Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan po vjen i shoqëruar jo veç nga meshkujt e gjatë dhe trup gjerë që i shkojnë pas çdo herë. Ai do të ketë në krah bashkëshorten e tij, zonjen Emine Erdogan.
Zonja Erdogan, është një grua që ka një reputacion ne vendin e saj por edhe në shumë vende të lindjes. E mbuluar me shaminë, sipas rregullave islame, ajo evokon shpesh për barazi gjinore.
Në Kosovë ajo do të bëj vizitë në monumente kulturore, fetare e historike në Prizren dhe Prishtinë.
Emine Erdogan ka lindur në Stamboll dhe në jetën e saj kryesisht është përpjekur që të fuqizojë rolin e gruas në shoqëri dhe politikë.
Emine kishte qenë pjesë e një iniciative shumë vite më parë, “Shoqata e Grave Idealiste” dhe gjatë kësaj kohe e kishte takuar Recep Tayyip Erdogan. Ata u martuan në vitin 1978 dhe kanë katër fëmijë.
Pakistani e ka nderuar gruan e kryeministrit turk me çmim shtetëror, për kontributin që ajo kishte dhënë në mbledhjen e fondeve për të kaluar gjendjen pas përmbytjeve në këtë vend në vitin 2010.
Një vit më vonë në Forumin “Crans Montana” ajo merr çmim. Kësaj here për rolin në emancipimin e gruas. Ceremonia ishte mbajtur në Bruksel.
“Ne besojmë se të gjitha gratë në botë meritojnë mundësitë maksimale sociale dhe politike. Të drejtat e grave në gjeografinë tonë nuk duhet të sakrifikohen për bilancin e fuqisë dhe shqetësimet e sigurisë të disa regjimeve.
Ne kemi parë gra të shumta të cilat përjetuan momente të vështira, qoftë nga fatkeqësitë në Pakistan, varfëria në Bangladesh, apo humbjet e burrave të grave në Palestinë, Irak.
Ne kemi parë shumë gra të cilat janë abuzuar si në perëndim dhe në lindje. Ato të gjitha kanë një gjë të përbashkët, e cila është të qenit një njeri dhe një grua.
Prandaj, unë besoj se lufta jonë për paqe, demokraci dhe liri duhet të vazhdojë me një vendosmëri të madhe.
Dua të ritheksoj edhe njëherë që ne refuzojmë standarde të dyfishta dhe diskriminim në këtë luftë”, kishte thënë ajo në këtë forum.