Ai quhet Floid, sikurse i ati, por tani kanë filluar ta thërrasin “Money Mayweather” (Mayweather Paraja). Arsyeja është e qartë: çdo përballje i sjell boksierit një lumë milionash.
Jo më kot revista prestigjioze amerikane “Sport Illustrated” e kurorëzon sërish Floid Meiuedhër (të riun) si sportistin më të pasur të vitit 2013. Boksieri amerikan ka futur në xhep plot 66.3 milionë euro, gjysmën prej të cilave vetëm në sfidën kundër meksikanit Kanelo Alvarez në shtator. 36-vjeçari konfirmohet në krye të renditjes së sportistëve më të paguar të globit, pasi e mori këtë vend në klasifikimin e vitit të shkuar.
Për momentin askush nuk duket ta kërcënojë, pasi ylli Majemi Hit në basketbollin amerikan, LeBron Xhejms, ndjek me 41.2 milionë euro.
Profil më i ulët për yjet e futbollit, që përfaqësohen me Dejvid Bekhamin. Ish-mesfushori anglez arkëtoi 35.3 milionë euro pikërisht në sezonin që i dha lamtumirën futbollit pas titullit të fituar me Paris Sën-Zhermenin.
Nuk mbetet pas as futbolli amerikan, me yllin e Nju Orlins Saints, Dru Bris, i cili këtë vit e ka shtuar llogarinë e vet me 34.6 milionë euro.
Më pas vijnë Kobe Brajant, Roxher Federer, Fernando Alonso, ndërsa në fund, të varfër mes të pasurve, gjigantët e futbollit evropian, Kristiano Ronaldo e Leo Mesi. Me “vetëm” 26 milionë euro të fituara, ky i fundit mbetet jashtë dhjetëshes së parë.
/Start/