Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski njoftoi në tribunën e mbrëmshme në Ohër  se vendimi i seancës së fundit qeveritare është punësimi në sektorin shtetëror i 300 personave me nevoja të veçanta dhe me handikap të ndryshëm. Qeveria, theksoi ai, u mbeti konsekuente premtimeve të dhëna para qytetarëve, për zbatimin e reformave, vazhdimisht bën diçka të re për zgjidhjen e problemeve.
“Mbetëm konsekuentë, në këtë vazhduam, madje edhe e përforcuam tempon me të cilën filluam, tha Gruevski, duke shtuar se shumë prej problemeve janë zgjidhur dhe shumë projekte janë realizuar në këto shtatë vite qeverisje. Kujdesi për pensionistët, sipas Gruevskit, është pjesë e pashkëputur e punës së kësaj Qeverie.
Ai theksoi se pensionet janë rritur për 35 për qind dhe përkujtoi për rritjen prej pesë për qind e paralajmëruar nga marsi i vitit të ardhshëm. Përmendi se paralelisht me pensionet rritej edhe asistenca sociale, ndërsa u ndihmoi edhe me lirimin nga taksa e ndryshme të pranuesve të asistencës sociale. Ai e theksoi faktin se krahas krizave të mëdha ekonomike, asaj evropiane dhe botërore, papunësia është zvogëluar prej 38 në 28 për qind që, siç tha, nuk ndodhi në asnjë vend evropian ku rritej papunësia.
“Po të mos ishte kriza, jam i sigurt se papunësia do të ishte për edhe 10 për qind më e vogël, me këto politika ekonomike të cilat jemi duke i zbatuar me siguri do të ishte 16, 17, 18 për qind”, tha kryeministri Gruevski.
Kryeministri Gruevski nënvizoi se Qeveria ka mbetur konsekuente edhe në angazhimet për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore dhe kujdesin për ta, si dhe plotësimin e kritereve për hyrje në NATO dhe Bashkimin Evropian.