Categories
Lajme FRI

Gurbetçinjë dhe të suksesshëm

KF Liria Kopenhagen ngjitet në Serie 2
Shqiptarët historikisht janë konfirmuar si gurbetçinjë të zellshëm, por tani më disa vite me radhë tregohen të suksesshëm edhe në sfera tjera të jetës. Sporti është ambasadori më i mirë i një populli dhe pasi që futbolli është sporti numër një në botë, rrjedhimisht mbetet si drejtimi më i popullarizuar për të kërkuar suksesin. Dhe një grup gurbetçinjësh, entuziastë dhe dashamirë të sportit tani më vite me rradhë mbajnë në funksionim Klubin e Futbollit Liria, që graviton në Danimarkë, më saktësisht në Kopenhagen, por që ka në përbërje kryesisht atdhetarë nga Dobroshti i Maqedonisë. Për historinë dhe traditën e kësaj skuadre kemi shkruar në të kaluarën, ndërsa arsyeja e këtij teksti është suksesi më i ri i kësaj skuadre.
KF Liria këtë vit arrin suksesin më të madh në historikun e vet, duke arritur që të ngjitet një kategori më lartë, gjegjësisht në Serie 2. Liria këtë sezon dominoi Serie 3, në 20 ndeshje të zhvilluara shënoi 16-të fitore, 1 barazim dhe vetëm 3 disfata, me 92 gola kishte bindshëm sulmin më të mirë në ligë, ndërsa pranoi 34 gola. Liria me 49 pikë të tubuara u ndal në vendin e dytë, me vetëm një pikë më pak se skuadra LSF, por bashkarisht të dy ekipet u ngjitën në Serie 2. Trajnerët Bashkim Ziberi dhe Argjent Emini bënë një punë të shkëlqyeshme, duke drejtuar ekipin në sukses pas suksesi dhe puna e tyre në fund kurorëzohet me avansim një kategori më lartë.
“Ky është sukses i madh i klubit Liria dhe ne jemi shumë të lumtur dhe krenar që jemi pjesë e këtij suksesi. Kjo skuadër ka traditë të madhe, ka patur shumë investim për këtë ekip dhe tani jemi të lumtur që mundi jonë kurorëzohet me ngjitje në Serie 2”,  deklaroi anëtari i kryesisë, njëherit edhe zëdhënësi i KF Liria, Mahi Hishmani, para se të vijojë. “Për momentin i gëzohemi suksesit të arritur, mirëpo që tani jemi të bindur për mos me u ndal këtu. Përkundrazi synojmë të vazhdojmë me suksese dhe qëllimi i rradhës është ngjitja në Serie 1. Nuk duam të kemi vetëm episod në këtë kategori dhe për të kërkuar ngjitjen e vazhdueshme që në mbyllje të sezonit kemi siguruar tre përforcime të reja”, thotë Hishmani.
Suksesi i Lirisë vërtet është i madh dhe fakti që skuadra përbëhet kryesisht nga futbollistë shqiptarë e rrit këtë arritje. Për të mos ardhur në paqartësi në lidhje me rangun e garave ku Liria është kualifikuar, zëdhënësi Hishmani jep sqarim të detajuar. “Atëherë shkojmë me rradhë të sqarojmë gjërat. Këtu futbolli fillon nga Serie 6, që në fakt me radhë i vjen kategoria e 11. D.m.th. ne kemi luajtur në Serie 3 që don të thotë kategoria e tetë. Tani jemi ngjitur në Serie 2, pra kategoria e 7, ndërsa synojmë Serie 1, d.m.th. kategorinë e gjashtë. Sa për të sqaruar më lartë pasojnë kategoria e pestë që quhet ‘Jyllandsserie’, pastaj ‘Higher division’ është kategoria e 4. Pra kreu është ‘Superligaen’, tani vjen kategoria e dytë ‘1st division’ dhe kategoria e tretë ‘2nd Division’ dhe pasojnë më pas nga kategoria e katërt ‘Denmark Series’ e kështu me rradhë si që përmendëm më lartë”, tha Hishmani, i cili për fund shtoi. “Dua të falemenderoj gjithë ata që dhanë kontribut në këtë sukses të madh të Lirisë. Falemenderoj sponsorët, futbollistët, kryesinë, publikun dhe mediat që na përcollën gjatë gjithë kohës. Shpresoj që në të ardhmen të arrijmë suksese të reja dhe së bashku të kemi momente tjera gëzimi”, përfundoi zëdhënësi i Liria FK, Mahi Hishmani. /Alsat-M/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version