Duke parë kushtet që po ofrohen për edukim pa pagesë dhe pa e lëshuar fare karrigen e kompjuterit, mos-edukimi tani më është thjesht një zgjedhje personale. Universitetet më të mira të botës si MIT, Harvard, Yale, Berkeley etj., tashmë publikojnë ligjëratat e mbajtura në internet dhe mundësojnë qasje të lirë për të gjithë, pa pasur nevojë që të jeni i pranuar në këto universitete dhe frytet e punës së tyre janë të shumta, ku për njerëz të ndryshëm këto materiale dhe resurse kanë qenë mjaft të dobishme. Kurse të shumta online që janë në dispozicion për të gjithë ofrojnë pjesëmarrje të pakufizuar dhe qasje të hapur nga të gjitha vendet e botës dhe tashmë një nismë e tillë është përgatitur edhe në shqip nga kompania me seli në Uashington, Real Visualz. Kjo kompani ka filluar të ofrojë disa kurse online dhe fton të gjithë komunitetin shqiptar, universitetet, kolegjet, profesorët, asistentët e studentët që t’i bashkohen kësaj nisme për të ofruar edukim cilësor dhe për të mundësuar ndjekje të lehtë të shkollimit të lartë universitar.
Përveç të tjerash, institucionet që i bashkohen kësaj nisme do të mund të ndihmojnë në ofrimin e metodave cilësore të mësimdhënies dhe do të kenë mundësi që ta vendosin logon e institutit në faqen e nismës, almooc.com. Deri më tani, në këtë faqe thuhet që janë më tepër se 7 mijë studentë nga e mbarë bota. Si dhe profesorët që do të ofronin mësimet e tyre mund të promovojnë aftësitë e tyre, të cilat do të mund të vëreheshin nga kompanitë lokale e rajonale. Deri më tani janë disa ligjërata në faqen almooc.com në gjuhën shqipe, në lëndët matematikë, gjuhë angleze dhe programim, por do të planifikohet të bëhet rritja e resurseve.
Përveç ligjëratave, studentët nëpërmjet kurseve të tilla që ofrohen online do t’iu duhet që të angazhohen në kryerjen e detyrave, do të duhej t’iu nënshtrohen testimeve, për të rritur efikasitetin e të mësuarit dhe për të rritur bashkëpunimin profesor-student, duke mos pasur nevojë që fizikisht të jenë në afërsi, por thjesht duke përdorur smartfonë, kompjuterë apo tabletë. Të gjitha institucionet universitare për këtë kurs masiv të hapur online mund të aplikojnë përmes faqes almooc.com, që përveç të tjerash do të mund të kontribuonte në përmirësim të cilësisë së jetesës së rinisë shqipfolëse. (PCWorld Albanian)
Categories