Forumi Rinor Islam – Dega Shkup, në bashkëpunim me Organizatën Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, organizoi iftarin e përbashkët në Restaurant “New Star”, në një atmosferë vëllazërore dhe me pjesëmarrje të madhe të të rinjve dhe aktivistëve.
Programi filloi me lexim nga Kurani nga Mesud Ismaili, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të veçantë shpirtëror. Në vazhdim, të pranishmëve iu drejtua me një mesazh rasti Nexhat Lika, kryetar i O.H. “Kalliri i Mirësisë”, i cili prezantoi veprimtarinë humanitare të organizatës në ndihmë të familjeve në nevojë, shpërndarjen e pakove ushqimore, sigurimin e iftareve dhe projektet e vazhdueshme në shërbim të shoqërisë. Ai theksoi se bashkëpunimet me rininë janë një urë e rëndësishme për përhapjen e solidaritetit dhe vlerave të Ramazanit.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Forumit Rinor Islam, Abdulhamid Mustafa, i cili potencoi përkushtimin e FRI-së në organizimin e aktiviteteve që fuqizojnë rininë dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie të bashkuar mbi vlera të shëndosha. Me këtë rast, ai shprehu mirënjohje për Organizatën Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, si bashkorganizatore e iftarit, si dhe për të gjithë donatorët dhe përkrahësit që mundësuan realizimin e këtij aktiviteti.
Iftari shërbeu si moment bashkimi dhe komunikimi mes të rinjve, duke reflektuar frymën e solidaritetit, humanizmit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
















