Arafati 10 vjet pas hixhretit
Ai ishte me të dërguarin e Allahut (a.s) kur ra nga deveja. Deveja u pengua dhe ai këputi rruazën e qafës. Vdiq! “Lajeni trupin e tij me ujë dhe sidër dhe varroseni me gjithë roba”, – tha i dërguari i Allahut “Mos ia mbuloni kokën, e as mos e prekni me kamfur…sepse me të vërtetë, ai do t’i kthehet Allahut në gjendjen e Telbies! (Lebejke Allahume lebejk.)” Buhariu dhe Muslimi
Amër ibn al-Asi tregon: “Kur Islami hyri në zemrën time, shkova tek i dërguari i Allahut dhe i thashë: ‘Më jep dorën që të të jap besën.’ I dërguari i Allahut (a.s) zgjati dorën e tij, por unë e tërhoqa timen. “Ç’gjë nuk shkon o Amër?” Unë i thashë: “Dua të më plotësohet një kusht”. “Cili është ai kusht?”, – tha ai. “Që Allahu të më falë”. Atëherë i dërguari i Allahut (a.s) tha: ‘A nuk e di ti se Islami i fshin të gjitha mëkatet para tij, dhe Haxhi fshin gjithçka para tij, dhe Hixhreti fshin gjithçka para tij”. (Sahihu i Muslimit)
Shpërblimi përfundimtar
I dërguari i Zotit ka thënë: “Dhe për Haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhennetit!”Cili është ajeti i parë që ju lexoni tek surja Haxh? Ai nuk flet për Arafatin e as për shtyllat e ditës Nahr. Ai thjesht thotë: “O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së Kiametit është një llahtari e madhe. Atë ditë kur ta përjetoni atë, secila gjidhënëse braktis atë që ka për gjiri dhe secila shtatzënë e hedh par kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i Allahut është i ashpër”. Haxh 1-2
Haxhi nuk është udhëtim i trupit, i ngjashëm me udhëtimin e atij që shkon për pushime apo në ndonjë vend si turist. Ai është udhëtim i shpirtit dhe i zemrës. Kur njeriu i lexon me vëmendje ajetet që flasin për Haxhin, ai do të vërë re, se të gjitha ajetet përfundojnë me urdhrin e te qenit i ndërgjegjshëm për mbikëqyrjen e Allahut, me përkujtimin e mirësive të Allahut ndaj nesh apo me lidhjen që ekziston mes Haxhit dhe Ditës së Fundit.
Vendmbërritja
Jo shumë larg nga ditët e të parëve tanë, kurdoherë që duhej nisur një udhëtim, duheshin marrë të gjitha masat. Rruga ishte e gjatë nëpër një shkretëtirë të nxehtë dhe të ashpër. E pamëshirshme! Nuk kishte qendra karburanti për t’u furnizuar e as qendra pushimi për të ngjitur sipër ujin e ndonjë burimi. Në të vërtetë shikimi nuk të zinte asgjë përveç milje e milje të tëra dunash shterp rëre. Humbja e rrugës nënkuptonte humbjen e jetës! Kësisoj, para udhëtimit ju duhej të siguroheshit mirë, se i kishit të gjitha pajisjet që ju nevojiteshin. Ushqim i mjaftueshëm, ujë i mjaftueshëm, çdo gjë e mjaftueshme deri në vendmbërritje. Që këtej, nga ajetet që flasin për haxhin, ku çdokush duhet të bëjë një farë udhëtimi për të arritur Qaben, Allahu u tërheq vëmendjen robërve të tij për një udhëtim tjetër, një udhëtim drejt të cilit çdo shpirt po udhëton, dhe pse e dimë apo jemi të pavëmendshëm ndaj tij. Allahu na e tërhoqi vëmendjen për udhëtimin drejt Botës tjetër, Parajsës apo Zjarrit. “…Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë) e furnizimi më i mirë është devotshmëria”. Bekare 197
Ditën që Buhejm Axhli u nis bashkë me shokun e tij për të kryer haxhin, i hodhi një vështrim shkretëtirës së pafundme që i priste dhe qau aq fort, sa kraharori po i gufonte. “Kjo është diçk, – tha Buhejmi – që më ka bërë të kuptoj udhëtimin më të vërtetë që do të nis drejt Allahut”.
Furnizuesi
Në lidhje me atë se nëse ai që bën haxhin quhet apo jo haxhi, ka mosmarrëveshje. Kjo nuk është diçka që gjendet në sunet, por ka një hije interesante në kulturën e historisë sonë. Më parë, kur dikush vendoste të kryente haxhin, ishte njësoj sikur t’i linte lamtumirën jetës së kësaj bote. E gjithë kjo në saj të pengesave të pabesa gjatë udhëtimit – sprova si sëmundje, uri dhe përpjekje në situata të veçanta. Atëherë, për t’i përcjellë haxhilerët mblidhej i gjithë fshati. Nëse dikush e niste këtë udhëtim e kthehej gjallë, do t’ia përkushtonte gjithë jetën adhurimit dhe bindjes ndaj Zotit. Nuk kishte më mashtrim, gënjeshtër apo namaz të humbur. Tashmë ai ishte Haxhi. Ndërsa sot, me reaktivët viganë, anijet oqeanike e autobusët mercedez, lehtësimi i kryerjes së haxhit e ka marrë me vete lavdinë e të qenit haxhi.
Sot njerëzit mund të ankohen se nuk kanë krevate e dyshekë mbretëror në Mina, apo se motori i kondicionerit bën shumë zhurmë. Por të dashur vëllezër dhe motra, kush na furnizoi me këto të mira, me të cilat po jetojmë? Është po Ai Allah, që na ka sprovuar ne këtu në fushën e Arafatit. Robi i Allahut mund t’i vlerësojë vërtetë mirësitë e Allahut mbi të, vetëm kur i merren këto mirësi.
Me të vërtetë që mirësia më e madhe që na ka dhënë Allahu është Islami dhe ai na mjafton neve si favor. Allahu e di se ne do të pluhurosemi gjatë haxhit, Allahu e di atë. Kështu që mos u çudisni kur të fryjë era, por kthejuni Allahut me durim dhe mirënjohje.
“Pastaj le të heqin papastërtinë e tyre, le t’i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillen rreth shtëpisë së lashtë”. Haxh 29
Ibn al-Kajimi shkroi një ilahi për këtë udhëtim të zemrave, dhe këtu shprehet vetëm një pjesë e këtyre vargjeve:
“Ai thotë, robërit e mi kanë ardhur tek Unë (për haxh) nga dashuria për Mua dhe Unë jam i mëshirshmëm ndaj tyre, lajme të mira bujarie e dashurie o pjesëmarrës në atë qëndrim (në Arafat), një çast ku Allahu i fal të gjitha gjynahet dhe hedh mëshirën e Tij”.
Ebu Hurejre transmeton: “E kam dëgjuar profetin (a.s) të thotë: “Kushdo që e kryen haxhin dhe nuk bën ndonjë gjë të turpshme (rafath) dhe nuk e tepron (Fusuk), ai kthehet nga haxhi (pa asnjë mëkat) si ditën që lindi prej nënës.
Të përmirësosh zemrën
Shumë vite më parë, kur haxhilerët po zbrisnin luginës së Muzdelifes, një burrë thirri me të lartë: “Shih numrin e haxhilerëve!’ Një njeri i mençur iu përgjigj: “Jo, kalimtarët janë të shumtë por haxhilerët janë pak!’ Njëherë dëgjova historinë e një njeriu që ishte begatuar me mundësinë për t’iu bashkangjitur çdo vit karvanit të haxhilerëve. Megjithatë, e meta e tij ishte se nuk mund të kontrollonte asnjëherë zemërimin gjatë ditëve të haxhit, dhe rrinte vetëm duke mallkuar të tjerët. Dikujt i lindi një ide në lidhje me sjelljen e tij. Frymëzimi i tij ishte: “Në vend që të rrish duke mallkuar muslimanët gjatë haxhit, më mirë shkruaji të gjitha të këqijat që ndjen në një copë letër dhe- palose atë. Pastaj kur dikush të ti ngrejë nervat – thjesht kaloi letrën. Në krye të atij zarfi të vogël shkruaj: ‘Mos e hap atë deri sa të mbarojë haxhi”. Njeriu u pajtua me këtë. Në sulmet dhe incidentet e njëpasnjëshme, ai thjesht do të buzëqeshte, më pas do të ngrysej, dhe do t’i kalonte zarfin e vogël palës provokuese. Çdo gjë po shkonte për bukuri deri ditën kur ai po drejtohej për në Xhamarat, ku dikush i shkeli gishtërinjtë. Ai e humbi fare kontrollin. Me murmuritje nëpër dhëmbë, turfulloi dhe më pas kërkoi në valixhen e tij për një zarf, të cilin ia ngjiti djaloshit të varfër në kokë.
Kam parë në haxh njerëz, në ato çaste sprove, të luftojnë për durim dhe shpërblimin e Allahut, ashtu siç lyp dikush rrugëve për ar. Pyesja veten se ç’ndryshim kishte mes tyre dhe atyre që i shpenzonin frymët me kritika dhe zënka? Përfundimisht kuptova se atje nuk ishin dëshmitarë trupat e Zejdit dhe Amrit, por zemrat e tyre. Disa njerëz vijnë në Haxh të furnizuar financiarisht. Ndërsa disa të tjerë vijnë me zemra të përgatitura, që është dhe thelbi. Nëse guri gërryes do të na kthejë në grimca pluhuri apo do të na shkëlqejë, varet nga ajo se ç’jemi ne.
Si ta përgatisim zemrën për haxh?
Së pari ndiqni leksione dhe tubime që flasin për haxhin.
Haxhi është një ndër shtyllat mbi të cilat qëndron Islami. Kur dikush ka për qëllim që ta kryejë këtë rit të fesë, e ka për detyrë që të mësojë rreth tij. I dërguari i Allahut ka thënë: “Kërkimi i dijes është detyrë e çdo muslimani”. Imam Buhariu shkruan në sahihun e tij: “Dija vjen përpara veprave” dhe më pas përmend ajetin kuranor: “Atëherë dije se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, kërko falje për mëkatin tënd, për atë të besimtarëve e të besimtareve. Allahu di për lëvizjet tuaja e për vendin tuaj”. 47:19
Së dyti: Falni namazin dhe Kijam al-lejl
Kur i dërguari i Allahut po përgatiste zemrën për misionin e përhapjes së fesë, Allahu e urdhëroi atë të përgatitej për të falur Kijam al-lejl. Allahu i Lartësuar thotë: “O ti i mbështjellë! Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj”. 73:1-2
Një student fjeti njëherë në shtëpinë e imam Ahmedit, Zoti e mëshiroftë. Imam Ahmedi kishte lënë për të një enë me ujë dhe kur erdhi për namazin e sabahut, e gjeti enën plot me ujë. Ai u trondit dhe tha: “Si mundet që dikush të jetë nxënës i Islamit dhe të mos ngrihet për namaz nate!”
Njëherë disa i thanë ibn Mesudit r.a : “Ne nuk mund të ngrihemi për namaz nate”. Atëherë ai u përgjigj: “Mëkatet tuaja ju pengojnë prej tij”.
Së treti: Pendohuni tek Allahu dhe bëni dua
Ishte pikërisht gjatë ditëve të Tashrikut, kur engjëlli Xhibril a.s erdhi tek i dërguari i Allahut me fjalët e mëposhtme: “Kur erdhi ndihma e Allahut dhe çlirimi (ngadhënjimi). Dhe i pe njerëzit që po hyjnë turma-turma në fenë e Allahut. Ti pra lartësoje Zotin tënd duke e falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh”. Nasër 1-3
Ky ishte dhe kulmi i 23 viteve thirrjeje, përpjekjesh dhe pune; këtu ishte dhe haxhi i lamtumirës. Po si përfundoi ai?
“Atëherë lartësoje dhe falënderoje Zotin tënd dhe kërko falje prej Tij”.
Madhështia të takon vetëm Ty, o Allah, dhe Ti qofsh i lavdëruar. O Allah na fal!
Categories