Shkollat fillore dhe të mesme deri më tani janë kontrolluar disa herë nga Inspektorët e Arsimit, por edhe përkundër të disa parregullsive të vogla që kishin mësimdhënësit në ditarët elektronik, ata nuk janë dënuar.
Por tani rregulla më të rrepta dhe inspektim deri në imtësira paralajmërohen nga Inspektorati Shtetëror për Arsim, e gjithë kjo që të del njëfarë rezultati nga reformat në arsim që deri më tani implementohen nga kjo Qeveri.
Burime të Portalb.mk pranë Inspektoratit Shtetëror për Arsim, bëjnë të ditur se inspektorët janë kërcënuar se nëse nuk ndërmarrin masa kundër mësimdhënësve që shkelin rregullat për përdorimin e ditarit elektronik, të dënuarit do të jenë ata vetë.
“Inspektorët do të jenë të detyruar që të reagojnë edhe ndaj parregullsisë më të vogël të mësimdhënësve ngase nëse nuk dënojnë ndonjërin prej tyre, të dënuarit do të jenë vetë ata”, tha ky burim.
Ndërkaq se sa kontrollohen ditarët elektronik, zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Goran Galevski thotë se kontrolli bëhet një herë në javë, kryesisht gjatë ditës së premte.
“Puna e mësimdhënësve në ditarët elektronik kontrollohet një herë në javë, që do të thotë të premten kontrollohen se a kanë plotësuar orë gjatë gjithë javës. Kontrolli bëhet nga ana e Inspektoratit për arsim dhe ata mësimdhënës që nuk kanë kryer obligimin, do të ju shqiptohet masa e dënimit prej në 100 deri në 300 euro, varësisht prej neglizhencës së tyre”, tha Galevski.
Por sipas tij, ajo që kontrollohet është vetëm sasia e orëve, sa janë shënuar në ditar, e jo përmbajtja se çfarë shkruhet në to. /Portalb
Categories