Në ambientet e Pallatit të Rinisë e të Sporteve të hënën u hap Panairi i Librit “Prishtina 2013”. Ky është edicioni i 15-të i këtij manifestimi më të madh kushtuar librit në vendin tonë. Ai do të jetë i hapur deri më 9 qershor. Mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora do të prezantojnë përveç botimeve të viteve më të hershme, edhe mbi 1300 tituj të rinj. Kompania Koha në këtë panair do të nxjerr 15 tituj të rinj, duke u radhitur kështu ndër botuesit e mëdhenj të librit shqip.
Në këtë panair sivjet për herë të parë do të prezantohet edhe libri elektronik, një e arritur që edhe librin e fut në rrjedhat e epokës elektronike.
Siç ka bërë të ditur Besian Zenelaj, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve, që organizon këtë panair, ky manifestim për librinë sivjet ka disa veçanti, sepse shënon 100-vjetorin e lindjes së Petro Markos , 100-vjetorin e lindjes së Vedat Kokonës, 100-vjetorin e lindjes së Isuf Luzajt, 90-vjetorin e lindjes së Jakov Xoxes, 90-vjetorin e lindjes së Vehap Shitës dhe 30-vjetorin e vdekjes së Musine Kokalarit. (koha ditore)
Categories