Portali sportiv italian “Sportmediaset” ka publikuar një studim të hollësishëm mbi vlerën e 500 futbollistëve që luajnë në klube të ndryshme evropiane dhe që mund të lëvizin në merkaton e verës.
Pjesë e listës janë edhe të paktën 8 lojtarë të Kombëtares shqiptare, për të cilët jepet vlera e kartonit dhe paga që përfitojnë në një sezon.
Kështu, futbollisti kuqezi që ka vlerën më të lartë të kartonit është Lorik Cana i Lacios, i cili mund të blihet për 6 milionë euro dhe shuma që 29-vjeçari përfiton çdo vit është 1.7 milionë euro.
Pas kapitenit vjen portier 24-vjeçar i Palermos, Samir Ujkani, i cili vlerësohet 3 milionë euro me një rrogë vjetore 350 mijë euro.
Migjen Basha i Torinos, i ditëlindjes 1987, e ka çmimin e kartonit 1.5 milionë euro, ndërsa rroga e tij arrin shifrën e 300 mijë eurove në sezon.
I transferuar në janar te Katania, kartoni i Edgar Çanit vlerësohet 1 milion euro, ndërsa përfitimi vjetor i vetë futbollistit kap shifrën e 150 mijë eurove.
Për të blerë mbrojtësin e Empolit, Elseid Hysaj, duhen paguar 900 mijë euro, ndërsa rroga e tij aktuale është 20 mijë euro në sezon deri në vitin 2015.
600 mijë euro kushton kartoni i Jahmir Hykës, i cili përfiton 200 mijë euro në sezon te Luzerna në kampionatin zviceran.
Erjon Bogdani dhe Armando Sadiku, kontratat e të cilëve me Sienën dhe Luganon skadojnë në fund të sezonit, mund të merren me parametër zero, ndërsa rroga është 250 mijë euro për 36-vjecarin dhe 100 mijë euro për 22-vjeçarin nga Elbasani.
/Start/