Gjendja ekonomike e popullatës në Maqedoni paraqet një problem tepër të rëndësishëm dhe alarmues duke pasur parasysh  të dhënat e Entit Shtetëror Statistikor por edhe situatën reale në teren.
Sipas raporteve të fundit nga enti statistikor rroga mesatare në Maqedoni sillet rreth 21.000 denarë në muaj ndërkohë që shporta e konsumatorit sipas deklaratave të qytetarëve për një familje 4 antarëshe tejkalon këtë vlerë.
Rritja e vazhdueshme e kostos së gjërave vitale për jetesë të cilat nuk përputhen me rritjen e pagave e bën të pamundur përballimin e situatës.
Duke pasur parasysh situatën reale në teren, metodologjia e llogaritjes së rrogës mesatare nga ana e Entit Statistikor lenë shumë hapësirë për të dyshuar, kur kemi parasysh të dhënat e tjera ku thuhet se në Maqedoni rroga më e ulët është 5000 denarë e më e larta 15 mijë denarë.
Qytetarët shprehen tepër të zhgënjyer nga realiteti që po jetojnë, ata thonë se është shumë e vështirë të dilet deri në fund të muajit dhe atë vetëm me ushqime dhe nevoja elementare për jetë dhe jo me lukse të tepruara ose diçka të ngjashme.
“Unë jam kryefamiljar i një familjeje pesë antarëshe, në familjen time vetëm unë jam i punësuar dhe atë në një kompani të sektorit privat ku mesatarisht paguhem rreth 15 mijë denarë në muaj. Tani, sipas ESHS shporta e konsumatorit për një muaj kap vlerën e 12 mijë denarëve,gjë kjo që nuk është e vërtetë, por ja të themi që është. Un jam vet i pesti në familje, 3 fëmijët i kam në shkollë ndërsa bashkëshortja ime nuk punon pasi kujdeset për shtëpinë. Më thoni ju si mund tja dal unë me ushqime, veshmbathje dhe shkollim për fëmijët e mijë. Po rryma elektrike uji dhe telefoni ?” shprehet B. K nga qyteti i Shkupit.
“Nuk ka logjikë kjo që po ndodh tek ne, gjithçka po rritet përveç rrogave, çmimet e produkteve ushqimore rriten, tekstilet poashtu, ndërkohë që numri i të papunëve është gjithmonë e më i lartë. Ajo që është më e keqe është se këtu nuk ka gjasa për përmirësimin e situatës, nuk shohim ndonjë opsion që mund ta rregulloj gjendjen, investime nuk ka siguri nuk ka, asgjë nuk ka. Unë punoj në dy vende dhe arrij të siguroj të ardhura rreth 20 mijë denarë në muaj por kjo nuk mjafton për familjen time katër antarëshe. Regjistrimi i vajzës në fakultet kushton, rryma vjen çdo muaj mbi 3 mijë denarë, po ushqimi, uji, paguajmë për mbeturinat dhe ne nuk e dimë si ja dalim deri në fund” shprehet Nehati nga Shkupi.
Me pagë mesatare nga të cilat 330 euro në nivelin e shtetit, populli Maqedonas gjendet mes punëtorëve më pak të paguar në Evropë. Statistika tregon se  rreth pesë maqedonas shpenzojnë sa një evropian./Portalb