Nëse jeni ftohur dhe keni në plan të vizitoni mjekun, mos u befasoni nëse ai ju përshkruan “supë pule” në vend të barnave.
Derisa mjekësia po përballet me rezistencë të baktereve në antibiotikë, shpeshherë zgjidhja më e mirë për të luftuar ftohjen dhe gripin janë gjërat më të thjeshta, që nga çaji me mjaltë deri te ekstraktet e bimës Echinacea. Këto janë metoda natyrale, por shumë më të preferuara nga mjekët së fundmi për të trajtuar problemet sezonale të ftohjes dhe gripit.
Dhe, përveç rrezikut të rezistencës së baktereve ndaj antibiotikëve, ekspertët thonë se shumica e simptomave të ftohjeve nuk mund të trajtohen me këtë grup barnash. Kjo pasi ato shkaktohen nga viruse, të cilat nuk mund të shkatërrohen nga antibiotikët.
Megjithatë, ka një varg të ilaçeve popullore të cilat mund t’i përgatisni në shtëpi dhe të cilat mund t’u ndihmojnë dukshëm në lehtësimin e simptomave ose edhe përshpejtimin e shërimit.
Supë pule
Në mesin e “ilaçeve” më të vjetra dhe mbase më e qëlluara është ajo që ua ka këshilluar gjyshja – supa e pulës. Jo vetëm që është ushqimi më i mirë dhe më i shijshëm, por ekspertët thonë se ka një shkencë të vërtetë prapa kësaj kure.
Krahasuar me supat tjera, supa e pulës është treguar se ka veti “misterioze” shëruese, përveç asaj që, duke e pirë të nxehtë, ngroh fytin dhe organizmin tuaj. Sipas disa studimeve, supa e pulës vepron duke ulur mukusin që prodhojnë rrugët tuaja të frymëmarrjes, duke parandaluar kështu rrjedhjen e hundëve si dhe kollën produktive.
Çaji me mjaltë
Por nëse supa nuk është e preferuara juaj, ju mund të provoni të pini një gotë çaji të nxehtë me mjaltë, që është veçanërisht e mirë te dhimbja e fytit.
Ekspertët thonë se kjo pije e nxehtë mund të ndihmojë uljen e kongjestionit (bllokimit të hundëve), krahas asaj që çaji vepron edhe si një anti-inflamator i lehtë.
Mjalti, në anën tjetër, është treguar se ka kualitete antiseptike, dhe ndihmon parandalimin e zhvillimit të mëtejmë të baktereve.
Ujë me kripë
Nëse dëshironi edhe një recetë tjetër shumë të thjeshtë për problemet e hundës dhe fytit, provoni ujin me kripë. Gargarat e fytit (tretësirë për shpëlarjen e fytit) mund t’i përgatisni duke përzier një çerek luge çaji kripë dhe një gotë të madhe ujë të nxehtë.
Duke shpëlarë fytin me këtë tretësirë, ju do të ndjeni një ndërprerje të dhimbjes së fytit po thuajse menjëherë. Tretësira e ujit me kripë, është një shpëlarës “natyral” për trupin dhe u jep një ndjenjë qetësimi indeve të irrituara.
Po ashtu, duke qenë i nxehtë, uji ndihmon edhe në shpëlarjen e kongjestionit (mukusit, lëngut që bllokon hundët tuaja) dhe e bën më të lehtë frymëmarrjen.
Produktet nga bima Echinacea
Nëse dëshironi një zgjidhje më mjekësore se sa këto të kuzhinës, atëherë mos e leni anash fuqinë e produkteve bimore ose minerale. Në mesin e suplementëve (produkteve farmaceutike vitaminoze), ajo më e efektivja është tinktura e bimës Echinacea.
Për efektet pozitive të Echinacea ka shumë studime, dhe shumica të cilët nuk arrijnë t’i nxjerrin dobitë e saj zakonisht nuk e përdorin atë si duhet.
Nëse ju e përdorni atë si parandalim, kjo nuk do të ndihmojë. Ekspertët thonë se bima e humb efektin pas 10 ditësh. Andaj, efektin më të mirë ju do ta arrini duke përdorë doza më të mëdha kur për të parën herë paraqiten simptomat, jo më herët, as më vonë.
Disa ekspertë këshillojnë përdorimin e formave të lëngshme të kësaj bime, në vend të formave kapsulave. Kjo sepse përmbajtja e alkoolit në tinkturën e bën më të lehtë ekstraktimin e substancave shëruese të bimës.
Zinku
Zinku është një tjetër suplement shumë ndihmues gjatë sezonit të ftohjes dhe gripi. Shumë mjekë këshillojnë që njerëzit të përdorin doza më të larta të këtij minerali gjatë këtij sezoni.
Por, zinku së fundi po këshillohet gjithnjë e më shumë nga mjekët edhe në formën e spërkatësit për hundë. Sipas disa studimeve, kur spërkatet lokalisht, zinku është treguar se ul kohëzgjatjen e simptomave të ftohjes.
Barnat pa recetë
Nëse mendoni se asnjëra prej barnave shtëpiake dhe atyre natyrale nuk ju bën punë juve, dhe se ju duhet patjetër të përdorni barna për t’u ndjerë më mirë, atëherë provoni barnat që mund t’i merrni pa recetën e mjekut. Ato mund të veprojnë shpejtë në lehtësimin e simptomave dhe t’u bëjnë të ndjeheni më mirë.
Ju mund të përdorni barna për qetësimin ose lehtësimin e kollitjes ose barna qetësuese të dhimbjeve dhe që ulin temperaturën, si aspirinë, paracetamol ose ibuprofen. Edhe pse nuk do ta shërojnë sëmundjen, ato do t’u ndihmojnë të lehtësoni simptomat që ju mundojnë.
Si ta parandaloni?
Për të ulur rrezikun tuaj për ftohje dhe grip, mjekët këshillojnë t’i pastroni duart rregullisht, veçanërisht para se të prekni sytë, hundën ose të hani diçka.
Po ashtu, është e rëndësishme të mbani një avullues në ambientin ku jetoni, për të rritur kështu nivelin e lagështisë së ajrit, dhe penguar zhvillimin e viruseve (të cilat më lehtë mbijetojnë në ajër të thatë). Studimet tregojnë se kur rrugët e ajrit janë më të thata, ata më lehtë krijojnë edhe çarje ose pëlcitje të cilat janë më të depërtueshme për mikrobet të cilat ndodhen në ajër./mjeku/
Categories