Categories
Opinione

Islamoneveria vs Islamokracia: simbioza e ekstremeve

Në mjaft vende perëndimore prania e myslimanëve si kontingjent emigracioni gërshetohet me probleme sociale – rendi, punësimi, shpërndarja e pasurisë,  diversiteti – dhe ushqen ndjenjën e frikës ndaj një trume e natyrisht sistemit përkatës të vlerave – që mund të ketë edhe natyrë etnike, me prapavijë racore, jo vetëm fetare – pa marrë pikënisje nga përjashtimi përçmues. Forca të djathta evropiane kanë bërë karrierë me valëvitjen e flamurit të pasigurisë sociale të shkaktueshme nga feja eTjetrit, që pastaj ka gjeneruar paragjykimin, komponentin bazë të koncepteve të lidhura me fetaro-fobinë. E nëse në këto vende është arritur tek fobia konceptuale (paragjykimi) përmes fobisë literale(frikës së ankthshme), në Shqipëri dominon rëndomtë paragjykimi publik, i degjeneruar në neveri dhe urrejtje, pa gjeneruar frikë kolektive. Për të mos thënë, madje, se ndjenja e frikës ndaj Tjetrit jo vetëm që perceptohet shumë e mjegullt në shoqërinë shqiptare, por paradoksalisht është Tjetri që frikësohet nga reagimi i paragjykuesve, dhe do të shtoja gjithashtu se tek ne kjo është traditë e konsoliduar, aq sa tashmë paragjykimi në ligjërimin (tonë) elitar duket si eufemizëm.
Mekanizmi paragjykues shtrihet nga nënvlerësimi i thjesht deri tek neveria që tradhton mendësinë e revanshit, urrejtjes dhe përjashtimit ekstrem. Ai përfshin një mori pretendimesh, shpesh herë me arsyetime historiografike e sociologjike, që shigjetojnë fenë islame në trevat shqiptare dhe komunitetin përkatës. Dominon papajtueshmëria që me gjenezën e islamit në trevat tona, ngaqë produkt «lindor», «aziatik», «i importuar nga hordhitë barbare», «i imponuar me dhunë» ose, në rastin më të mirë, me «joshje materiale» – çudi, sepse ne jemi edhe popull i famshëm për besën –, shkak i «prapambetjes» sociale e shkencore, e me radhë deri tek përjashtimi nga komb dhe shtetformimi. Këtu nënvizohet vonesa e shpalljes së pavarësisë për shkak të pranisë islame, por edhe dështimi i Wied-it, dominimi i Zogut, komunizmi i Enver Hoxhës e deri tek dështimi i vonesës në integrimin evropian. Heroi kombëtar, derivat i elitave rilindëse në kërkim të elementeve të përbashkëta funksionale, qarkullon fuqishëm me nofka fetare, aq sa në disa raste nuk citohet fare kontributi i tij kombëtar. Ndërkohë që nofka dhe elozhe të ngjashme kanë pasur konotacion thellësisht politik dhe janë mbajtur edhe nga Mbrojtës si Mussolini, Franco e mjaft kolegë të tyre, pa hyrë në shekujt më të hershëm ku gëlon metaforizimi.
Mekanizmi prodhohet nga dy shtresa elitare: pushteti politik dhe pushteti kulturor. Elitat me pushtet politik nisen nga kompleksi i inferioritetit, pragmatizmi, injorimi: që të gjitha shprehin  papërgjegjshmëri. Rasti më emblematik është ai i ish-presidentit Mojsiu, i cili gërvishtej në Londër për të treguar se islami në Shqipëri është sipërfaqësor dhe si popull në brendësi jemi të krishterë, pagan jo më. I një tjetër natyre është përdorimi nga Ilir Meta i justifikimeve me ngjyresa fetare – Konferenca famëkeqe nga e cila Meta mund të na kishte përjashtuar kur ishte kryeministër apo zëvendës – për dështimin e politikës në mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Indirekt, por gjithmonë i papërgjegjshëm dhe ushqyes i përçmimit, është fenomeni (tashmë) i ëndrrës së Namazgjasë, ku pozita e sotme dhe e djeshme përdorën nevojat fetare për pazarllëqe votash. Po në kuadrin e elitave politike është mënjanimi që vjen prej shkeljes së laicitetit nga vetë organet shtetërore: shpallja e ditës së lumturimit të Nënë Terezës – fenomen i shpjegueshëm dhe i vlerësueshëm vetëm me normat fetare – si festë kombëtare nënkupton shtimin e festave fetare – nga dy (si të gjithë) në tre – të një komuniteti specifik ose fetarizimin (tradicional) të hapësirave publike kombëtare, megjithëse laike me letra.
Por nëse politika e përcjell, e legjitimon, e mbështet ose e toleron mekanizmin, janë elitat me pushtet kulturor laboratori i vërtetë i tij. Një aspekt është fajësimi i fesë për fatkeqësi kombëtare. Vështirë të ketë rival pohimi i Ardian Ndrecës i shprehur në një konferencë ndërkombëtare, e jo në një ndërtesë periferike, dhe i publikuar (Tempi, 08.09.2012): «Che il comunismo albanese sia stato di matrice islamica lo dimostra l’accanimento speciale nei confronti della Chiesa cattolica e dei suoi membri». Jo vetëm që këtu akuzohet feja islame si prapavijë doktrinare e komunizmit shqiptar, por persekutimi komunist ndaj Kishës Katolike ishte i egër më shumë për shkak të formatit islam se sa të ideologjisë komuniste në vetvete, duke nënvizuar në këtë mënyrë (qartazi) se në Shqipëri ekziston një konflikt fetar. Të mos çuditemi pastaj nëse dikush kërkon zhdukjen e kësaj feje persekutuese, e nëse dikush nga pala tjetër, për reagim, kërkon llogoren e vet, agresive ose izoluese.
Islamofilia e Enver Hoxhës nënvizohet edhe nga Aurel Plasari, i cili arrin në këtë përfundim përmes dekontekstualizimit të citimeve të diktatorit: «Hoxha në shkrimet e veta lartonte islamin duke denigruar krishterimin» duke përdorur, sipas Plasarit, «shprehje fundamentaliste që do të tingëllonin të pabesueshme në gojën e një marksist-leninisti “ateist”»  – vini re që termi ateist është në thonjëza (Panorama, 30.08.2013). Akuza e boshtit islamik të komunizmit shqiptar është ngritur në vitet e pluralizmit nisur edhe nga mbiemrat e Enverit, Mehmetit e ndonjë hierarku tjetër ose nga origjinat e tyre familjare, të nënvizuara si fakte historike. Që ky argumentim është njëherësh i ligët dhe grotesk mund ta vërejmë në plot shembuj nga historia, që tejkalojnë mbiemrin. Kështu, Mussolini studioi dy vite pranë salezianëve derisa e përjashtuan, fakt i cili nuk e pengoi të nënshkruante konkordatin me Selinë e Shenjtë; babai i Slobodan Milošević-it kishte qenë mësues feje, kurse Stalin-i studioi në një seminar ortodoks teologjie, e pjesëtarë të klerit katolik – françeskanët në veçanti – morën pjesë direkt në masakrat e organizuara nga ustashat kroatë. Po rasti gjerman? Menjëherë pas fillimit të luftës me Poloninë, letra pastorale ipeshkvnore (cituar nga Guenter Lewy) vijonte: «në këto çaste vendimtare mbështesim dhe nxisim ushtarët katolikë, që i binden Führer-it, të realizojnë detyrat dhe të jenë gati të sakrifikojnë çdo gjë». Gjithashtu, fitorja mbi Poloninë u shoqërua «me jehonën e kambanave», «çdo mesditë» për «një javë resht», pas 30 shtatorit. Këto janë fenomene klasike të historisë së njerëzimit, që tradicionalisht kanë implikuar fetë, por kurrsesi nuk mund të akuzohen religjionet si bazë e këtyre ideologjive, edhe në rastet kur janë përdorur për legjitimitetin e tyre.
Plasari na dhuroi këto ditë shembullin e një forme tjetër të paragjykimit përjashtues, gërshetuar me fenë.Në replikën drejtuar Orgest Azizitkundërshtari shpallet armik dhe nuk emërtohet (për amplifikim denigrativ) – siç do të ishte normale, aq më tepër kur pozita olimpike e Plasarit është res publica dhe jores privatae – përveçse me stigma, ku spikasin kategoria e «kurbetçiut», në të cilën ndodhën mbase 2 milion shqiptarë, dhe kategoria fetare e «xhihadistit» – e shprehur tre herë, përfshi formën «xhihad». Megjithëse nuk ka asnjë gjurmë teologjike në shkrimin e Azizit të denjë për të identifikuar ndonjë formë latente xhihadi, drejtoi i bibliotekës tonë kombëtare, i justifikuar mbase – si në rastin e Enverit – nga mbiemri i armikut, lëshohet pa teklif mbi Tjetrin, me terminologji të rezervuarit islam, me valencën e saj më negative, në këto ditë mediatikisht të nxehta ku xhihadi qarkullon si problemi shqiptar numër Një dhe si vatër paniku. E kjo për ta ndëshkuar si antagonist fetar – sikur edhe Plasari është në pozita të tilla – që xhihadon, madje, edhe kundër organit të respektuar të komunitetit katolik, Hylli i Dritës: pra ndodh kalimi nga dimensioni personal tek ai kolektiv fetar e kulturor.
Rëndësi ka t’ia fillojë njëri, se pastaj inercia u hap rrugën të tjerëve. Agron Gjekmarkaj (Panorama, 19.03.2014) i shton dekoracionit termat «muxhahidin» e «kamikaz» dhe konsolidon «xhihadistin» e ‘kurbetçiun’ («muhaxhiri»). Të mendosh ndryshe nga Konica, Fishta, Harapi, Kuteli, Kadareja, At Zef Pllumi – lista e emrave të përdorur nga Gjekmarkaj – Plasari, Gjekmarkaj etj, është xhihad, kurse i ndryshmi është kamikaz e muxhahidin, dhe vini re që stigmatizimi amplifikohet sërish nga terminologjia me konotacion direkt ose indirekt islam: autori e hap artikullin me kamikaz dhe e mbyll me xhihadist. Duke e shpallur mendimin ndryshe armik dhe duke njësuar me armikun një fe specifike, automatikisht edhe feja në fjalë kalon në llogore; nisur nga paradigma se mendimi ndryshe është i pështirë – «i pafytyrë», «glasë» etj – e tillë do të jetë edhe feja që i bashkëngjitet të keqes dhe që përdoret për ta ekzaltuar atë më mirë.
Elita të tilla, me këto mekanizma integral-iste, që burojnë nga bindja e palëkundur se përfaqësojnë ekskluzivitetin e të DrejtësOlimpitVlerësNjësisë matëse, e kanë konceptualisht të pamundur ta pranojnë të Ndryshmen, prandaj synojnë ta integro-jnë përmes tjetërsimit ose ta përjashtojnë përmesdenigrimit e formave të ngjashme të paragjykimit. Ku nuk është e mundur, bashkëjetojnë me Tjetrin duke e izoluar ose duke e inferiorizuar. Pas këtij teatralizimi të përjashtimit, Azizi do të izolohet, do të realizojë veten diku larg apo do të vazhdojë të jetë i lirë dhe i ndryshëm? Vetëm e para tolerohet nga elitat e mësipërme, ndërsa e fundit do të konsiderohet terrorizëm. Dhe vend ka për të gjithë, sidomos kur mendimi yt ndryshon – nga formati i caktuar prej tyre – në lidhje me çdo fenomen, qoftë edhe me reminishencë të largët fetare – provo ta trajtosh periudhën osmane profesionalisht.
Vijmë tani tek pikënisja e artikullit. Iu kërkua me ngulm KMSH-së, teologëve dhe myslimanëve të thjesht të shkojnë xhami me xhami e t’i ndriçojnë mendjet e njerëzve. Ja, shkoi dikush. E çfarë do t’i thotë? Pse nuk respektoni kontratën me shtetin, por kërkoni islamokraci në Siri ose, në formë hibridi, në hapësira të izoluara në Shqipëri? Pse nuk hapeni me shoqërinë? Po me cilin shtet – mund të replikojnë – me atë që na konsideron një sipërfaqe false lehtësisht e gërvishtshme, me atë që na referohet për të justifikuar dështimet e veta apo me atë që na lëpihet për vota? Me cilën shoqëri, me atë që përfaqësohet nga logjika e barazimit të fesë time me komunizmin, që më vjedh simbolet kombëtare, të cilat ti, interlokutor, më kërkon mua t’i respektoj si pjesë e kontratës, apo me atë që të ndryshmen e konsideron përherë negative, terroriste dhe natyrshëm islame?
Vërtet institucionet dhe e gjithë shoqëria duhet të punojnë bashkërisht dhe me seriozitet në emancipimin e segmenteve të izoluara. Por si? Duke i thënë “bëhu një fotokopje imja” ose përndryshe je terrorist? Një punë serioze, si fillim, do të ishte mënjanimi i hipokrizisë patetike ku “islami ynë” propagandohet si “kokrra e mollës” njëkohësisht “e krimbur”.

Exit mobile version