Kodet QR i kemi parë të përfshira në shumë gjëra, nga pajisjet elektronike, tek revistat, në televizor e pothuajse në çdo lloj produkti që blejmë.
Cili është përdorimi më i fundit? Gjermanët e Mercedes-Benz kanë vendosur t’i përfshijnë kodet e skanueshme bardh e zi në makinat e tyre, vetëm e vetëm për të shpëtuar jetët e njerëzve.
Kodet QR do të jenë një kopje e skemës së makinës. Në këtë mënyrë, shpëtimtarët do të dinë si ta çmontojnë makinën në rast se ajo ka bërë aksident. Pra, me pak fjalë, u jepet një ndihmë e madhe zjarrfikësve, mjekëve apo policisë, të cilët nuk kanë nevojë të “eksperimentojnë” me makinën për të gjetur pjesët e rëndësishme të saj si bateria apo serbatori.
Daimler, kompania mëmë e Mercedes-it, shprehet se do t’i bëjë më të disponueshme këto kode duke i vendosur ato në dy vende në makinë: njëri vend do të jetë prapa derës së vendit të karburantit dhe tjetra në pjesën e sipërme të makinës.
Daimler është shprehur se këto janë dy vende që shumë rrallë mund të rastisë që të dëmtohen të dyja në të njëjtën kohë. Për më tepër, ato janë mjaft të lehta për t’u parë nga jashtë.
Kodet QR mund të skanohen përmes një smartfoni të pajisur me një kamerë apo edhe një tablet që ka të njëjtat funksionalitete. Mercedes është shprehur i gatshëm të mos aplikojë për patentë duke u dhënë mundësi edhe kompanive të tjera ta shfrytëzojnë këtë ide në të mirë të njerëzimit. (PCWorld Albanian)
Categories