Muaji Muharrem Hixhri, sipas kalendarit Hënor shënon dhe muajin e parë të tij. Por ç’do të thotë Hixhri dhe cili është vendi i tij në Islam?

Viti Hixhri fillon me emigrimin e Hz. Muhamedit (a.s.) nga Meka në Medine. Shumë të dërguar të Allahut (xh.sh.) kanë pasur hixhretin e tyre, si Ibrahimi, Musai, Jusufi, Isai (a.s.), etj. Hixhreti i ka rrënjët që tek Ademi (a.s.) me zbritjen e tij në tokë dhe vazhdon gjithashtu tek vetë jeta e njeriut, e cila është një lloj hixhreti (emigrimi).

Hixhreti i muslimanëve nga Meka në Medine shënohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë Islame.

FAKTE RRETH MUAJIT MUHARREM

Muaji Muharrem është ndër muajt më madhështor. Ky muaj ka përmbledhur në vete gjëra që nuk ndodhen në muajt e tjerë:

– ⁠Muaji Muharrem është muaji i parë i muajve hënorë, sipas hixhretit.
– Është nga muajt e shenjtë.
– Agjërimi në këtë muaj është më me vlerë se sa në muajt tjerë, përveç Ramazanit.
– Në këtë muaj është dita e Ashurës, gjegjësisht dita e dhjetë e tij, agjërimi i së cilës i shlyen mëkatet e vitit të kaluar.
– Është muaj të cilin të parët tanë të mirë e agjëronin dhe e madhëronin atë.

Ky muaj është një periudhë e shenjtë që na ndalon nga veprimet e dëmshme dhe na inkurajon të angazhohemi në paqe dhe përkushtim ndaj Allahut. Prandaj medoemos duhet ta madhërojmë këtë muaj në zemrat tona. Shfrytëzojeni këtë muaj për të pastruar shpirtin dhe për të kryer vepra të mira.