Categories
Lajme FRI

Januzaj dhe Kombëtarja

Është vetëm 18 vjeç, por dy golat ndaj Sunderland mjaftuan që Adnan Januzaj të fusë në “sherr” analistët dhe njerëzit e sportit britanik nëse ai duhet të jetë pjesë e kombëtares së Hodgson apo duhet të mbetet jashtë saj. Sigurisht që në këtë vorbull diskutimesh dhe debatesh nuk mund të mbetej jashtë edhe Federata jonë e futbollit, pjesëtarët e të cilës thonë që prej 3 vjetësh se po tentojnë t’i rrëmbejnë një “Po” për Kombëtaren kuqezi. Djali me origjinë nga Kosova, por lindur e rritur në Bruksel, erdhi në “Old Traford” si pasojë e këmbënguljes së Sir Ferguson, i cili përveç të tjerave e cilësoi atë si një lojtar me cilësi shumë të mira teknike dhe për më shumë e vlerësoi si e ardhmja e Manchester United.
Elozhet për 18-vjeçarin nuk mungojnë dhe pjesa më e mirë e shokëve të tij të skuadrës e cilësojnë atë si kampion. Sulmuesi Rooney thotë se 18-vjeçari është i vetëdijshëm dhe i sigurt në aftësitë e tij, mbrojtësi Rio Ferdinand pohon se Januzaj ka arrogancën tipike të një lojtari që do bëhet i madh, ndërsa mesfushori Carrick thekson se falë aftësive që ka, Adnani mund të bëhet çdo gjë që dëshiron. Gjatë një interviste për BBC, ish-lojtar i United, Wilf McGuinness, tashmë menaxher, e ka krahasuar Januzajn me emrat e mëdhenj të futbollit britanik si Bobby Charlton, Duncan Edwards apo dhe Eddie Colman.
Gjithë këto lëvdata dhe për më shumë nga figura të futbollit britanik kanë shtyrë trajneri e “Tre Luanëve” të mendojë seriozisht për një grumbullim të Januzajt në kombëtaren angleze, pasi djali 18-vjeçar ka refuzuar deri tani Federatën belge e cila ka kërkuar ta aktivizojë atë në përfaqësueset e moshave.
Po drejtuesit e federatës tonë çfarë bëjnë? Në një debat televiziv presidenti Duka deklaroi se ftesat në adresë të Januzajt për të veshur fanellën kuqezi i janë bërë që në kohën kur futbollisti ka qenë 13 vjeç dhe në atë kohë luante për skuadrën belge të Anderlehtit. Janë futur shumë “miq” që Adnani të pranonte të vinte në Shqipëri me Kombëtaren tonë, por deri tani asgjë. Sipas thashethemeve të gjitha komunikimet për të kanë kaluar nga i ati, i cili kërkon ta mbajë larg këtyre presioneve vetëm e vetëm që djali i tij të rritet profesionalisht në mënyrë që të zërë një vend titullari në një skuadër të madhe.
Duke mos paragjykuar e fyer askënd, më vjen në mendje një thënie popullore: “Më mirë i pari i fshatit sesa i fundit i qytetit”. Edhe nëse pranon të jetë pjesë e “Tre Luanëve” ai do të jetë në mes të debateve të mëdha për origjinën e tij. Anglezët kurrë nuk do të pranojnë atë si anglez. Por çfarë ndodh nëse ai vjen me Kombëtaren tonë?  Për shumë lojtarë Përfaqësuesja është një trampolinë për të arritur një kontratë më të majme, por për 18-vjeçarin kjo nuk vlen pasi që tani Manchester United i ka ofruar atij 60 mijë stërlina në javë. 2 ndeshje në javë me atë skuadër, në Angli dhe në Champions janë të mjaftueshme që ai të jetë gjatë gjithë kohës nën vëzhgimin e menaxherëve të futbollit dhe Kombëtarja jonë nuk do t’i ulte asgjë famës apo anës financiare të tij. Nëse pranon të veshë fanellën e Përfaqësueses sonë, Januzaj do të shndërrohet në një hero dhe ndoshta do të zinte vendin e Lorik Canën në zemrën e tifozëve shqiptarë. Kemi një Përfaqësuese e cila me shumë elementë të rinj po rritet dita-ditës dhe shumë shpejt do të jetë pjesë e një evenimenti të madh ndërkombëtar, qoftë ky evropian apo botëror. Pra, emri i tij dhe i të gjithë lojtarëve të tjerë do të shkruhet me germa të arta në historinë e futbollit tonë.
Sali JUNIKU

Exit mobile version