Categories
Fjala e Kryetarit

Hixhreti – epoka e mëvetësisë për myslimanët

Në emër të All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Ishte pikërisht hixhreti që Islamin e bëri faktor botëror, ishte fillimi i një epoke të re dhe pikërisht për këtë arsye u vendos që kalendari Islam të fillonte me këtë epokë, në të cilën fillon edhe mëvetësia e myslimanëve në vendimmarrje dhe zbatim të ligjeve hyjnore në parametra shtetëror dhe zyrtar.

Hixhreti është shenjë e jetës së gjallë, asaj krijuese dhe që shkon përpara, duke futur në lëvizje çdo mekanizëm të progresit dhe zhvillimit, duke lënë gjurmë të thella në histori.

Prandaj, për çdo mysliman kalimi dhe hixhreti nga viti i kaluar në vitin e ri hixhri, duhet të jetë një ripërtëritje e forcave dhe mendjes për të shkuar drejt së ardhmes të sigurtë nën gjurmët e Profetit Muhamed (a.s.) dhe me zemrat e mbushura me dashurinë Hyjnore.

Hixhreti paraqet ngjarje me karakter mëse shpirtëror, së këndejmi ne duhet orvatur të bëjmë hixhret me veprat tona, nga gabimi në permiresim, nga dëshirat dhe premisat materiale drejt virtytshmërisë dhe ideales, nga amullia etike drejt botës së pastërt morale, duke lënë pas vitet që na shkuan si gjurmë mësimdhënëse.

Viti i Ri Hixhri duhet të jetë një ripërtëritje e besimit në zemrat tona, e aspiratave mbarëbotërore dhe të atyre kombëtare shqiptare, për të arritur më të mirën, më të bukurën dhe më të dashurën për Allahun (xh.sh.), për të arritur kështu premtimin që i kemi dhënë Zotit, duke përmbushur aspiratat tona si besimtarë të mirëfilltë muslimanë, për të dhënë kështu shembullin e njeriut ideal në shoqërinë e shek. XXI.

Forumi Rinor Islam plot 16 vite i ka dhene rëndësi te veçantë shkollimit dhe dijes, përmes shpalljes së nxënësve dhe studentëve më të dalluar.

Kjo, për të treguar nevojën tonë të patjetërsueshme për t’u arsimuar dhe edukuar mirëfilli, të vetëdijshëm se kjo është rruga e vetme e ngritjes dhe zhvillimit tonë si popull dhe si shoqëri. Me kete rast uroj qe ky vit te jete vit i sukseseve dhe mbaresive tona fetare dhe kombetare.

Me dëshiren më të sinqertë për hapërime edhe më të mëdha suksesi në rrugëtimin e fitimit e dijes, uroj që ky fillim vit t’ju sjellë shendet, prosperim e të mira të pafund në jetë.

Edhe përskaj faktit që Hixhreti është njera ndër ngjarjet më të mëdha që organizojmë, veprimtaria jonë është më e gjerë. Puna jonë me të rinjtë vazhdon gjatë gjithë vitit akademik përmes projekteve dhe
aktiviteteve të veçanta që realizojmë me nxënës të shkollave të mesme dhe studentë.

Zoti jua ndriçoftë dhe lehtësoftë rrugën për arritje dhe ngritje.

Fisnik Shabani,

Kryetar i Forumit Rinor Islam

Exit mobile version