Historia përsëritet! Por, në çdo rregull ka përjashtim. Një personalitet dhe një ngjarje janë të papërseritshme; Muhammedi a.s dhe hixhreti.
Të gjithë muslimanët e botës, pavarësisht dallimeve (racore, kombëtare, sektare) këto ditë përkujtojnë rrugëtimin më të ndritshëm, ngjarjen më madhështore të historisë së tyre, hixhretin e Muhamedit a.s nga Meka në Medinë.
Për hixhretin dhe rreth tij është shkruar shumë, por përmasat dhe roli përcaktues i kësaj ngjarje në historinë e njerëzimit janë përmendur sipërfaqësisht. Hixhreti ndryshoi historinë. Njeriu me më ndikim në historinë e njerëzimit u shpërngul nga vendlindja e tij në një qytet të largët por jo të panjohur.
Muhamedi a.s nuk ishte një njeri i rëndomtë i mesjetës së hershme, ai ishte i zgjedhuri i Zotit për njerëzimin. Ai nuk u largua nga armiqtë e vendlindjes së tij për tu strehuar te miqtë e një qyteti tjetër. Ai nuk kishte armiq, nuk kishte mosmarrëveshje, sepse madhështia e personalitetit dhe misionit të tij ishte përtej ligësive dhe ngatërresave njerëzore.
Meka për Muhamedin ishte më shumë se vendlindje, ishte vendi i plotësimit të lutjes së stërgjyshit të largët (Ibrahimit a.s) dhe Shtëpia e Zotit. Vitet e thirrjes (dawetit) në Mekë ishin të mundimshme, rezultatet në dukje ishin dëshpëruese, por rëndësia dhe vlera e tyre ishte e jashtëzakonshme.
Muhamedi a.s u largua nga Meka vetëm fizikisht. Në rrugën e gjatë, të lodhshme dhe të rrezikshme ai shoqërohej nga “ burri i dytë më i madh i asaj kohe” (Ebu Bekri r.a).
Muhamedi a.s ishte kërcënuar me vdekje. Ky fakt është shumëi rëndësishëm për historinë, për arsye se nuk ishte kërcënuar një person por ishte vënë në rrezik jeta e një Pejgamberi dhe me këtë edhe misioni i tij. Në këto rrethana hixhreti ishte bërë i domosdoshëm dhe kishte ngelur rrugëdalja e vetme.
Asnjë veprim i Muhamedit a.s nuk duhet shikuar si shprehje e vullnetit të tij por si bindje ndaj urdhërave të Zotit dhe misionit si Pejgamber. Prandaj , hixhreti duhet kuptuar si urdhëresë e Zotit dhe jo si vendim i Muhamedit a.s.
Në Medine, Pejgamberi dhe shokët e tij (sahabet) gjetën një terren të përshtatshëm, aty e kishin të garantuar jetën por edhe atë që është më e rëndësishme, shprehjen dhe praktikimin e lirë të fesë Islame.
Hixhreti ishte arratisja nga një vend ku dhunohej liria e individit, nga një vend ku virtytet peshonin shumë lehtë dhe jeta e njerëzve nuk kushtonte shtrenjtë.
Muhamedi a.s i duhej Medinës dhe anasjelltas. Muhamedi a.s në Medine, brënda një kohe të shkurtër bëri tre vepra madhështore:
1).Ndërpreu luftën vëllavrasëse mes dy fiseve (Ews dhe Hazrexh) si dhe bëri vëllazërimin ndërmjet tyre dhe muslimanëve muhaxhirë të ardhur nga Meka.
2).Hartoi një kushtetutë civile (jo fetare) të njohur në histori si “Karta e Medinës”. Kjo kushtetutë civile është më e vjetra në historinë e shtetit dhe së drejtës, ky është fakt historik, pavarësisht injorimit, anashkalimit dhe “mohimit ideologjik” nga historianët dhe studiuesit jomusliman.
3).Ndërtoi xhaminë(tashmë të njohur si Xhamia e Pejgamberit-Mesxhidetul-Nebi).
Kjo xhami ishte më tepër se një faltore, ajo ishte e ndarë në tri pjesë:
a).Vendfalja (mesxhidi) qe shërbente ekskluzivisht për faljen e namazit dhe ritet tjera të adhurimit të muslimanëve.
b).Pjesën e rezervuar për takime, për mbledhje dhe konsultime. Kjo pjesë e xhamisë ishte selia e “Mexhlisit Shura” (Këshillit), aty u morën disa nga vendimet më të rëndësishme të historisë Islame.
c). Pjesa e tretë e xhamisë shërbente si “mekteb”. Aty morën mësim nxënësit më të zellshëm dhe më të devotshëm nga mësuesi më i madh i njerëzimit, Pejgamberi i Zotit (ndonëse analfabet!).
Sot fatkeqësisht xhamitë (sidomos në trojet shqiptare) kanë humbur gjallërinë dhe rolin e tyre, pjesën më të madhe të kohës janë të mbyllura dhe shërbejnë vetëm si mesxhide.
Medinën , Muhamedi a.s e shëndërroi nga një qytet i dorës së dytë të Gadishullit Arabik në epiqendrën e qytetërimit mesjetar, nga një qytet që zhvillonte luftë civile vëllavrasëse në selinë politike dhe ushtarake të kohës që i dhuroi botës së errët mesjetare dritën e pashuar të kandilit ndriçues.
Vlerat që promovoi Muhamedi a.s gjatë gjithë misionit të tij, para dhe pas hixhretit ishin: liria e shprehjes dhe praktikimit të fesë, siguria, shteti i së drejtës dhe mirëqënies sociale, bashkëjetesa, toleranca, mirëkuptimi dhe vyrtytet e larta njerëzore.
Pse Muhamedi a.s një pjesë të xhamisë e ndau për “mekteb”?
Komunikimi në Islam organikisht është i lidhur me konceptin fundamental kur’anor-ilmin (diturinë). Dituria nga brezi i muslimanëve që u edukuan në“shkollën e Pejgamberit” shihej si sinonim i Islamit. Dituria nuk ka qenë monopol i një klase, e një grupi ose një gjinie, por e drejtë e të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Në Kur’an dhe praktikën e Muhamedit a.s kërkimi i diturisë përshkruhet si obligim fetar për të gjithë muslimanët.
Kur lexoj për madhështinë e personalitetit të Muhamedit a.s dhe vlerave që ai promovoi dhe shoh gjendjen e shoqërisë së sotme muslimane nuk mund të mos ndjehem krenar dhe fajtor njëkohësisht. Uroj që të gjithë muslimanët të jenë më shumë krenar (që janë umeti i Muhamedit a.s) dhe më pak fajtorë (që janë pjesmarrës në këtë gjendje të sotme të shoqërisë muslimane)
Categories