Categories
Lajme FRI

Hafizët tanë gjatë kohës

Hafiz Abdylaziz ef.Myderrizi (1853 – 1917)

 U lind në Krushevë të trevës së Gorës në vitin 1853. Qysh në fëmijëri, babai i tij, Zejnelabidini u shpërngul së bashku me familjen e tij në Prizren dhe u vendosen me shtëpi afër xhamisë së Mehmed Pashës(Bajraklisë).
Pas kryerjes së medresesë dhe marrjes së ixhazetnames (diplomës) nga myderrizi  i shquar i kohës Ismailhaki ef. Manastiri, shkoi për studime të mëtutjeshme në Stamboll, me ç’rast pas kryerjes së studimeve në Stamboll caktohet në detyrë imam në Bursë, ku pas një kohe të shkurtër për arsye se ishte një alim (dijetar) jashtëzakonisht i shquar u transferua në Stamboll me porosinë e dijetarëve të asaj kohe, sepse ai e kishte  vendin në Stamboll. Por,  babai i tij e kishte porositë djalin para se të shkonte në studime, me  fjalë: “Të kam dërguar për studime në Stamboll, për të kryer studimet dhe për t’u kthyer për t’i shërbyer vendit tënd ku ke lindur.”
Hfz.Abdylaziz efendiu kthehet në Prizren,  i bindet  babait të tij, edhe pse ulemaja e Stambollit kategorikisht e kanë kundërshtuar këtë vendim të tij. Pas kthimit në Prizren  caktohet myderrizit i medresesë së Mehmed Pashës. Abdylaziz efendiu ishte dijetari dhe personaliteti më i shquar në tërë rrethinën e Prizrenit. Ishte bashkëmendimtar  dhe mik i ngushtë i myderriz  haxhi Ymer ef. Prizrenit,  udhëheqësit të Lidhjes së Prizrenit (1878-1881). Pas zgjedhjes së haxhi Ymer ef. Prizrenit deputet në Kuvendin  Osman në vitin 1877,  me propozimin e tij emërohet për myderriz të kësaj medreseje  hafiz Abdylaziz efendiun, i cili  shërbeu në këtë detyrë gjer në  vitin 1917.
Te ky myderriz i shquar kanë marrë ixhazetnamen(diplomën)  shumë  talebe (nxënës) nga trojet e ndryshme shqiptare. Për shkak të aftësisë së jashtëzakonshme dhe dijes që posedonte, drejtësisë që e ka zbatuar, ka qenë i kërcënuar edhe  me vdekje nga njerëz të ligë.
Me ndihmën e Zotit, i ka shpëtuar dy herë atentateve. Meqë të dy atentatet kanë dështuar, atentatori i ka kthyer lirat e dhuruara nga porositësi i atentatit dhe ka deklaruar: “Sapo e kam marrë në nishan, për të gjuajtur atë, para mauzerit(lloji i pushkës në atë kohë) në vend të hfz.Abdylaziz efendiut më është paraqitur  hija e luanit, dhe  nuk kisha forcë e guxim të shkrep pushkën”.
Hfz. Abdylaziz efendiu ndëroi jetë në vitin 1917 dhe u varros në Prizren. Në kujtim të tij, haxhi Ymer Lutfi ef. Paçarizi ka shkruar dy kronograme në gjuhën osmane në varrin  e tij. Hfz.Abdylazizi në martesë me zonjën Emine ka lënë dy vajza, Salihan dhe Fadilen, si edhe dy djem Maxhidin dhe Azizin. Maxhidi dhe Azizi së bashku me nënën e tyre Eminen në vitin 1957 u shpërngulën në Turqi.
Faik MIFTARI
Miftari,Faik ”Hafizët e Prizrenit me rrethinë(1912-2012)”, Prizren, 2012

Exit mobile version