Një ndryshim radikal është duke ndodhur në tregun gjerman të punës: Imigrantët e sotëm në Gjermani janë më të trajnuar dhe kanë një nivel më të lartë të arsimimit se gjermanët vendas, tregon një hulumtim i kryer nga Herbert Bruecker për “Bertelsmann Stiftung”, një qendër private analitike në Guetersloh. Sot, 43 për qind e imigrantëve të sapoardhur ndërmjet moshave 15 dhe 65-vjeçare kanë diplomuar në ndonjë universitet, ndonjë shkollë teknike apo ndonjë program akademik, krahasuar me vetëm 26 për qind të gjermanëve pa prejardhje imigrantësh.
Publiku gjerman në masë të madhe ende beson se imigrantët vijnë kryesisht nga segmente me kualifikim të dobët, sipas një hulumtimi të bërë nga Instituti për Hulumtime për Punësim (IAB) në Nuremberg. Suksesi fenomenal i një libri të 2010-s që i karakterizon imigrantët si dëmtues të vendit në aspektin shoqëror dhe ekonomik, dhe që sugjeron politika më të ashpra të imigracionit, tregon për hezitimin e publikut gjerman për t’i hapur dyert e tij. Por, në realitet, përbërja sociale dhe kualifikimet e imigrantëve kanë ndryshuar në mënyrë drastike gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Kriza ekonomike dhe papunësia e lartë, veçanërisht në mesin e njerëzve të rinj, në shumë vende të eurozonës e kanë bërë Gjermaninë më atraktive për punëtorët e huaj. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur në Gjermani më 2012 – batica më e madhe e imigrantëve që nga viti 1995. Shumë prej të sapoardhurve janë me kualifikim të lartë.
Ky ndryshim është bajagi vendimtar për tregun gjerman të punës, i cili po përballet me mungesa të mëdha. Sipas Agjencisë Federale të Punësimit, realitetet demografike në një Gjermani që po plaket nënkuptojnë se forca punëtore do të tkurret për 6.5 milionë njerëz deri më 2025. Agjencia gjithashtu ka përmendur hulumtime që sugjerojnë se do të paraqitet një mungesë prej 2 milionë punëtorëve të kualifikuar deri më 2020, dhe një mungesë prej 5.2 milionëve një dekadë më pas.
Koha për një politikë të re?
Gjermanët janë historikisht ngurrues kur bëhet fjalë për mbështetjen e imigracionit të madh që do të mund të kompensonte mungesat. Sipas një hulumtimi të publikuar në shkurt nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, Gjermania vazhdon të mbetet pas vendeve të tjera të industrializuara, si Australia, Britania, Kanadaja dhe Danimarka, për sa i përket rekrutimit aktiv të punëtorëve të kualifikuar nga jashtë. Megjithatë, ka shenja se kjo po ndryshon: Qyteti i vogël i Vunsiedelit në Frankoninë e Epërme është një prej disa komunave që tani aktivisht është duke joshur profesionistë të kualifikuar që nuk mund të gjejnë punë në atdheun e tyre. /Zëri/
EDITOR
12 years ago
next article
Zvicra, së shpejti gjithkund me internet Wi-Fi
you might also like
KUVENDI RAPORTUES XVII
11 months ago
HALIL AVDULLI LIGJËROI NË SHKUP
11 months ago
“SIGURONI KIBLËN E JETËS”
1 year ago