Disa herë në opinionin publik shqiptar në Maqedoni është shtruar çështja e rolit të intelektualëve shqiptarë në rrjedhat e përgjithshme shoqërore të shoqërisë shqiptare. Gjithmonë është folur për një apati të tyre në drejtim të shfaqjes së mendimit intelektual për proceset shoqërore, qofshin ato politike apo të sferave tjera të jetës. Heshtja është veçoria dalluese e një shtrese të madhe njerëzish të shkolluar, të cilët veten kanë dëshirë ta quajnë intelektualë. Dhe më keq se të heshtë, atëherë kur duhet të flasë një intelektual nuk ka për një shoqëri.
Portalb, ka kërkuar mendimin e disa prej njohësve të rrethanave në shoqërinë shqiptare në Maqedoni duke i pyetur ata nëse intelektualët shqiptarë janë heshtakë (heshtin kur duhet të flasin) dhe nëse i përfill kush, kur nuk heshtin.
Kolumnistja, Adelina Marku thekson se Intelektualët i sheh si të heshtur dhe i sheh në pozitën e konformistëve. Dhe kjo. Sipas saj për për shumë arsye.
“Doemos që intelektuali konformist nuk e luan misionin e tij të vërtetë. Por, kjo është zgjedhje individuale. Jam e mendimit se fuqia  e intelektualit shkakton ndryshime shumë të mëdha në shoqëri. Me vetë faktin që intelektualët kanë heshtur do të thotë se dikush ka ushtruar dhunë ndaj tyre, ka shkaktuar frikë dhe situata të tjera të ndryshme”, thotë opinionistja Marku, duke shtuar se kjo është një heshtje me vetëdije dhe prandaj është e dëmshme, pasi e denatyron rolin e vërtetë të intelektualit në shoqëri.
Marku mendon se intelektualët kanë shumë ndikim në shoqëri, por ndikimi i tyre vjen në momentin kur ata do të shpërthejnë.
“ Ju pyetët se a i përfill dikush intelektualët? Intelektuali mjafton ta përfill veten dhe ta ketë opinionin e vet. Se a është i përfillur nga politikanët është pak me rëndësi, nga vet fakti që politikanët kanë heshtur intelektualin, në mënyra të ndryshme”, thekson ajo dhe shton se është e mendimit që ata nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën që e plasojnë intelektualët.
Shkrimtari dhe gazetari, Shkëlzen Halimi në shkrimet e tij të fundit ka pasur një qasje mjaft kritike për rrjedhat e arsimit shqiptar në Maqedoni. Halimi thekson se Shoqërisë shqiptare në Maqedoni ka kohë që i mungojnë intelektualët e vërtetë.
“Në vend të kësaj, fatkeqësisht, ne kemi intelektualë partiakë. Dhe, mund ta kemi të qartë se pse mungon përgjegjësia intelektuale, pse mungon debati për arsimin, kulturën, historinë, të cilat i kemi pothuaj në gjendje kome. Ndërkaq, intelektualët partiakë, siç ka dëshmuar praktika, janë të varur edhe prej kryetarëve të nëndegëve e degëve partiake dhe ata mund flasin vetëm kur të marrin instruksione” thekson Halimi.
Në këtë kontekst, Halimi kritikon edhe atë që ai e quan dorëzim vullnetar të intelektualëve.
”Është i pashpjegueshëm fenomeni i dorëzimit vullnetar në prehrin e partive politike. Intelektualët janë midis nesh, por janë të frikësuar deri në palcë nga “komandantët” lokalë, të cilëve u është “dhënë” e drejta sublime që të marrin dhe të japin të drejta, ashtu siç u thotë rradakja”, thotë Shkëlzen Halimi .
Më tej, ai shton se intelektualët tanë, tash për tash, edhe pse frymojnë midisi nesh, në fakt nuk paraqiten askund.
“ Kur mungojnë në opinion, atëherë vetvetiu bëhen të papërfillshëm. Ata duhet të çlirohen nga frika dhe të bëhen zë i vërtetë, zë kritik i dukurive negative, të cilat dita ditës vetën shtresohen mbi tabanin tonë kombëtar. U takon intelektualëve që t’i përcaktojnë orientimet strategjike të shoqërisë shqiptare, mungesa e të cilave ( e orientimeve) ka krijuar vetëm mjegullnaja, të cilat bëjnë që të sillemi në një rreth vicioz”, deklaron shkrimtari dhe gazetari Shkëlzen Halimi për Portalb.
Kritik për rolin që intelektualët luajnë në shoqërinë shqiptare shprehet edhe gazetari Ismail Sinani. Ai vlerëson se heshtja e intelektualëve dhe çështja se sa përfillen ata në shoqëri duhet parë nga disa këndvështrime.
“E para, duhet parë se kush në të vërtetë janë intelektualë dhe e dyta, nëse i pyet i dikush.
Në kushte dhe rrethana normale, nëse një popull ka dy universitete, ka me qindra shkolla, me qindra titullarë, vuajtja për vlera intelektuale, do të duhet t’i kalonte të kaluarës. Por, ja që këtu tek ne, nuk mund të flasim për gjëra të këtij dimensioni.”,  thekson në fillim të deklaratës së tij, gazetari Ismail Sinani.
Ai shton se kjo gjendje buron nga fakti se në Maqedoni, shumë shqiptarë që nuk e meritojnë një titull të tillë, sot shtiren se janë të pajisur me dije, e në fakt viteve të fundit, të gjithë jemi dëshmitarë se në çfarë pistash kanë ardhur deri te ky “post” intelektual në shoqëri.
“Kur gjendja është e këtillë siç është, natyrisht ata që janë intelektualë të mirëfilltë e kanë vështirë të shpërfaqen për ta dhënë mendimin e tyre për zhvillimet shoqërore, politike, sociale, ekonomike…Duke qenë situata kaq simptomatike, krijohet përshtypja se të gjithë kanë zgjedhur “mesin e artë” atë të heshtjes, me shpresë se “tjetri” do ta thotë atë që duhet thënë.”, thotë Sinani për Portalb.
Sinani vlerëson se në këtë mënyrë ne jemi futur në një rreth vicioz dhe assesi të dalim.
“Këtu duhet përmendur edhe heshtjen që buron edhe nga motivet financiare, pse jo edhe të shantazheve të ndryshme politike. Sot për fat të keq, edhe e vërteta shkencore, sidomos në fushën e ekonomisë ku shifrat flasin vet, nuk mund të thuhet për shkak të impaktit politik. Pra, kur heshtet para shifrave ekonomike, mos të flasim për gjërat e karakterit juridik, politik dhe diplomatic.”, thotë ndër të tjera gazetari Ismail Sinani. /Portalb