“O ju njerëz! U është bërë obligim haxhillëku, kryejeni atë. Një njëri i tha: a për çdo vit? Sikur të thosha po, do t’u obligohet dhe nuk do të mundnit ta kryenit” – Hadith:Muslimi
Shkruan: Avni Tafili
O ju, që vetes musliman i thoni! Po thirreni të përcaktoheni: doni Amshim në Lumturi, apo doni t’ju tradhtoj vetvetja e t’ju lë në agoni të pritjes, derisa t’ju rrëmbejë meleku i vdekjes, e të pendohesh, e të jetë vonë! Ke ushqim përderisa të jesh në Haxh? Shko në Haxh!
Të përgjigjem o Allah! Ty të përgjigjem!
O Allah! Sa i Mëshirshëm që Je! Ti neve na e dëshiron Xhennetin! E lum kush e përjeton mëshirën Tënde. Ti na bëre ftesë, që ne t’i shijojmë gjurmët, argumentet, e të përjetojmë atë që zemrat tona ende janë të pabindura për të, e që mendjet tona të zhvishen nga të menduarit të menduar idhujtarësh, e shpirtrat tanë të pastrohen nga papastërtia e papastërtisë së vetvetes sonë, kur epshi dhe dunjaja nget!
Haxhi, e ç’dimë vallë për këtë akt e ritual madhështor! O sa pak që dimë! Pra, dije o musliman i dashur, që Haxhit ia ke mësy, ke një ftesë, ftesë për të përjetuar! Vallë, a je përgatitë! Ftesa është për të përjetuar Xhennetin, para se dunjaja të të mashtrojë! Ti që ke vendosur në Haxh të shkosh, dije se, je i mëshiruari! T’i bindesh premtimit të Zotit tënd, premtim që nuk thyhet kurrë, se ai, që i përgjigjet Allahut, i është përgjigj thirrjes, shpresës së fundit, për të hyrë në Xhennet! Në Kënaqësinë e Allahut! O sa shpërblim, o sa fitim, o sa ngadhënjim i madh që është!!!
O zemra ende të pabindura plotësisht, o shpirtra ende të paqeta, o mendje ende të dalldisura, mësyjani Haxhit! Thirrje e fundit për ty! Përgjigju, se pasha Atë që krijoi dhe e përsosi, dhe mëshiroi, do të fitosh e s’do të humbasësh, e ti ngadhënjimtar mbi dunjanë do të dalësh! Mos pëshpërit: Haxhin e mësyjnë të moshuarit, të martuarit, të pasurit, të qetët, të rehatuarit. Jo, kurrsesi jo! Në Haxh shkon kush Zot ka Allahun, kush beson në Ditën e Fundit, kush frikë ka vdekjen, vdekje e atyre që kur vdesin, shpirtrat u rrëmbehen! Gjithsesi, Haxhin vërtetë e mësyjnë besimtarët!
O ju njerëz, që vetes musliman i thoni! Po thirreni të përcaktoheni: doni Amshim në Lumturi, apo doni t’ju tradhtoj vetvetja e t’ju lë në agoni të pritjes, derisa t’ju rrëmbejë meleku i vdekjes, e të pendohesh, e të jetë vonë! Ke ushqim përderisa të jesh në Haxh? Shko në Haxh! Ke mundësi të mbledhësh para deri në kohën e Haxhit? Shko në Haxh! Mos prit!, se njerëzit që rrinë në vend duke pritur, janë njerëz që vetvetes së tyre ia kanë mohuar të shijojë mirësinë mirësi, e dhuntinë dhunti!
Jo, dije pra! Se në Haxh nuk shkojnë të shtyrët në moshë! Jo, shkojnë, por të vonuar, Haxhi është për ju të rinj e të reja, për fëmijë të shoqëruar me prindër, të varfrit bashkë me të pasurit, e të shqetësuarit me të qetët, e të dobëtit me të fortët. I moshuari shkon në Haxh, ndoshta për të zënë thirrjen e fundit, para se të vijë thirrja e ndarjes! O ç’thirrje pret, të paravdekjes! Pse nuk e kërkon thirrjen e zgjimit pas përgjigjes së thirrjes për në Haxh! I moshuari nuk ngrihet më! Ai po kryen një obligim. E ti sa je i ri e i fuqishëm, shfrytëzoje këtë thirrje që ti të bësh një kthesë të madhërishme për fatin e Përjetësisë sate! Bëje këtë kthesë, përgjigju Zotit tënd që të krijoi, po të fton për në Xhennet! Mos u bë i shurdhët, ngrihu, vendos dhe mësyja!!!
O sa pak e ndjejmë peshën e kësaj thirrje! Sa pak që e ndjejmë rëndësinë e kësaj ftese! Mendo pak: po të fton Sundimtari, Jetëdhënësi, Jetëmarrësi, i Gjithëpushtetshmi, Furnizuesi, po të fton Krijuesi yt! Po të fton të përjetosh, e të ndryshosh, e të përmirësohesh, me forcë hyjnore të mbushesh, që dunjallëkut t’i kundërvihesh, e Jetën e Vërtetë të fitosh!
O ju muslimanë! Mos hezitoni! Haxhi është për të përjetuar gjurmë e argument! E haxhi është pra për njerëz që duan hyjnoren të përjetojnë, e me furnizim hyjnor të furnizohen! E ç’është furnizimi! Kur me bindje e devotshmëri vishesh, e heq e braktis dyshimin dhe mëkatin. Haxh, e ç’do të thotë fjala haxh! Gjurmë e argument; vendosmëri e mësymje! Për atë që besoi e u bind pa parë, i vendosur i afrohet gjurmës dhe argumentit, e këto gjurmë e argumente u lanë mëshirë për atë besimtar e të bindur në Zotin, Një e të Vetëm, Allahun e Madhërishëm!
E ç’ka në Haxh! Është një pikë qendrore. Dhe kulmore! Është epiqendra e planetit tokë. Jo vetëm kaq, qendër e lidhur me Qendër Qiellore! Bejtu-l-Izzeh! E ç’na bëri neve të kuptojmë se ç’është Bejtu-l-Izzeh! Është pikë tjetër qendrore, ku krijesa tjera, e kanë për qendër ku madhështojnë dhe lartmadhërojnë Zotin e tyre, Zotin tonë, Zotin e qiejve e të tokës, e çka në to, Allahun e Madhërishëm! Ato krijesa janë melaiket, që në adhurim e madhërim ndaj Zotit të tyre janë të përkushtuara.
Pikë, pikë që afron e pastron, pikë që lidh e bashkon! Kulm toke, e vetmja shpresë për t’u strehuar njerëzit, që besojnë Krijuesin e tyre! E aty në mes qëndron një objekt, në formë të kubit. E i thonë Qabe – Keëbetu. E ç’dimë ne për urtësinë e Qabes! Pikë, rreth secilës njerëzit rrotullohen, e kur rrotullohen fytyrë për fytyre nuk përballen! Po! Sepse është pika kulmore e formës së adhurimit ndaj Krijuesit të çdo gjëje – gjithçka në adhurim e madhërim të Zotit rrotullohet! Deshi apo s’deshi! E kjo është edhe forma më e përkryer për të përjetuar argumentin, që me sy shihet, me vesh dëgjohet, me duar preket, me hundë nuhatet, e me ndjenja ndjehet, e me zemër shijohet, e me mendje lexohet! Ti me tërë qenien tënde po vështron mbi argumentin, argumentin se gjithçka e adhuron dhe madhëron të Gjithëpushtetshmin, Allahun e Madhërishëm!
E kur rrotullohen, gjithçka pas shpine lenë, kur sytë kah Përjetësia i ngulisin! E gjuhët e tyre duke pëshpëritur në madhërim dhe adhurim ndaj Allahut: Të përgjigjem o Allah! Ty të përgjigjem! E në çka ftoi Allahu! Ftoi në bindje e devotshmëri. Në pastërti e drejtësi. Në respekt e dashuri. Në besnikëri e bujari. Përjetësi në Xhennet! E ti po përgjigjesh për të qenë njeri i shpëtuar!
E gjurmët e argumentet! Ku përherë të parë u madhërua Zoti në tokë, pasi që tokën e krijoi! Ku melaiket Allahun e adhuruan dymijë vjet rresht para se njeriu i parë të krijohej prej Duarve të Ndershme e të Pastra të Krijuesit! E ç’na bëri të kuptojmë këtë! Po aty ku njeriu i parë jetën filloi. Ku aty u dëshmua sakrifica më e madhe që mund të ketë njohur kujtesa njerëzore: mësymja për të flijuar të birin prej duarve të një prindi të dhimbshëm, të urtë, të butë e të devotshëm, për hir të Zotit, të Cilit i ishte i bindur plotësisht! E kur urdhrin e Allahut, me zemër e me mendje e zbatoi, e me gjithë shpirt e plotësoi, e kur dora e tij u pengua dora s’e flijoi, pasi Zoti e pengoi dhe ia kompensoi, dëshmia e besimit u pranua!
Arafati! Kodër e vend ku përjetohet Dita e Gjykimit! Të gjithë të veshur në të bardh, presin Shikimin e Krijuesit! Dita e Peshores, ditë që shumë njerëz ndaj saj janë të pandërgjegjshëm, e shumë të tjerë madje as s’e besojnë. E kjo pra, pikë kulmore e ndjesisë së kësaj dite madhështore e të llahtarshme! Safa e Merva. Xhemra e Hira. Argumente e gjurmë për t’u përjetuar e për t’u ndjerë.
E si dielli, rob i Allahut, që e adhuron e madhështon për çdo lëvizje. E toka që rreth tij rrotullohet, tokës dritë e jetë i jep! Jo, Allahu është Ai që jep dritë dhe jetë! E kur tavafi bëhet, njeriut jetë të pastër i inspiron! Pikë kulmore e barazisë është! Pikë kulmore e vëllazërisë! Pikë kulmore kundër ndasisë, përçarjes e armiqësisë! Të gjithë një ngjyrë, një hukamë, një fjalë, një drejtim, një lëvizje, një pikë, të bashkuar e të lidhur, vetëm një Zot për të adhuruar! Aty jo vetëm shpirtërisht të afruar, por edhe fizikisht të lidhur. Bashkim mbarëmuslimanë! E kush këtë e kupton, përveç atij që në Haxh shkoi për t’u furnizuar, ftesës së Zotit të vet për t’iu përgjigjur.
E dijeni pra, o ju që e keni mësy e keni për ta mësy, se në Haxh nuk shkohet për t’u shpëlarë, e as për t’u bërë haxhi filani, por argumentet për t’i parë dhe bindjen ndaj Zotit që të udhëzoi për ta gjallëruar! Aty besimin e forcon, zemrën plotësisht e nënshtron, mendjen e kthjellon dhe përcaktohesh që vetëm ndaj Allahut i devotshëm të jesh. Ti pastrohesh, sikur uji, pasi Ura e Siratit të kalohet, e para se në Xhennet të hyhet, që pastron njerëzit që përjetësisht në Xhennet do të hynë. Jo ti s’pastrohesh nëse në atë ujë s’hyn, e kush hyri në atë ujë, përveç atij që me gjithë mend, e plotësisht, Zotit i përgjigjet!
Të përgjigjem o Allah! Ty të përgjigjem!, pëshpëritë gjuha; por le ta pëshpëritë edhe mendja e zemra. E pra, kur ti i përgjigjesh plotësisht, je musliman i veshur me petk të devotshmërisë, e të mjafton emërimi musliman! Kur para se trupit tënd petkun e bardh t’ia vësh, t’ia veshësh shpirtit, zemrës e mendjes sate, petkun e pastërtisë, të dritës e të udhëzimit. Petkun e Devotshmërisë! E ky është furnizim! E furnizim, kur ti furnizohesh me bindje, me respekt, me bujari, me besnikëri, me dashuri, me zemërgjerësi, me shpirtdëlirësi, e me mendje të hapur e të zgjuar. E ti tani mund të jesh njeri, i cili haxhin kreu, dhe të jesh i pastër sikur nëna kur të lindi, e të jesh prej të pastërve, e vendbanim të kesh Vendin e të Pastërve, Xhennetet e Allahut Mëshirëplotë!
Madhëroni dispozitat e shenjat- argumente të Allahut, që të mëshiroheni e të shpëtoni!
O Allah! Zgjero zemrat, hap mendjet, lehtëso gjendjen, që muslimanët Ftesës Sate t’i përgjigjen, e kur t’i përgjigjen, të bëhen të qëndrueshëm ndaj premtimit që dhanë, se të pastër deri në çastin e vdekjes do të jenë! Amin!
Lebbejke Allahumme Lebbejk!
Ve-l-hamdulilahi ve kefa biha niëmeten