Kompania Facebook ka konfirmuar se do të lejojë përdoruesit mobile të çaktivizojnë ose të “fshehin” reklamat e shfaqura në faqen kryesore.
Kjo gjë vlen për profilet e ndryshme në Facebook që publikojnë reklama me foto ose linke. Opsioni është i disponueshëm për sistemet iOS, Android dhe për versionin ueb. Për versionin desktop opsioni ka qenë i disponueshëm që prej gjashtë muajsh.
Për të realizuar këtë gjë përdoruesit duhet të klikojnë butonin “X” në të djathtë të reklamës.
Në javët në vazhdim do të ofrohen edhe opsione të tjera shtesë si p.sh shfaqja e butonit “X” për reklamat e publikuara që të nxisin njerëzit të instalojnë një aplikacion të caktuar apo për reklamat e shfaqura kur miqtë e Facebook-ut kanë “pëlqyer” një faqe të caktuar.
Këto opsione do të jenë fillimisht të disponueshme për sistemin iOS më pas për Android.
Këto ndryshime janë mundësuar për të rritur nivelin e kontrollit të përmbajtjes në mënyrë që njerëzit të shohin ato gjëra që dëshirojnë, por njëkohësisht ky është edhe një sinjal më tepër për reklamuesit që do duan të drejtohen tek një audiencë tjetër. (PCWorld Albanian)
Categories