Lajm: A mund të na njoftoni fillimisht me konceptin “Financat dhe bankimi islam”?
Misini: Me financat islame nënkuptojmë atë degë ekonomie të bazuar në parimet e Sheriatit, apo ligjit juridik Islam, e që rreptësisht e ndalon kamatën, bixhozin, spekulimet e ndryshme dhe rreziqet në transakcionet biznesore. Me fjalë të tjera, i vë theks të veçantë etikës apo dimensionit moral dhe shoqërore të transaksioneve, për të shtrirë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për shoqërinë në tërësi, përkatësisht për të arritur mirëqenien sociale, shpërndarjen e drejtë të pasurisë, drejtësinë ekonomike dhe sociale dhe përhapjen e solidaritetit ndër-njerëzor.
Lajm: Cilat janë dallimet kryesore midis financave islame dhe konvencionale?
Misini: Dallimi kryesor që karakterizon sistemin financiar Islam është, se bankat dhe institucionet financiare islame, ofrojnë shërbime komerciale, që janë në përputhje me rregullat e Islamit dhe që në transaksionet e tyre e kanë të përjashtuar interesin. Specifika tjetër qëndron në parimin e ndarjes së fitimit dhe humbjes dhe si i tillë është i disanjuar për të gjithë, pa dallim kombi dhe feje.
Lajm: Dëgjojmë herë pas here nëpër media se financat islame janë shpëtim i ekonomive botërore nga krizat globale. A mund të na e sqaroni se si mund të jetë e mundur kjo dhe përse financat islame janë aq atraktive kohëve të fundit në botën perëndimore?
Misini: Këto konstatime rrodhën pas shumë raporteve dhe analizave shkencore të cilat dolën me rezultate dhe konkluza se institucionet financiare islame ishin më pak të prekura nga kriza e fundit financiare globale. Një sërë studimesh mbi sektorin financiar dhe bankar dokumentojnë imunitetin dhe stabilitetin e bankave islame, qysh nga formimi i tyre, në krahasim me bankat konvencionale, në ballafaqim me krizat financiare. Mund të themi se sistemet bankare të cilat ndërtohen në konceptin e partneritetit ne rrezikshmëri, midis bankës dhe klientit, janë më të mira dhe më efikase se ato sisteme konvencionale, në të cilat vetëm banka bartë mbi vete rrezikshmërinë. Kështu që, bankat islame janë shumë më pak të ekspozuara rreziqeve të dështimit, në krahasim me bankat konvencionale, dhe, si rrjedhojë, kërkohet prej bankave islame që më pak të ruajnë kapitalin, dhe të ofrojnë shërbime bankare me kosto relativisht më të ulët, në krahasim me bankat konvencionale. Por, në anën tjetër, rezultatet e raporteve të ndryshme ekonomike tregojnë se dhe bankat Islame u ndikuan negativisht në një masë të caktuar nga kriza e fundit financiare globale, për shkak të rrezikshmërive të rrënjosura në sektorin e financave islame, siç janë mospërputhshmëria e pagueshmërisë në bankat islame krahas bankave konvencionale. Përveç kësaj, marrëdhëniet e një mori bankash kryesore islame me sektorin e patundshmërive. Megjithëkëtë, ndikimi i krizës globale ka qenë më i vogël në bankat islame për dallim prej atyre konvencionale, për faktin se bankat islame janë më pak të mbështetura në borxhe në likuiditetin e tyre, dhe më shumë mbështeten në depozitat e klientëve, fakt ky qe bëri që ato të jenë më të kufizuara në marrëdhëniet e tyre me tregjet e borxheve. Gjithashtu, ekspertët potencojnë edhe arsyen tjetër, që konsiston në mosmarrjen me shitblerje të borxheve, dhe largimin e këtyre bankave nga spekulimet e mëdha të cilat ndodhën në bankat euro-amerikane. Gjithashtu se një prej shkaqeve kryesore është edhe mosmarrja e bankave islame me kamatë dhe transaksione të rrezikshmërive të larta.
Lajm: Çka munde të ofrojnë financat islame shteteve të Ballkanit në përgjithësi dhe në veçanti Maqedonisë?
Misini: Financat islame po karakterizohen me një dinamikë të shpejtë rritjeje dhe zhvillimi, me ç’rast pritet që masa e rritjes së tyre, të kapërcejë brenda këtij viti dy trilionë dollarë. Parimet themelore të financave islame dhe sistemit bankar islam, janë koncepte që mund të aplikohen në shtetet e Ballkanit. S’do mend se Ballkani ka nevojë të madhe për investime, dhe më konkretisht ato të burojnë nga investitorët e interesuar për financat islame. Bankat islame mund të japin kontribut të madh në zhvillimin apo rritjen ekonomike të Ballkanit. Modeli i financave islame mund të kontribuojë edhe për Maqedoninë, përveç beneficioneve që cekëm më lartë, ndikon në zgjerimin e rrjetit bankar dhe përmes ofrimit të shërbimeve dhe produkteve financiare Islame, të pranohen edhe në tregun ndërkombëtar. Modelet e financimit sipas parimeve islame janë: musharaka (formë e financimit ku partnerët bashkërisht marrin pjesë në kapitalin aksionar dhe fitimi bëhet me marrëveshje), Mudaraba (partneritet në investim, ku njëra palë siguron kapitalin financiar ndërsa pala tjetër  kapitalin sipërmarrës), Murabaha (financim i shitjes/blerjes), Kard al Hasen (hua pa kamatë për disa kategori njerëzish), financimi Salam (shitja e produkteve të caktuara, të përshkruara saktësisht paraprakisht) dhe modele të tjera të financimit. Këto modele të financimit mund t’i kontribuojnë Maqedonisë në sektorin e ekonomisë, në ndërmarrësi, bizneset familjare, bujqësi, ndërtimtari, dhe në të gjitha tregjet dhe institucionet tjera financiare.
Lajm:  Cilat janë pengesat ligjore të integrimit të sistemit financiar Islam në sistemin financiar të Maqedonisë dhe çka mund këshilloni ju në tejkalimin e këtyre pengesave?
Misini: Gjatë hulumtimit kemi konstatuar se Maqedonia me politikën aktuale monetare kamatore, nuk i përshtatet modelit të financimit sipas parimeve Sheriatike, duke ia shtuar kësaj edhe një mori pengesash të tjera ligjore. Por, këto pengesa nuk janë të pakapërcyeshme. Mendoj se hapin e parë që duhet ta hedhim, është fillimisht të hapet debat për këtë temë, ashtu siç vepruan edhe shumë shtete të cilat sot janë lidere në zbatimin e modelit financiar Islam. Gjithashtu, analizat dhe hulumtimet në këtë lëmi mund të kontribuojnë në këtë drejtim. Ngritja e nivelit te debatit shkencor dhe intelektual, se Republika e Maqedonisë ka interes të madh në zbatimin e financave islame, është fakt i nevojshëm që Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë të nxitet për t’i përshtatur politika monetare për zbatimin e modelit financiar Islam. Përveç kësaj, me rëndësi të madhe është edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për dobinë e financimit jo komator Islam, se ky model është për të gjithë me alternativa më të mira. Këto pra, mund të emërohen si hapat e parë në tejkalimin e pengesave ligjërore drejtë aplikueshmërisë së financimit që është në përputhje me Sheriatin.
Lajm:  Çfarë thonë jomyslimanet për financat islame?
Misini: Në kohën kur kapitalizmi i egër promovon filozofinë që pretendon se njeriu për njeriun është ujk, dhe se ligji nuk mbron mendjelehtët, sistemi i financave islame promovon fuqishëm thirrjen, se njeriu për njeriun është njeri, dhe se ligji islam i mbron të gjithë njësoj, pavarësisht nga kapacitetet dhe mundësitë e tyre mendore dhe të përvojës. Sa i përket pyetjes suaj, unë do e veçoja Dr. Leon Barkhon, i cili për ekonominë islame thotë: “Ky fenomen global është shkak i vërtetë i gëzimit tonë, në cilësinë e shkrimtarëve dhe studiueseve të çështjeve arabo – Islame në perëndim, sepse është fenomen i cili dokumenton prerë sinqeritetin tonë kur flasim për vlerat dhe moralet e Islamit.” Kurse sipas gazetës “Financial Time”, specializimi në financat dhe bankimin Islam sot, vie në rangun e dytë në mesin e shkencave të ekonomisë, nëpër institutet dhe universitetet e botës. “Financial Time”, gjithashtu pranon faktin se pjesa më e madhe e klientëve të bankave dhe institucioneve islame, në perëndim janë nga jomyslimanët.
Lajm:  Si ndjeheni ju si e para që punuat një disertacion në këtë lëmi? A shpresoni se do të leni gjurmë pozitive në nxitjen e studimeve të mëtejshme dhe zgjimin e interesimit për këtë lëmi kaq të ndjeshme?.
Misini: S’do mend se dëshmitë janë të shumta, përvojat janë argumentet më të mira, se nevoja për shkuljen e sistemeve të padrejta financiare është e madhe. Dielli i drejtësisë dhe mëshirës së sistemit financiar Islam po rrezaton fuqishëm në botë. Qëkendej, u përpoqa që përmes disertacionit të doktoraturës, të sjellë mendimin shkencor për popullin tim shqiptarë dhe bashkëqytetarët e vendit, dhe më gjerë, të kem edhe unë një aksion në asetet e këtij gjiganti brilant, duke qenë e bindur se kjo lëmi do të has në kureshtjen e shumë studiuesve dhe lexuesve. Si shembull, vlen të veçojë mendimin e Bankës popullore të Republikës së Maqedonisë, për diseratcionin e doktoraturës sime “ Tregjet dhe institucionet financiare islame – rast studimor Arabia Saudite”, ku potencohet se, qarqet financiare bankare, këtë studim duhet përkrahur si bazë për të filluar debatet akademike shkencore, për të promovuar modelin financiar Islam edhe në Republikën e Maqedonisë.
Para pak ditësh Drita Maliqi-Misini mori titullin doktor i shkencave ekonomike. Tema e disertacionit ishte “Tregjet dhe institucionet financiare islame – rast studimor Arabia Saudite”, të Instituti Ekonomik, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” – Shkup