E përditshmja sportive italiane “Gazzetta Dello Sport” ka publikuar 5 futbollistët e rinj më të mirë në botë, ku në vend të parë është mesfushori me origjinë shqiptare Adnan Januzaj, që për momentin është talenti i ri më i mirë në futboll. “Dita e mirë duket që në mëngjes”, – thotë një shprehje e urtë dhe, duke iu referuar këtij proverbi, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për lojtarët e mëdhenj.
JANUZAJ
19-vjeçari Januzaj është emri i parë i propozuar nga prestigjiozja italiane. Në Angli thonë që me vajzat nuk është tip i hedhur, por në fushën e lojës është vërtet shpërthyes. Shënoi që në debutim me Sunderlandin, duke u bërë lojtari më i ri që realizon dy gola në një ndeshje me fanellën e “Djajve të kuq”. Të ardhmen e tij në nivel klubesh e ka zgjedhur, pasi ka një kontratë me Mançester Junajtid deri në vitin 2018, kurse për kombëtaren është ende i pavendosur. Vlera e kartonit të Januzajt ka shkuar në afro 40 milionë euro. Kujtojmë, është vetëm 19 vjeç.
PIAZON
Emri i dytë është Lukas Piazon, 20-vjeçar. Aktivizohet në radhët e Viteses në kampionatin holandez dhe flitet se i ka këmbët të arta, pasi me to bën gjithçka, pason, godet, driblon dhe e kontrollon shumë mirë topin me të parën. Ka pak mangësi fizike, por nëse zgjedh Çelsin për të vijuar karrierën në të ardhmen, me siguri Murinjo do të dijë ta vërë në rresht edhe në këtë aspekt, duke e perfeksionuar dhe duke i dhënë shansin, ashtu siç Ferguson bëri me Adnan Januzajn.
MITROVIÇ
Emri i tretë është serbi Aleksandër Mitroviç, 19-vjeçar. Besnik Hasi thuhet se është me fat që e ka në skuadër tek Anderlehti, por me shumë gjasa nuk do të arrijë ta mbajë edhe për shumë kohë. Në Europianin e 19-vjeçarëve Mitroviç u vlerësua si futbollisti më i mirë i kompeticionit. Një pykë tipike europiane, që ndoshta nuk është shumë i bukur për t’u parë në fushë, por që di si ta dërgojë topin në rrjetë. Fundja, tifozët këtë duan në fund, golat.
BERARDI
Emri i katërt është 19-vjeçari Domeniko Berardi. Futbollisti i Sasuolos, i vetëm, ishte në gjendje të shkarkonte nga stoli trajnerin Alegri, teksa i shënoi katër gola Milanit të tij. Në Itali e cilësojnë si një talent të vërtetë, por ka një problem, karakterin, që thonë se është më i keq edhe se i vetë “Djalit të keq”, Mario Balotelit, më problematiku jo vetëm në Serinë A.
HALILOVIÇ
Emri i pestë dhe i fundit në këtë listë që ju propozojmë është dhe 17-vjeçari Haliloviç. Javën e kaluar firmosi me Barcelonën. Në pamje i ngjan Luka Modriç, por thonë se me këmbët është më magjistar se futbollisti i Realit të Madridit. Të gjithë presin me padurim ta shohin në fushë, duke shpresuar se do të kenë gjetur Lionel Mesin e ri, në stilin ballkanas. 17-vjeçar dhe të firmosësh një kontratë milionere, ndodh vetëm me këtë talent.
(d.d/E.Ilnica/BalkanWeb)
Categories