Gjatë Luftës Ballkanike, dy nga betejat më të ashpra për të mbrojtur vendin nga sulmi i ushtrive sllave dhe asaj greke u zhvilluan në Shkodër dhe Janinë. Siç është e ditur, me përjashtim të Shkodrës, ushtria osmane u mposhtë në të gjitha fushëbetejat gjatë asaj lufte.
Shqiptari Hasan Tahsin Pasha ja dorëzoi Selanikun grekëve pa asnjë rezistencë dhe pa kushte. Nga ana tjetër Shkupi u pushtua pas dështimit të ushtrisë osmane në betejën e Kumanovës. Më shumë se 100 topa të ushtrisë osmane u lanë në fushëbetejën e Kumanovës. Këta topa më pastaj i shfrytëzoj ushtria serbe për të pushtuar jo vetëm Maqedoninë por edhe Shqipërinë. Për këtë dështim ushtarak, gjatë asaj kohe, nga disa ushtarak osman akuzohej Mehmet Pashë Deralla (Kallkandelenli). Se a ishin akuzat e tyre të drejta, këtë përgjigje sot mund ta japin strategët ushtarak. Për këtë çështje, si autor i këtij shkrimi, do të përmendi vetëm disa fakte që janë të njohura. Disa vite pas kësaj lufte, djali i Hasan Tahsin Pashës u emërua deputet në parlamentin grek, përderisa djali i Mehmet Pashë Derallës u emërua deputet në parlamentin e Mbretërisë SKS. A u emëruan ata në funksionet në fjalë si faleminderim për rolin e baballarëve të tyre në Luftën Ballkanike, apo për diçka tjetër, për momentin nuk kam përgjigje të prerë. Por ia vlen që lexuesit e këtij shkrimi të mendojnë edhe për këto fakte.
Mirëpo jo të gjithë pashallarët shqiptarë u treguan të paaftë gjatë Luftës Ballkanike. Esat Pashë Toptani dhe Esat Pashë Janina e dëshmuan me vepër se e donin vendin e tyre. Njëri duke e mbrojtur Veriun e Shqipërisë përderisa tjetri duke e mbrojtur Jugun e Shqipërisë. Përderisa Esat Pashë Toptani është i njohur për shqiptarët dhe se meritat e tija për Shqipërinë tani më kanë dalë në shesh, Esat Pashë Janina është ende i panjohur për shumë shqiptarë . Mosnjohja e këtij pashai nga shumë shqiptarë është një dëshmi e trushpërlarjes që e ka arritur historiografia “shqiptare”. Esat Pashë Janina është pashai që gjatë Luftës së Parë Botërore e mbrojti Stambollin duke udhëhequr ushtrinë osmane në betejën e Çanakkales kundër ushtrive Angleze, Franceze, Australiane, Indiane, etj. Të mos njihet ky shqiptarë nga shqiptarët e sotshëm është një situatë absurde. Pa dyshim që ky pasha është një ndër pashallarët më të mëdhenj shqiptarë. Për shumë shqiptarë që dëshirojnë të identifikohen me ushtarak shqiptarë, do të ishte e drejtë që në sheshet e Shkupit, Prishtinës dhe Tiranës, e që janë uzurpuar me përmendoret e humbësit dhe shërbëtorit të Mbretit të Napolit (Skenderbeu), të zëvendësohen me ata të Esat Pashë Janinës.
Pas formimit të qeverisë së përkohshme që doli nga Kuvendi i Vlorës, Ismail Qemali prej Vlore i telegrafon Esad Pashë Janinës si vijon: “Me mirënjohje çmoj shërbimet e ushtrisë dhe ngadhënjimet e saj të korrura në Janinë kundrejt grekëve, ngadhënjime prej të cilave shpëton nga sulmi i armikut pjesa jugore e Shqipërisë.” Edhe pse me fjalë urohej qëndresa e ushtrisë osmane në Janinë, nga ana tjetër bëhej propagandë nga element të qeverisë së përkohshme në Vlorë për dezertim të ushtarëve shqiptarë. Propaganda bëhej e tillë ashtu që thuhej se nuk ka nevojë që të luftohet pasi që çështja e Shqipërisë është vendosur nga Fuqitë e Mëdha. Në këtë propagandë kishte gisht edhe vetë Ismail Qemali. Ai, që më herët në një marrëveshje të fshehtë me kryeministrin grek, Janinën ia kishte dorëzuar Greqisë. Marrëveshja në fjalë u bë publike në vitin 1913 kur caktohej kufiri në mes Shqipërisë dhe Greqisë. Qeveria greke pretendonte se kryeministri i qeverisë së Shqipërisë e kishte nënshkruar marrëveshjen për kufirin në mes Greqisë dhe Shqipërisë. Mirëpo Fuqitë e Mëdha nuk e njihnin autoritetit e Ismail Qemalit si kryeministër dhe prandaj e hodhën poshtë si të pavlefshme marrëveshjen e arritur në mes Ismail Qemalit dhe kryeministrit grek. Marrëveshja sekrete në fjalë u arrit në vitin 1907. Mirëpo në realitet kjo marrëveshje ishte një “sekret” i njohur. Gazeta e xhonturqve Mechveret Supplément Français, që botohej në Parisë, që më 1 shtator 1907 e lajmëroj marrëveshjen e arritur me titullin “Alliance Gréco-Albanaise”. Poashtu Mit’hat Frashëri e akuzonte Ismail Qemalit publikisht në gazetën e tij për marëveshjen e aritur me grekët. Mit’hati në vitin 1909 shkruante: “Grekërit ty të gënjyenë, po dhe ti i gënjeve dhe kështu në mes dy gënjeshtrave lidhtë pazarllëkun: Shqipëri e poshtme (F.D. jugore) – se Gegërinë ti nuk e zë për Shqipëri – do të jet e Greqisë!” Përderisa në një shkrim të vitit 1908 Mit’hati shkruante: “Ismail be, e dimë fort mirë që s’je as Shqipëtar, as Tyrk (F.D. mysliman)”. Realizimi i kësaj marrëveshje gjatë Luftës Ballkanike e irritoj Mit’hat Frashërin prandaj dhe ai dha dorëheqje si ministër në “qeverinë” e Ismail Qemalit. Mirëpo pasi që në vitin 1913 kjo marrëveshje u bë publike nga vetë qeveria greke, me çka i futi në pozitë të sikletshme edhe Fuqitë e Mëdha, duhej menjëherë që të shuhej veprimi politik i Ismail Qemalit në Shqipëri. Gazeta me tirazh më të madh në Perandorin Osmane Tanin, po në të njëjtin vit e lajmëroi publikimin e kësaj marrëveshje sekrete me kryeministrin grek Teodokis me titullin “Bir Sima-yi Hiyanet: Ismail Kemal”(Një tradhtar: Ismail Qemal). Ky lajm bëri bujë në Shqipëri. Prandaj dhe nuk kaloj shumë kohë dhe u formua Pleqësia e Shqipërisë me qendër në Durrës me në krye Esat Pashë Toptanin, të cilit iu bashkuan shumica e shqiptarëve me ndikim. Nga ana tjetër, Ismail Qemali u detyrua që të japë dorëheqje dhe të largohej nga Shqipëria.
Ushtritë e shteteve të Ballkanit në vitin 1912 i sulmuan tokat shqiptare pasi që në ndërkohë, në bashkëpunim me disa agjent të tyre shqiptarë, kishin arritur që nëpërmjet propagandës të ulnin moralin e ushtarëve osman-shqiptarë. Pasi që grekët iu vërsulën Jugut të Shqipërisë ushtarët shqiptarë nuk mbroheshin sikur që e kishin zakon. Kjo situatë e shtyu Esat Pashë Janinën që të mbajë disa fjalime para ushtarëve të tij në Janinë me qëllim që tua ngrejë moralin për luftë.
Vijon fjalimi i tij:
Asqerë, miq!
O arnaudë edhe unë jam një arnaud janinas mirëpo që prej dje turpërohem të them se jam arnaud.
Katërmbëdhjetë vite më parë (F.D. gjatë luftës Osmane-Greke) pasi që u vërsulët i detyruar këta dembel dhe frikacak grekë të iknin si dhelpra deri në Athinë.
Çka ndodhi me ju o arnaudë guximtarë!?
Ju që luftuat si luaj në shkretëtirat e Jemenit, Arabisë, Libisë dhe e derdhët gjakun për devletin osmanli, tani nuk mbroheni për vatanin tuaj Janinën. Për këta veprime tuaja çka thonë të tjerët? Mund të thoni se i presim përforcimet dhe së bashku me ta përsëri do të nisemi përpara. Nga pikëpamja strategjike ndodh edhe të mos sulmohet. Mirëpo për rastin e Janinës kjo nuk është një veprim i drejtë. Dushmani nuk guxon të hyjë në vendin tonë pa derdhur gjak.
Pas nja dy ditëve do ta jap urdhrin për sulm, dhe falë guximit dhe qëndresës suaj, që e njeh gjithë dynjaja, pas pushtimit të Artës dhe Misologit shpresoj se do të marshojmë drejt Athinës.
Rroftë Padishahu dhe Devleti Osmanli.
-Mirëpo kuraja që pashai u dha asqerëve shqiptarë ishte afatshkurtër. Kjo për shkak të propagandës së pandërprerë që bëhej ndër shqiptarët për të dezertuar nga fushëbeteja. Të ndodhur në një situatë të palakmueshme, pasi që në ditët në vijim filluan të ndodhnin nga 50 deri në 100 dezertime, u ftuan asqerët shqiptarë që të grumbulloheshin në kalanë e Janinës. Me këtë rast fjalim u mbajti vëllai i pashës, gjegjësisht Vehbi Pashë Janina; i cili ishte komandant i kalasë së Janinës.
Vehbi Pashë Janina:
Asqerë!
Të gjithë osmanlitë dhe të gjithë burrat derdhin lot të përgjakur pasi që ju u tërhoqët nga fushëbeteja dhe rezillëkut të dushmanit si dhe poshtërsive të tyre ua kthyet shpinën. Disa taborë të asqerëve redif (rezervistë) shfaqën padëgjueshmëri, nuk iu nënshtruan detyrës si dhe urdhrat që i morën nuk i përmbushën.
Të ikësh prej asqerëve grekë është një leqe e madhe e pistë dhe rezillëk i madh!
Ju ikni prej atyre asqerëve (grekë) që prej hijes së asqerëve osmanli frikohen! Ata asqerë (grekë) që deri sot e ulnin kokën dhe që nuk arritën të kenë sukses që të shpëtojnë nga ndikimi osmanë, ju tani prej atyre frikacakëve ikni!?
Për një asqer të dezertoj nën bajrakun osmanli është një tmerr dhe rezillëk i paparë.
Të ikësh prej dushmanit është amorale, është rezillëk dhe punë grash.
Arnaudë!
Në shtëpi me çfarë hise dhe haku (të drejte) do të ktheheni? Me çfarë haku do tu dëshmojmë fëmijëve dhe grave tona se jemi burra?!
Arnaudë, në çka u shndërruat ju? E gjithë dynjaja burrërinë, heroizmin, sakrificën dhe zemrën ua njeh. E tani çka bëni ju!?..
Mendoni pak për të parët tuaj, për heroizmin e baballarëve tuaj! Ata fituan nderë dhe shan të pakrahasuar. Mos harroni që kur ata marshonin toka dridhej. Si do të dilni përpara të parëve tuaj? Me çfarë fytyre do tu dilni përpara? Ata gjithmonë në krye të ushtrisë qëndronin. Në kalatë e pamposhtura ata të parët heroikisht e kanë mbajtur bajrakun e ndritur. A nuk jeni ju fëmijët dhe nipërit e tyre?!
Arnaudë!
Prej kur që është krijuar dynjaja fiset dhe mileti juaj e ka mbrojtur pastërtinë e ahlakut (moralit), dëlirësin dhe vazhdimin e ekzistimit të racës suaj. Këta dhe do t’i mbrojmë deri sa të ekzistoj kjo dynja.
Si është e mundur që e zbritët veten kaq poshtë me qëllimin e vetëm për të mbetur në jetë edhe atë pa mos u frikuar nga Allahu dhe pa u turpëruar nga njerëzia? Ku qëndron dallimi në mes asaj se a do të vdesësh më herët apo më vonë? A mos vallë mendoni se ka diçka më të madhe se të vdesësh për vatanin, nderin e miletit dhe devletit? Të biesh shehid duke luftuar për milet dhe devlet pa dyshim që është nderi më i madh për vatanin dhe dinin.
Asqerë!
Vdekja të gjithëve na ndjekë! Nëse duam që të ikim prej vdekjes, nuk do të ikim, por duke vrapuar drejtë vdekjes ta dini që vdekja neve nuk do të na mbërrije!
Gjithçka është e mbështetur në dëshirën e Zotit. Çdo gjë vjen e shkon, mirëpo vetëm një gjë mbetet e ajo është nderi i miletit. Heroizma dhe shani i miletit mbeten.
A në vend të gjysmëhënës së ndritshme në bajrakun e kuq flamurin mavi me kryq të Greqisë dëshironi që ta shihni? Shndërrimin e xhamive në kisha e dëshironi?
A mos dëshironi që nga ana e dushmanit të na prekin namuzin (nderin) tonë dhe të grave tona.
Atëherë për se ikni?! Këtë vend si në xhenet, e që na e lanë amanet baballarët tanë, dëshironi që të vuaj nën çizmen e dushmanit?!
Shikojini njëherë trupat e ardhura nga Anadolli! Për të na ndihmuar neve, nga skajet më të largëta të Anadollit kanë ardhur deri këtu. Janë fëmijët e burrave guximtar turq. A mos ndoshta patë ndonjërin prej tyre që të dezertojë? A nuk xhelozoni kur i shikoni ata?
Të marrim vendimin që të vdesim dhe drejtë vdekjes të vrapojmë!
Atëherë kur e kërkojmë vdekjen vdekja ikën prej nesh. Të jeni të sigurt se vdekjen nuk mund ta mbërrij.
Arnaudë, miq!
Ose do ta mbrojmë nderin e Shqipërisë, shanin e vatanit dhe pavarësinë ose të gjithë do të vdesim, ve selam.
-Për shkak të rrethanave të lartpërmendura Janina kapitulloj dhe ajo ishte njëra nga kalatë e fundit që u dorëzua. Qëndresa që u bë në Janinë kishte rëndësi politike në negociatat që zhvilloheshin në Konferencën e Londrës nga Fuqitë e Mëdha. Diplomati George Young, për rastin e Shkodrës dhe Janinës, në librin e tij për Luftën Ballkanike të botuar në vitin 1914, shkruante: “Rezistimi i garnizonit të Janinës kundrejt grekëve, si dhe rezistimi i garnizonit të Shkodrës kundrejt serbëve, kishte më shumë efekt të drejtpërdrejt në rezultatin politik të luftës se sa të gjitha betejat e përgjakshme në fushëbetejë. Ishte rezistenca e këtyre garnizoneve që i mundësoi Evropës të formoj autonominë e Shqipërisë”.
Kur i lexojmë dhe i përkujtojmë sot këta momente të historisë sonë, nuk ka dyshim që preken ndjenjat tona. Ne emocionohemi për shkak të sakrificës së dhënë të të parëve tanë për mbrojtjen e nderit nga dushmanët që na kanë rrethuar dhe rrethojnë.
Allahu i shpërbleftë të parët tanë që luftuan dhe u sakrifikuan në udhën e Tij.
Categories