Categories
Lajme

Izraeli sulmon Sirinë nga ajri

BBC raporton se avionët ushtarakë izraelitë kanë kryer një sulm ajror në brendësi të Sirisë, duke shfrytëzuar hapësirën ajrore libaneze.
Sipas gjigantit britanik, e cila citon zyrtarë amerikanë, sugjerojnë se objektiv i sulmit ka qenë një depozitë armësh, të cilat thuhet se do t’i dërgoheshin lëvizjes libaneze të Hezbollahut.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimati, thonë se sulmi ajror izraelit ka ndodhur të enjten ose të premten, por avioni nuk ka hyrë në hapësirën ajrore siriane dhe ka qëlluar nga ajo libaneze.
Ende nuk ka një konfirmim nga qeveria izraelite apo ajo siriane. Një zëdhënës i ambasadës izraelite në Uashington refuzoi të bënte komente.
Por, i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, ai tha: “Ajo që mund të themi është se Izraeli është i vendosur të parandalojë transferimin e armëve kimike ose armëve të tjera nga regjimi sirian tek terroristët, sidomos tek Hezbollahu në Liban”.
Ambasadori sirian në OKB tha ndërkohë se nuk ishte në dijeni të ndonjë sulmi izraelit ndaj vendit të tij.
Ndërsa ushtria libaneze lëshoi një deklaratë në të cilën thuhet se, avionët luftarakë izraelitë kishin fluturuar mbi hapësirën ajrore libaneze për disa orë. Vetë presidenti libanez, Michel Suleiman akuzoi Izraelin për shkelje të ligjeve ndërkombëtare.
Agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë ngritur së fundmi shqetësimin se regjimi sirian ka përdorur armë kimike, veprim ky që Shtetet e Bashkuara e kanë përkufizuar si “vija e kuqe”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version