Kur filloi epoka moderne e kampionatit anglez në vitin 1992, Premier Liga, pjesë e kategorisë më të lartë të futbollit anglez ishte vetëm një futbollist që dihet se ka qenë musliman dhe ai ishte mesfushori spanjoll i Tottenhamit, Nayim. Tani, 21 vjet më vonë, Premier Liga i ka 40 lojtarë muslimanë dhe ata duket se kanë efekt të ndjeshëm në kulturën e futbollit anglez.
Më 5 shtator të vitit 2012, gjatë ndeshjes që Newcastle United po e zhvillonte ndaj Aston Villas në St. James Park, në një moment u vërejt më së shumti imapkti që kanë lojtarët muslimanë në Premier Ligë.
30 minuta pas fillimit të këtij takimi, sulmuesi Demba Ba shënoi gol për skuadrën vendase. Ai vrapo drejt flamurit të kornerit, i bashkuar nga bashkëkombasi senegalez, Papiss Cisse. Të dy muslimanët e devotshëm u ulën në gjunjë në shenjë lutjeje ndaj Zotit.
Lojtari i parë musliman në Ligën Premier nga viti 1992, Nayim.
Rritja e numrit të muslimanëve në futboll është pjese e ndërkombëtarizimit të këtij sporti. Agjentët kanë filluar të hulumtojnë anë e mbanë botës në kërkim të talentëve dhe Liga Premier është shndërruar në një kampionat me diversitet të lartë.
Njerëz me origjinë nga fshatra në varfëri të skajshme nga Afrika Perëndimore, apo të rinj nga lagjet e varfëra të Parisit sot janë shndërruar në yje botërore të futbollit.
Ata mund të kenë gjetur pasurinë dhe famën duke luajtur për klubet angleze, por ata vazhdojnë të jenë besnik ndaj një gjëje që i ka thellë rrënjët në identitetin e tyre kulturor, diçka që i udhëheq ata drejt mirësisë kur janë në momentet më të këqija – besimi i tyre në islam.
Kur një lojtar i kalibrit të Demba Ba-së, i cili u largua nga Newcastle për t’iu bashkuar Chelseat, thotë se ai është shumë serioz sa i përket fesë së tij, ka njerëz që mund të thonë se klubet nuk kanë llogari që të mos i dëgjojnë lojtarët e tyre.
Dhe, së fundmi ekziston vullnet i mirë edhe nga ana e menaxherëve dhe klubeve, që të kuptojnë dhe të akomodojnë nevojat fetare të lojtarëve të tyre.
Futbollistët muslimanë janë të furnizuar me ushqime që nuk kanë përmbajtje të mishit të derrit, kanë mundësinë për t’u pastruar ndaras nga pjesa tjetër e ekipit dhe u jipet koha dhe hapësira e nevojshme për t’u lutur.
Deri para pak kohësh, të gjithë lojtarët e Ligës Premier që janë shpallur lojtarë të ndeshjes janë shpërblyer me nga një shishe shampanjë.
Por, për muslimanët alkooli është i ndaluar. Kështu, kur mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, në mënyrë të sjellshme refuzoi të pranonte shpërblimin e tij për shkak të arsyeve fetare gjatë një interviste televizive, organizatorët u detyruan që të ulen dhe t’i kushtojnë vëmendje këtij rasti.
Shampanja u largua si shpërblim dhe në vend të pijes alkoolike, tani lojtarët marrin nga një trofe të vogël.
Por, ka ende sfida me të cilat klubet angleze përballen në menaxhimin e lojtarëve muslimanë, teksa Ramazani është një prej pikave kryesore të presionit.
Si mund të performojnë mirë lojtarët përgjatë 90 minutave të një ndeshje, kur 18 orë në ditë nuk ushqehen dhe nuk pinë asgjë?
Disa lojtarë këmbëngulin që të agjerojnë çdo ditë. Të tjerët mund të agjerojnë gjatë stërvitjeve, por jo në ditën kur zhvillohet një ndeshje. Klubet tentojnë t’i mirëkuptojnë lojtarët, por nuk mund të jetë periudhë e lehtë për lojtarët dhe menaxherët.
“Arsenali do të preferonte që unë të mos agjëroj, por ata e kuptojnë këtë si një moment të veçantë për mua dhe ata tentojnë që t’i akomodojnë gjërat në mënyrë që të më bëjnë mua të ndihem mirë”, ka thënë Abou Diaby sa i përket kësaj çështje.
Por, Demba Ba pranon se ka pasur probleme me menaxherët sa i përket Ramazanit, por thotë se ai ishte i drejtpërdrejtë.
“Sa herë menaxherët më kanë thënë se janë të pakënaqur për agjërimin tim, unë u kam thënë: ‘Dëgjoni, unë do të agjëroj. Nëse performanca ime është e mirë, do të vazhdoj të luaj. Nëse luaj keq, atëherë lirisht më ktheni në pankinë”, theksoi Ba.
Ish-sulmuesi i Stokes, Mamady Sidie shprehet: “Ka lojtarë që agjërojnë në ditët kur zhvillohen ndeshjet dhe po luajnë shumë mirë. Nuk është problem. Sidoqoftë, unë nuk agjëroj në ditët kur kam një ndeshje në mënyrë që të mos u japi arsyetim njerëzve”.
Këtë vit, Ramazani mbaron më 7 gusht, 10 ditë para fillimit të sezonit të Ligës Premier.
Edhe marrëveshjet sponsorizueze kanë qenë burim i tensionit mes lojtarëve muslimanë dhe klubeve. Ekipet që reklamojnë lojërat e fatit dhe bankat kreditore në fanellat e tyre i vënë lojtarët e tyre muslimanë në pozicion të vështirë, pasi kjo do të thotë se ata po shfrytëzohen për promovim të aktiviteteve që janë në kontradiktë me mësimet e islamit.
Muajin e kaluar, Papis Cisse ka thënë se po planifikon që të bisedojë me Newcastle Unitedin dhe me sponsorin e ri Wonga, sepse është i brengosur që besimi i tij në islam do të prekej nëse ai do të reklamonte kompaninë kreditore.
Sulmuesi i Crewes (klub nga kategoria e tretë) Nathan Ellington, thotë se ai nuk mund të ndikojë se cilin sponsor duhet ta zgjedhë klubi.
“Mendoj se kjo është jashtë dorës së muslimanëve. Edhe pse nuk lejohen lojërat e fatit, kjo është një gjë në të cilën nuk mund të ndikoni”, theksoi ai.
Portieri i Wiganit, Ali Al-Habsi pajtohet me këtë mendim: “Ne jemi lojtarë dhe këto gjëra vijnë nga klubet e futbollit. Ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë. Ne thjesht bëjmë punën tonë”.
Edhe tifozët po familjarizohen me muslimanizmin.
Kur menaxheri i Newcastle, Alan Pardew aludoi se starti i dobët i Demba Ba-së në sezonin 2011-2012 ishte për shkak të agjërimit, tifozët numëruan secilin gol që ai shënoi gjatë Ramazanit dhe festuan bashkë me të duke kënduar këngën “Just Can’t Get Enough” nga Depeche Mode.
Fëmijët që luajnë futboll në parqet e Newcastle janë parë duke u ulur në gjunjë në shenjë lutjeje ndaj Allahut pas shënimit të një goli.
Këta fëmijë, ndoshta nuk e kuptojnë se çfarë po bëjnë, por është një shenjë e madhe se praktikat e muslimanizmit po bëhen dita ditës më të familjarizuara për kulturën britanike.
EDITOR
11 years ago
previous article
Yjet e futbollit që agjërojnë (FOTO)
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago