PYETJA: Unë kam vendosur këtë vit ta bëj haxhin, por në bazë të datave që i kam konsultuar përkitazi me udhëtimin, mendoj se para se të nisemi do ta kem kohën e menstruacioneve dhe tavafi i fundit mund të më mbes pa bërë. Si të veproj nëse më vijnë menstruacionet para se ta bëjë tavafin e fundit?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA:
Së pari e lus Allahun ta pranojë haxhin prej atyre të cilët e kanë bërë dhe t’ua mundësojë ta bëjnë haxhin atyre të cilët ende nuk e kanë bërë.
Në rastin konkret, pra kur gruaja e ka kohen e menstruacioneve mu në atë afat kohor kur kryhet haxhi, ka mundësi që të përdor tableta të cilat i ndalojnë menstruacionet, me qëllim që të jetë më e lirë dhe mos ketë frikë se do t’i ngel diçka pa bërë. Normalisht, kjo vlen nëse nuk ka pasoja për shëndetin e gruas.
Përndryshe, gruaja mund edhe mos të përdor tableta për ndërprerjen e menstruacioneve, e nëse i vjen menstruacionet para tavafit të fundit, gjegjësisht tavafit veda-të lamtumirës, ajo nuk obligohet me këtë tavaf. Pra, ky tavaf bie nga ajo dhe nuk ka obligim të kompenzimit. Ajo do të niset me grupin dhe haxhin e ka tamam inshallah, edhe pse nuk e ka bërë tavafin veda, ngase ka patur një shkak të fortëqë e ka ndaluar nga ky tavaf. Pastaj, duhet ditur se ky tavaf nuk është farz apo konditë e haxhit, ashtu që nuk dëmtohet haxhi seriozisht nga lënia e këtij tavafi.
Normalisht, besimtari apo besimtareja që nuk ka pengesa, nuk bën ta lënë këtë tavaf, ngase me këtë do të lëshonin mirësi të mëdha nga dora e tyre.
Allahu e di më së miri.