Hashim Thaçi ia këputi përfundimisht “ymydin” Ramush Haradinajt që të jetë në krye të qeverisë. Entuziazmi i Haradinajt që të rikthehet në politikë si kryeministër u shua të hënën në takimin e “sabahit” që kanë zhvilluar dy liderët politikë larg medieve.
Gjithçka, “ra në ujë” e pazari u prish teksa diskutohej për ndarjen e “kulaçit” se kush duhet të qeverisë vendin. Koalicioni i shumëpërfolur pas disa javësh negociatash dështoi pas ofertës së Thaçit që partia e Haradinajt ta marrë një post të zëvendëskryeministrit dhe tri dikastere qeveritare, e cila u refuzua menjëherë nga kreu i AAK-së.
Se Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj nuk janë marrë vesh për modalitetet e bashkëqeverisjes, kjo është konfirmuar të hënën nga dy partitë politike. Vetë kryeministri ka konfirmuar se me Haradinajn nuk ka arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur, por, sipas tij, janë pajtuar që të punohet në hapat e tjerë që janë në interes të vendit.
“Sot kemi pasur një takim jashtëzakonisht miqësor me zotërinë Haradinaj, me të cilin jemi dakorduar që të punojmë në çështje të përbashkëta të interesit shtetëror, ndërsa hapat e tjerë të mëtutjeshëm do të ndërmarrim në bazë të kushteve dhe rrethanave të reja politike”, ka thënë Thaçi.
E Haradinaj, i cili publikisht ka shfaqur dëshirë që të jetë në krye të qeverisë, gjatë ditës së hënë nuk ka thirrur asnjë konferencë me gazetarë. Megjithatë, e para që ka konfirmuar se dy partitë e dala nga lufta e UÇK-së nuk kanë arritur marrëveshje për të bashkëqeverisur, ka qenë AAK-ja.
Në komunikatën e kësaj partie thuhet se “pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme”.
Megjithatë, partia që udhëhiqet nga Haradinaj edhe pse definitivisht ka mbetur në opozitë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ka shfaqur gatishmërinë se do të ofrojë kontributin e saj në adresimin e çështjeve të interesit shtetëror, siç është dialogu në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.
“Si parti opozitare, AAK do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën, për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjate politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim zyrtar të AAK-së.
Ndërkohë, lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili është partner në koalicion qeverisës, i pyetur nga gazetarët se ndihet më i relaksuar pas dështimit të marrëveshjes PDK-AAK për bashkëqeverisje, tha se gjithmonë ka qenë i relaksuar.
“Nga fillimi, personalisht kam qenë i relaksuar. Asnjëherë nuk kam ndërhyrë në biseda të spekulimeve. Ju kam thënë se AKR-ja nuk është alergjike të punojë me çdokënd që punon për të mirën e këtij vendi dhe qytetari të Kosovës. Kështu që asgjë nuk ka ndryshuar”, ka thënë Pacolli, i cili shprehu përkushtimin e tij që të punojë edhe gjatë kësaj periudhe të mbetur deri në mbajtjen e zgjedhjeve të tjera.
Ndërkohë, partitë politike të spektrit opozitar, koalicionin e shumëpërfolur në mes PDK-së dhe AAK e konsiderojnë më shumë si “lojë” të Thaçit. Ata madje, theksojnë se ka qenë e pritshme se nuk do të ketë pajtim në mes dy partive politike.
“Ne nga fillimi nuk iu kemi besuar shumëpërfoljeve të tilla për një koalicion të mundshëm në mes PDK-së dhe AAK-së. Është shumë e drejtë që secili prej nesh ta marrë mandatin pas proceseve zgjedhore, sepse kjo tregon fuqinë reale”, ka thënë Ismet Beqiri i LDK-së.
Megjithatë, dështimin për formimin e një koalicioni në mes dy partive të luftës, ai nuk e sheh si përforcim të opozitës për vendimet që merren në Kuvendin e Kosovës. Beqiri me këtë rast ka ironizuar qeverisjen e kryeministrit Thaçi duke thënë se “kjo qeveri është e rrëzume dhe e shtrime për tokë”.
Ndërkaq, Visar Ymeri i “Vetëvendosjes”, tha se ata që flasin kundër politikave të Qeverisë së Kosovës, duhet të veprojnë si të tillë.
Megjithatë, analisti politik Nexhmednin Spahiu tha se “loja e kryeministrit Thaçi me AAK ka qenë vetëm një trik i radhës për ta vënë në grackë oponentin e tij, duke ia humbur momentumin politik Ramush Haradinajt. E joshi me mundësinë e hyrjes në koalicion dhe ia dogji momentumin në momentin që zbriti në tepihun e kuç në Aeroportin e Prishtinës pas kthimit triumfal nga Haga. E gjithë kjo doli të jetë blof i Thaçit me mundësinë e hyrjes në koalicion”, tha Spahiu. /zeri/
EDITOR
12 years ago
previous article
Bayern, akord me Lewandowski
next article
Tani vjen stilolapsi që u tregon kur shkruani gabim
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
12 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
12 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago