Të hyrat vjetore të presidentes Atifete Jahjaga për këtë vit janë 2,873.20 euro. Gjatë viteve të kaluara, të hyrat vjetore kanë qenë 34,478.40 euro. Para të gatshme të mbajtura në banke, presidentja Jahjaga ka deklaruar shumën prej 47,853.36 euro.
Sivjet presidentja ka deklaruar se duhet të paguajë edhe shumën e kredisë prej 3,000.00 euro, që duhet ta kryejë për pesë vjet.
Edhe në formularin e këtij viti, sikurse gjatë dy viteve të kaluara, presidentja Jahjaga e ka lënë të zbrazët rubrikën: pasuri e paluajtshme.
Në bazë të deklarimit të sivjetshëm në AKK, i bie që presidentja Atifete Jahjaga nuk e posedon më veturën Golf, vlera e së cilës ishte deklaruar 6 mijë euro. Në formularin e këtij viti nuk është deklaruar blerja e ndonjë veture të re.
Në bazë të formularëve të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), presidentja e vendit, Atifete Jahjaga nuk ka ndonjë pasuri të paluajtshme.
Kryeministri ndërtues
Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka blerë veturë të re, por vazhdon që të shfrytëzojë veturën VW Passat, në pronësi të gruas.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për këtë vit ka deklaruar se në bankë i ka të depozituara 2,430.00 euro. Vitin e kaluar kryeministri kishte deklaruar se shuma e depozituar në bankë ishte 18,600.00, që i bie se ai ka shpenzuar më shumë se 16 mijë euro prej parave të gatshme.
Ndërkohë, në formularin e deklarimit të pasurisë së kryeministrit Thaçi janë të njëjtat të dhëna të publikuara edhe gjatë vitit të kaluar.
Kreu i Ekzekutivit ka deklaruar se për ndërtimin e shtëpisë 700.00 m2, po investon paratë nga shitja e shtëpisë në vlerë 220,000.00, dhe gjithashtu kishte marrë kredi në vlerë prej 100,000 euro në NLB.
Te pasuria e paluajtshme, është deklaruar tokë për ndërtimin e shtëpisë në vlerë prej 157,000.00, në sipërfaqe prej 15.75 arë, e cila është financuar nga shitja e shtëpisë në lagjen “Arbëria”, në vlerë prej 260,000 euro.
Kryeministri ka deklaruar tokë bujqësore të përbashkët prej 7.00 hektarësh, në vlerë 180 mijë euro. Gjithashtu, ka deklaruar një shtëpi të përbashkët familjare prej 250.00 m2, në vlerë 80,000.00 euro.
Në bazë të formularit të dorëzuar këtë vit në AKK, kryeministri Thaçi nuk ka blerë veturë të re, por vazhdon që të shfrytëzojë veturën VË Passat, në vlerë 13,000.00, e blerë nga kursimet, e që është në pronësi të bashkëshortes së tij.
Krasniqi ruan paratë në bankë
Ndërkohë, kryekuvendari Jakup Krasniqi ka deklaruar një veturë Chevrolet, dhuratë nga vëllai i tij, Daut Krasniqi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar në AKK një shtëpi me vlerë prej 300,000.00 euro, si dhe një tokë të përbashkët me tetë vëllezërit në fshatin Negroc të Drenasit, me vlerë prej 75,000.00 euro. Gjithashtu, kryeparlamentari ka deklaruar një veturë Chevrolet, dhuratë nga vëllai i tij, Daut Krasniqi.
Në bazë të formularit të deklaruar, kryekuvendari këtë vit nuk ka shpenzuar asnjë cent nga shuma e gatshme në bankë në vlerë prej 18,024.26 euro.
Agjencia kundër Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë të zyrtareve të lartë publik nga Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Qeveria, Agjencia kundër Korrupsionit, Gjykatat e Kosovës si dhe Prokuroritë, të cilët janë të përfshirë në listën e zyrtarëve të lartë publik në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave.
“Në këtë fazë, janë publikuar regjistrat e rreth 1900 zyrtarëve të lartë publik që përfshijnë vetëm zyrtarët e institucioneve të lartë përmendura”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
AKK-ja publikon për cdo vit deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë publik.
Categories