Categories
Opinione

Islamistët dhe projektet që po vazhdojnë!

Kurorëzimi i ngjarjeve në Lindje të Mesme me grusht-shtetin në Egjipt paraqet një tabllo të re në marrëdhëniet ndërkombëtare sidomos të qasjes së shteteve arabe ndaj lëvizjeve islame. Ishte e çuditshme por edhe tronditëse për botën islame deklarata e djeshme e shefit të policisë së Dubait, njëri me influencë në Emiratet e Bashkuara se armiku kryesor i arabëve nuk është Izraeli e as Irani por lëvizja Vëllazëria Muslimane. Intervista e tij dhënë televizionit al-Arabija se “Shkretëtira arabe do të jetë varri i kësaj lëvizje” edhe më shumë qartësoi qëndrimet e pushtetarëve të Gjirit Arabik. Pak orë pas grusht-shtetit në Kajro, Arabia Saudite njohu presidentin e emëruar nga gjeneralët egjiptian ndërsa 5 ditë më vonë, së bashku me Kuvajtin dhe Emiratet ndanë 12 miliard dollarë si ndihmë për gjeneralët që rrëzuan Muhamed Mursin, presidentin e parë egjiptian të zgjeshur me vota të lira. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian po premtojnë ndihma të tjera.
Raportet në dukje si dhe qartësimi i pozicioneve të vendeve islamike karshi lëvizjeve politike të rajonit po tregojnë se e vërteta nuk qenka ashtu siç dukej. Ekzistonte një mendim se qeveritë arabe po bëhen më të ndjeshme ndaj të kaluarës së tyre islame si dhe ndaj ardhmërisë së rajonit, por nuk doli ashtu. Vet Gjiri Persik është i shqetësuar nga fitoret e islamistëve. Ganushi, lideri islam i Tunizisë nuk shikohet me sy të mirë nga monarkët e naftës, ndërsa Muhamed Mursi teksa kishte kërkuar mbështetje, nga shtetet e arabe të pasura me naftë u kthye duar thatë, përveç një ndihme simbolike të Katarit dhe disa metelikë nga Arabia Saudite. Vlen për tu ditur që Arabia Saudite kishte kontribuar grusht-shtetin në Egjipt, pasi partia Nur që ishte pjesë e koalicionit dhe e themeluar me ndihmën saudite, nga njëra anë kishte arrit të ndajë votat e Vëllazërisë Muslimane e nga ana tjetër i dha bekimin ushtrisë për të përmbysur Muhamed Mursin.
Titulli “Arabia Saudite njëjtë si Izraeli” i shkruar me shkronja të mëdha në Yeni Safak, gazetë prestigjioze e Turqisë tregon pozicionin e qeverisë së Erdoganit në raport me Egjiptin e Vëllazërisë Muslimane. Deklarimet e ashpra të Erdoganit në mbrojtje të Mursit se nëse këtij të fundit i ndodh diçka, Turqia nuk do të rrijë duarkryq, bëri që dy aktorët kryesorë të rajonit të përshpejtojnë deklarimet se janë të kërcënuara nga Egjipti islamik; Në fakt, për sauditët Mursi konsiderohej kërcënim për shkaqe të regjimit kurse për Izraelitët për shkaqe sigurie. Në këtë amulli, sikur në mjegull, Siria u mundua të përfitoj diçka; Edhe pse Arabia Saudite nga fillimi kishte përkrahë ushtarët selefitë në luftë kundër regjimit sirian, Damasku mbështeti qëndrimin e Rijadit karshi Kajros zyrtare. Asadi, nga njëra anë në stilin e dhelprës provoi të zbusë Arabinë Saudite e nga ana tjetër gjeti momentin për hakmarrje ndaj Muhamed Mursit. Kryetari egjiptian disa herë i kishte bërë thirrje regjimit sirian të dorëzojë pushtetin dhe të iku në Rusi, nëse donë të shpëtojë popullin dhe kokën e vet.
Kur Ahmet Davuoglu kishte thënë se nuk e sheh me sy të mirë rrëzimin me tanke të një qeverie që ka marrë 52% të votave, ai kishte lënë të kuptohej se Ankaraja është kategorike kundër grusht shteteve, kudo që ndodhin ato. Vet Turqia kishte hekë të zinjtë e ullirit nga puqet ushtarake. Ushtria turke disa herë kishte rrëzuar qeveritë e vendit, sidomos të krahut islamik. Nën llupën e gjeneralëve laik vëzhgohej çdo lëvizje islame, mbase, në këtë vend, deri para pak vitesh, ata që kryenin medresenë “Imam hatip” e kishin vështirë të vazhdonin shkollimin nëpër universitetet turke, ndërsa regjistrimi në akademitë ushtarake as që mund të merrej me mend. Medresantëve u mbetej të vazhdonin shkollimin nëpër universitetet arabe dhe kur ktheheshin nga atje ishin më të zëshmit kundër laicizmit sekularë të promovuar sidomos nga ushtria turke.
Shikuar nga prizmi i kallaballëkut të turmave, mes Taksimit dhe Tahririt nuk ka shumë dallime. Në të dy këto sheshe u kërkua rrëzimi i qeverive. I pari dështoi, ndërsa në të dytin fituan rebelët të cilët edhe më tutje mashtrojnë opinionin se kinse nuk u intereson kush vjen në pushtet e që janë të udhëhequr vetëm nga vullneti për demokraci dhe nevoja për shpëtimin e Egjiptit nga islamistët e Muhamed Mursit.
Kjo frazë, mbase shumë idealiste do të kishte pirë ujë nëse emrat në vijim nuk do të ishin  njohur nga opinioni i gjerë. Një, Adli Mensur, ish kreu i Gjykatës Kushtetuese i përkëdheluri i diktatorit Husni Mubarak u emërua për president të Egjiptit ku u soll mbi tanke dhe i ruajtur me helikopterë. Po flitet se është nga sekti sebeijë, me prejardhje izraelite. Dy, Muhamed el-Baradei,  drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore i kohës së ish diktatorit Mubarak u emërua për kryeministër. Edhe pse u refuzua nga partia selefiste Nur, thuhet se ai do të emërohet për nënkryetar të shtetit dhe se do të kalojë në postin e kryetarit posa të tërhiqet Adli Mensuri i përkohshëm.  Tre, Amr Musa, ish sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe i cili njihej për afërsinë e madhe me “trashëgimtarin e fronit të Egjiptit” Xhemal Mubarakut, u propozua sërish për ministër të jashtëm që i tillë kishte qenë edhe më parë. Amr Musa, nga pozita në Ligën Arabe ndihmoi Jeremiçin e Serbisë në  parandalimin e njohjeve të reja për Kosovën. Katër, së fundmi për kryeministër të vendit u emërua Hazem el-Beblavi, ish ministër i financave i cili saktësisht e di se ku gjenden 100 miliardët e familjes së Mubarakut të hedhura jashtë shteti “për rast nevoje”. Njëjtë me te, edhe Gadafi i Libisë kishte “siguruar” jashtë shtetit mbi 700 miliard, nga to vetëm në bankat e SHBA-ve mbi 300 miliard, si dhe Zejnul Abidini i Tunizisë që “me thes” kishte dërguar në Francë.
Ka kohë që për Lindjen e Mesme përgatiten projekte. Të njohur janë Projekti i Lindjes së Mesme të Re, Projekti i Lindje së Mesme të Madhe, Projekti Persian për Lindjen e Mesme, Projekti Izraelit për Lindje të Mesme e disa të tjerë. Edhe Iraku me shumë naftë është projekt në vete, sikur që ishte projekt Mauritania e cila së bashku me Saharanë Perëndimore kanë bregdetin më të pasur në botë me peshq. Pak muaj më parë Mauritania mezi u lejua nga Bashkimi Evropian për të nxjerrë nga ujërat e veta jo më shumë se 100 tonelata peshk në kompensim që anijet spanjolle të marrin sa të donë dhe “hiq pa pare!”. Së fundi projekti i ndërhyrjes së trupave franceze dhe mbetja e tyre “ilelebed” në Mali po reflekton një dëshirë të dyfishtë të Francës; shtypjen e rebelëve islamistë e më shumë të ndihmojnë në eksploatimin e xeheroreve të cilat po dalin të jenë më të pasurat në tokë me hekur dhe minerale tjera.
Nëse zhurma e madhe që po bëhet rreth Lindjes së Mesme nuk është vetëm Pranvera Arabe e që unë dyshoj në te, atëherë pasuritë e mëdha të rajonit janë shkaqe të mjaftueshme për shtetet e fuqishme që, nëse kërkon nevoja edhe forcat ushtarake të dërgohen atje.  Siç po shihet, po ekzistuaka një rregull i pashkruar i cili në mënyrë cinike tregon se nëse nuk je në gjendje të projektosh për vetveten, atëherë duhet pranuar projektet e të huajve për ty. Rasti i dytë është i rëndë për qytetarët, por për pushtetarët e paskrupullt është më i miri i mundshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version