjeruar, ngarkesa normalisht lehtësohet.
Karakteristika e pestë themelore e një shoqërie kuranore është, se ajo është patriarkale. Në kundërshtim me synimet e Lëvizjes së çlirimit të Grave, Kurani fton për një shoqëri, e cila paracakton udhëheqjen themelore dhe rolin vendimmarrës të burrit në familje.
Çdo shoqëri është e përbërë prej organizimeve më të vogla të njerëzve – qeverive, partive politike, organizatave fetare, ndërmarrjeve tregtare, familjeve të zgjeruara e kështu në vazhdim. Secila nga këto organe ka nevojë të jetë e qëndrueshme, kohezive dhe e manovrueshme, në mënyrë që të jetë e dobishme për zgjedhësit e saj. Me qëllim që të përftojë këto karakteristika, organizimi duhet të caktojë përgjegjësitë për disa individë apo disa grupe, brenda radhëve të tij.
Si rrjedhim qytetarët mund të votojnë, parlamenti mund të nxjerrë ligje dhe policia mund ta imponojë ligjin, por në fund të fundit është kreu e shtetit, ai që mban përgjegjësinë e përpilimit të vendimeve kritike për shtetin, si edhe barrën apo miratimin përgjegjës për këto vendime. Në mënyrë të njëjtë puna e një fabrike drejtohet prej shumë individëve, por jo të gjithë ata janë njëlloj të aftë për marrjen e vendimeve përfundimtare të kompanisë. Jo çdo nëpunës është i ngarkuar njëlloj me përgjegjësi për suksesin apo dështimin e organizimit.
Familja ka nevojë gjithashtu për dikë, që të bartë barrën e përgjegjësisë themelore për të tërë. Kurani e ka paracaktuar këtë rol për anëtarin mashkull më të madh të familjes. Ky është ngarkimi patriarkal i fuqisë dhe përgjegjësisë, e cila nënkuptohet prej shprehjeve të tilla, si: “ue lirr-rrixhali ‘alejhinne derexhatun” (2:228), dhe “err-rixhalu kauuamune ‘ale’n-nisa’i…” (4:34). Në kundërshtim me paraqitjen, që kundërshtarët i kanë bërë Kuranit, këto fragmente nuk nënkuptojnë nënshtrimin e grave ndaj burrave, në një diktaturë të bazuar në gjini. Një interpretim i tillë tregon një mospërfillje flagrante të kërkesave të përsëritura të Kuranit për barazinë e gjinive dhe të urdhrit të tij, për të treguar respekt dhe mirësjellje ndaj grave. Fragmentet në fjalë tregojnë një mënyrë për shmangien e mosmarrëveshjeve të brendshme dhe pavendosmërisë, për të mirën e të gjithë anëtarëve të familjes. Ato mbështesin një shoqëri patriarkale.
Tërheqim vëmendjen në përdorimin e fjalës “kauuamun” në shpallje, “el-rixhalu kauuamune ‘ale’n-nisa’i…” (4:34). Pa dyshim, folja “kuuema”, prej së cilës rrjedh emri foljor “kauuamun”, nuk nënkupton mbizotërim despotik. Përkundrazi, termi i referohet atij, i cili i qëndron në krah tjetrit (prej kama, “me qëndru”), në një mënyrë mbrojtëse dhe mirëdashëse. Nëse do të bëhej fjalë për një rol autokratik apo dominues, për gjysmën e meshkujve të shoqërisë, atëherë ekzistojnë shumë prejardhje foljore të tjera, të cilat do të kishin qenë më të zbatueshme, si për shembull: “musejtirun” dhe “muhejminun”. Shembuj të tjerë, të përdorimit kuranor, të termit “kauuemun”, e përforcojnë më mirë këtë mbështetje, se sa domethënien autoritare apo tiranike të termit ( shiko 4:127-135: 5:9). Atribuimi i një kuptimi tjetër për fragmentin në fjalë është si rrjedhim ideologjikisht, jokonsekuent, si edhe gjuhësisht i pambështetur.
Përse Kurani specifikoi më mirë udhëheqje mashkullore për a’ileh, siç është një familje patriarkale, se sa një organizim matriarkal? Kurani i përgjigjet kësaj pyetje si më poshtë: “Burrat janë përgjegjës për gratë, sepse Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerë dhe, ngase, ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyreKontributet dhe përgjegjësitë fizike dhe ekonomike janë, si rrjedhim arsyet kuranore për propozimin e një shoqërie patriarkale, më mirë se sa të një shoqërie matriarkale.
Disa perëndimorë të ballafaquar me problemet e shoqërisë bashkëkohore, kanë filluar të bëjnë pyetje të tilla si: Ku mund të drejtohemi për ndihmë? Çfarë mund të bëjmë ne përballë dekompozimit të tashëm social? Kjo është një kohë dëshpërimi dhe kërkimi, pasi shoqëria perëndimore po tronditet nën goditjet e vazhdueshme, gjithnjë në rritje, të çorientimit personal dhe shpërbërjes shoqërore.
Çfarë mund të bëjmë ne si myslimanë për t’i ndihmuar? Para së gjithash, ne duhet të ngremë shoqëri të vërteta kuranore, anembanë botës Myslimane. Pa këtë, ne nuk mund të vendosim përshtatje të drejta dhe të qëndrueshme për bashkëveprim të burrave dhe grave në shoqëri. Përveç kësaj, ne nuk do të mund të krijojmë tek gjeneratat, që do të vijnë, respekt dhe besnikëri ndaj shoqërive tona dhe institucioneve të tyre shoqëruese, nëse shoqëritë pseudo-islame janë të vetmet, që ne mund të ngremë dhe të mbështesim. Mënyrat apo institucionet pseudo-islame, janë në të vërtetë anti-islame; janë një model, i cili nuk mund të respektohet dhe që i është bashkangjitur etiketimi i “Islamit”. Në mendjen e shumë myslimanëve, si edhe të jomyslimanëve, kjo bën që përgjegjësia e të metave të institucioneve, t’i transferohen gabimisht vetë Islamit.
Ne duhet t’i edukojmë myslimanët tanë – dhe veçanërisht të rinjtë, pasi ata janë udhëheqësit e së nesërmes – me nderim ndaj rëndësisë dhe jetëgjatësisë të traditave kuranore, në lidhje me gruan, familjen dhe shoqërinë. Edhe përkundër dështimit të modeli të alternativës sociale bashkëkohore perëndimore, disa myslimanë duket sikur lakmojnë damkën perëndimore të barazisë seksuale, idetë e tij të uniseksualizimit, mënyrat e tij të sjelljes, mbivlerësimin e individualizmit apo lirisë personale ndaj përgjegjësisë dhe sistemin e ngushtë familjar. Ne duhet t’i kuptojmë rreziqet, të cilat shoqërojnë ide dhe praktika të tilla sociale. Nëse kuptimet e këtyre ideve dhe praktikave nuk vihen në dukje dhe nuk luftohen, atëherë na pret një e ardhme fatkeqe dhe rrënuese, pasi eksperimente te tilla sociale, janë të destinuara të dështojnë, në fund të fundit.
Por sidoqoftë, ky nuk është një reagim i mjaftueshëm për ne si myslimanë. Si mëkëmbës të Allahut në tokë (2:30), është detyra jonë, që të shqetësohemi rreth të tërë botës dhe të gjithë krijesave të Zotit. Në dritën e urdhrit, për të përhapur vullnetin e Allahut në çdo skaj të botës, ne duhet të mundohemi, që t`ju ofrojm të tjerëve të drejtën që ne e njohim. Është koha që Islami dhe myslimanët të paraqesin zgjidhjet e tyre të problemeve të shoqërisë bashkëkohore, jo vetëm për audiencën myslimane, por gjithashtu edhe për audiencën jomyslimane. Kjo mund dhe duhet bërë, përmes shembullit të gjallë të shoqërive të vërteta kuranore, në të cilat problemet e burrave dhe grave janë të zgjidhura. Kjo gjithashtu bëhet nga studiuesit tanë nëpërmjet shkrimeve informative dhe diskutimeve, të cilat mund të realizohen si me myslimanët, po ashtu edhe me jomyslimanët.
Nuk gjendet rrugë më e mirë, për t’i shërbyer vullnetit të Allahut dhe tërë njerëzimit. Nuk ka da’vet më të mirë, se sa ofrimi i një dore ndihmëse ndaj viktimave të goditura në shoqërinë bashkëkohore.
Përktheu nga anglishtja
* Luiz Lamie el-Faruku, e mori titullin e saj të doktoraturës për studimet islame, në Universitetin e Sirakuzës. Ajo ishte profesoreshë në Universitetin Batler, në Universitetin e Pensilvanisë, në Universitetin Uilianova dhe në Universitetin Tempël. Publikimet e saj përfshijnë: ‘Islami dhe Arti’, dhe’ Atlasi Kulturor i Islamit’, në të cilat, ajo është bashkëautore me burrin e saj, Ismail Raxhi Farukun. Ajo u vra në shtëpinë e saj së bashku me burrin e saj, më 30 maj 1986.
Përgjithësisht, kur ne flasim për gratë në Islam, kjo rrallë shkon përtej një numri të vogël klishesh, që nuk vlerësojnë si duhet as gratë, as Islamin. Akoma më keq, qëndrimi është ose shovinist ose qasje e shtrembëruar. Profesoreshë Luiz Lamie el-Faruku, jo vetëm që solli njohuri të thellë për këtë temë, por ajo gjithashtu i shtoi një nuancë femërore kësaj teme. Ky kombinimi i shërbeu plotësisht temës së saj. Me një mendje zhbiruese, ajo ndoqi problemin e grave brenda kornizës islame – as shfajësuese, as polemizuese, as e ngurtë as e lëkundshme: tamam e përveçme – vulë e vërtetë e diturisë islame.
** Kjo ese, është një prej pesë eseve, që përbëjnë librin e saj të titulluar : “Women, Muslim Society and Islam”, (”Gratë, Shoqëria Myslimane dhe Islami”), botuar pas vdekjes së saj, më1991, në Indianopolis të ShBA-ve, me iniciativën e Shoqatës së Studentëve Myslimanë, të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, të cilët kanë parë tek ajo, jo vetëm figurën e një mësueseje, por edhe figurën e një nëne. .

Kreu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version