Vazhdon grumbullimi i trofeve nga ana e futbollistit më të mirë të Maqedonisë, Agim Ibraimit, i cili ka shkëlqyer në fitoren e mbrëmshme 3:0 të Mariborit përballë ish-skuadrës së tij Olimpija-s, në kuadër të Super Kupës së Sllovenisë. Tetovari Ibraimi përsëri ishte shtylla kryesore e lojës së Mariborit, duke qenë protagonist kryesor në mesfushë, nismëtar i secilit aksion të rrezikshëm për portën kundërshtare dhe në fund efekti ishte dy assiste në golat e parë, ndërsa ishte pjesë e aksionit të golit të tretë. Në ndeshjen e mbrëmshme kanosjen e parë më serioze e kishte Ibraimi, mirëpo goditja e tij shkoi pak mbi portë.
Në minutën e 25-të Martelj jep top të gjatë në krahun e djathtë për Ibraimin, ndërsa numri ’10’-të i Mariborit assiston në zonë ku Tavaresh realizon për 1:0. Në çastet e fundit të pjesës së parë tjetër pasim ‘magjik’ i ‘Ibrës’, që nxjerë ballë-ballë me portierin bashkëlojtarin Mezga, ndërsa ky i fundit shënon për 2:0. Rezultati përfundimtar u vendos në minutën e 63-të kur Ibraimi nis aksion drejt portës kundërshtare, kombinon bukur me Tavareshin, që assiston drejt Cvijanoviçit, me këtë të fundit që sjell përfundim preciz për rezultat 3:0. Deri në fund nuk pati ndryshim dhe Maribori i Agim Ibraimit me meritë i’u gëzua mbrojtjes së Super Kupës së Sllovenisë. Tetovari pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me fitoren, ndërsa trofeun i’a dedikoi drejtorit sportiv, Zllatko Zahoviç, i dorëhequr ditë më parë.
“Jam i lumtur për fitoren dhe për trofeun e Super Kupës. Këtë trofe i’a dedikojmë Zllatko Zahoviçit dhe ne të gjithë futbollistët shpresojmë që ai të kthehet në skuadër”, deklaroi Ibraimi, dëshira e të cilit u plotësua disa orë më vonë. Pas triumfit në Super Kupë, rezultuan të suksesshme bisedimet e drejtuesve të klubit me Zllatko Zahoviçin dhe ky i fundit pranoi të mbetet drejtor sportiv i Mariborit. Kujtojmë se pikërisht Zahoviç është ndër më meritorët për renesansën që përjetoi Maribori viteve të fundit, duke e bërë që nga një ekip mesatar, kampionët e Sllovenisë të fitojnë respekt të madh në Evropë, pas paraqitjeve të mira dy vite me rradhë në fazën e grupeve të Liga Evropës. Ai ka merita të mëdha edhe në sukseset e Agim Ibraimit, pasi pikërisht me insistim të tij Maribori vite më parë angazhoi futbollistin tetovar, që më vonë u konvertua në një ndër futbollistët më të mirë të ekipit dhe kampionatit slloven në përgjithsi.
Ndërkohë ky ishte trofeu i rradhës i Ibrës tetovar me skuadrën e Mariborit, ndërsa mund të rezultojë edhe i fundit në këtë ekip, pasi shumë skuadra të forta evropiane kërkojnë të angazhojnë reprezentuesin e Maqedonisë. Pas interesimit të ekipeve elitare nga Moska, ditëve të fundit në media është duke u përmendur edhe skuadra e PSV Ajnd’hovenit, si destinacion i mundshëm për Agim Ibraimin.
Categories