Mehmet Gormez
Konferenca e Dytë Islame e organizuar në Mekë përfundoi punimet me fjalimin përmbyllës të Kryetarit të Kryesisë për Çështje Fetare të Turqisë, Prof. dr. Mehmet Gormez.
Në Konferencën e Dytë Islame u diskutuan “Problemet e botës Islame dhe propozimet për zgjidhjen e tyre” me pjesëmarrje të 58 shteteve. Fjalën përmbyllëse në emrin e dijetarëve islamë nga 58 shtetet e botës e bëri Kryetari i Kryesisë për Çështje Fetare i Turqisë, Mehmet Gormez, i cili botës islame i dërgoi porosi të rëndësishme.
Prof. dr. Mehmet Gormezi e tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve në lidhje me shkaqet themelore të problemeve, që janë duke u përjetuar në botën islame dhe, mes tjerash, tha:
“Jemi në kohën kur janë konsumuar fjalët..”
Ngjarjet që janë duke ndodhur në botën Islame tregojnë qartë se fjalët janë konsumuar në tërësi. Jemi duke u përballuar me sfida shumë të rrezikshme. Dijetarët vetëm janë duke humbur kohë në tubime dhe konferenca të organizuara sa për sy e faqe. Dijetarët dhe mendimtarët islamë para së gjithash duhet të bëjnë një autokritikë serioze. A është bota islame e sodit vërtet botë Islame? Duhet ta pranojmë me sinqeritet se në këto procese të vështira të botës Islame, dijetarët islamë dhe institucionet islame, as për së afërmi nuk e kanë kryer obligimin e tyre . Ne patëm probleme serioze edhe në leximin e drejtë të proceseve që jemi duke i përjetuar. Dhe, ende kemi vështirësi për t’i kuptuar ata.
“Si ndodhi që feja si burim i unitetit u shndërrua në burim të përçarjes dhe copëtimeve?…”
Si ndodhi që feja, e cila është burimi i vetëm i tevhidit/unitetit, bashkimit dhe vëllazërisë u shndërrua në burim të përçarjes dhe copëtimeve. Të gjithë ne me zë të lartë duhet ta parashtrojmë këtë pyetje. Qëllimi thelbësor i Islamit është që njerëzit të cilët u takojnë racave, gjuhëve, ngjyrave, rajoneve, kulturave të ndryshme, t’i bashkojë përreth besimit, idealit, qëllimit të njëjtë, t’ua mundësojë atyre së bashku ta ndërtojnë faqen e dheut dhe të mënjanojë nga shoqëria njerëzore çdo lloj të armiqësisë dhe përçarjes. Mirëpo njerëzit sot filluan bazat e përçarjes dhe copëtimit t’i nxjerrin nga feja. Feja u shndërrua në mjet të tjetërsimit.
“Si ndodhi që feja si burim i paqes, u shndërrua në burim të dhunës?…”
Si ndodhi që feja e cila ishte burim i qetësisë, rahatisë, u shndërrua në burim të dhunës, luftës dhe terrorit. Pse sot në të gjitha viset e botës islame, në Irak, Siri, Egjipt, Nigeri, Etiopi, Somali, Pakistan, Afganistan, në çdo pëllëmbë të shoqërive muslimane, besimtari e vret besimtarin. A është e mjaftueshme që të gjitha këto të sqarohen si ndërhyrje të fuqive të jashtme. Në duart e çdo vrasësi, krahas armës, shëtitin edhe ajetet dhe hadithet. Si do ta sqarojmë këtë? A mendoni se ne dijetarët islamë nuk kemi asnjë të metë në këtë çështje?
“Si ndodhi që shkollat e qytetërimit tonë, medhhebet, u shndërruan në burim të përleshjeve?…”
Mendoj se është e domosdoshme që sërish t’i analizojmë marrëdhëniet midis fesë dhe jetës, fesë dhe politikës, fesë-dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore. Dija, që prodhohet në botën islame, nuk është e mjaftueshme për vendosjen e drejtë të këtyre marrëdhënieve. Duhet sërish t’i analizojmë sistemet e mbarështimit njerëzor dhe mekanizmat e ndërtimit të vetëdijes. Duhet t’i shoshitim sërish programet dhe kurrikulat e shkollave fetare, medreseve, universiteteve Islame, domethënë duhet ta analizojmë mirë botëkuptimin e mbarështimit të dijetarëve të ardhshëm.
“Etika e fuqisë ose fuqia e etikës?…
Pejgamberi a.s. e ka përkufizuar Islamin si etikë/sjellje e mirë. Ai është i dërguar për plotësimin e virtyteve etike. Qëllimi i besimit dhe ibadetit në këtë botë është krijimi i individit dhe shoqërisë etike. Fuqia nuk është burim i etikës. Fuqia që nuk i beson forcës etike, nuk ka mundësi të prodhojë të mirën, vlerën dhe virtytin. Një ndër problemet kryesore të botës islame është mosdorëzimi i fuqisë ndaj etikës. Domethënë, prodhimi i etikës nga vetë forca.
“Fetari që prodhon vlera, ose fetari që konsumon vlera?…
Feja në thelb është përmbledhje e vlerave. Është burim i të gjitha vlerave njerëzore. Fetaria është trajtë jetësore që i ka të përmbledhura në vete të gjitha vlerat sublime. Por, nëse nuk vendoset në mënyrë të drejtë baraspesha midis dijes, besimit, ibadetit dhe etikës; nëse në fe përzihet hamendja, lakmia, interesi, keqpërdorimi; fetaria nuk do të prodhojë vlera, por do t’i konsumojë vlerat ekzistente. Fetaria formale, që e ka humbur thelbin, e ka braktisur përmasën shpirtërore e të frymës dhe nuk mund të prodhojë vlera. Përkundrazi, do t’i konsumojë vlerat. Fetaria e bazuar në qibër, në dukje dhe fodullëk, është fetari që i konsumon vlerat.
“Nuk ka qytetërim pa dije, ide, kulturë, art dhe edukim…”
Udhëheqja e shoqërive muslimane nga vetë ata është e drejta më e natyrshme e muslimanëve. Përpjekjet për pavarësi dhe për të marrë në duar të veta udhëheqësitë e shteteve të tyre, pas periudhës së udhëheqësive kolonizuese dhe satelite, janë të shenjta. Por, duhet të dihet mirë se pa pushtet në dije, ide, mendim, edukim, kulturë dhe art nuk mund të arrihet në pushtetin politik dhe administrativ. Pjesa dërmuese e zhgënjimeve në shoqëritë muslimane buron nga ky realitet.
“Jemi duke përjetuar një evolucion prej shoqërisë muslimane në individin besimtar…”
Nëse i analizojmë nga aspekti sociologjik, lëvizjet e të rinjve në vendet ku është përjetuar pranvera arabe do të ballafaqohemi me një situatë të re. Si rrjedhojë, para nesh do të paraqitet një rini e cila veten, më tepër, e përkufizon si individ besimtar se sa si anëtar të një shoqërie muslimane. Pikërisht për këtë ka nevojë për një gjuhë të re fetare, që do t’i adresohet kësaj rinie.
“Botëkuptimet e gabuara fetare u bënë shkak që disa të rinj të kenë frikë nga feja?…”
Brezi i jonë dhe brezat para nesh jetuan me frikën se do ta humbin fenë dhe vlerat fetare që i konsideronin më të shenjta edhe se jeta e tyre. Kjo është kështu, pasi feja konsiderohet shkaku i ekzistencës tonë. Është domethënia e vetme e jetës sonë. Individualiteti dhe identiteti ynë mund të mbrohet vetëm me të. Ndërsa një pjesë e rinisë së sotshme filloi të ketë frikë nga feja. Shkak për këtë nuk është islamofobia e Perëndimit. Shkaku thelbësor është veprimtaria e fetarëve të botës islame. Janë botëkuptimet e gabuara fetare dhe ortopraktikat e gabuara fetare. Nuk duhet të harrohet se, distancat e vendosura ndaj fesë nga Perëndimi dhe ideologjitë antifetare perëndimore u paraqitën si pasojë e polemikave fetare. Përleshjet fetare dhe frakcionale të kishave i motivuan të rinjtë drejt ateizmit. Nuk duhet të harrojmë se sot bota islame është e ballafaquar me po këtë rrezik.
“Përfaqësimi i islamit në botë…”
Jemi dëshmitarë se përfaqësimi i islamit sot nuk bëhet sipas rrugës kryesore të ndërtuar nga dija e drejtë, e cila e ka formësuar qytetërimin islam në të kaluarën, por, me lëvizjet bashkëkohore të cilat janë të bazuara në tekste të caktuara. Në dyzimin Islam-Perëndim në sipërfaqe dalin komentet shiite, ndërsa në dyzimin shia-sunni në sipërfaqe del selefizmi. Ndërsa rruga kryesore që gjatë tërë historisë e ka përfaqësuar islamin lihet pas shpine.
“Sprova e muslimanëve me kamje është më e vështirë se sprova me skamje…”
Nëse e vlerësojmë situatën tonë si muslimanë, në ditë të sodit, do të shohim se mundësitë tona janë më të zhvilluara. Mirëpo, krahas zhvillimit të mundësive materiale të botës islame, krahas përparësive politike dhe ekonomike në fusha të ndryshme, ne sot jemi përballë sprovave më të mëdha. Sprova e jonë me kamje ec më vështirë sesa sprovat me skamje. Nëse llogariten me vëmendje përjetimet e botës islame, lirisht mund të thuhet se zjarri i trazirave dhe përleshjeve ka rënë në botën islame. Deri dje thurnim elegji vetëm për Kudsin/Jerusalemin, ndërsa sot të njëjtat për çdo ditë i thurim për Bagdadin, Damaskun, Kajron dhe shumë qytete të tjera islame. Gjaku që rrjedh nuk derdhet nga elementet e huaja, nga okupatorët. Deri dje gjakun e muslimanëve e derdhnin të tjerët, ndërsa sot muslimanët e derdhin gjakun e njëri tjetrit. “Personi që e vret një njeri e ka vrarë tërë njerëzimin”. Krahas këtij urdhri hyjnor, muslimanët përpiqen të ndërtojnë një botë për veten, duke vrarë shumë muslimanë të tjerë. Prej ku dhe si ka lindur një muslimanllëk i tillë? Nga cilat burime u ushqyen dhe dolën në mejdan myslimanët, që ia drejtojnë armët ndaj njëri tjetrit duke bërtitur “Allahu ekber”? A nuk kanë aspak faj për këtë dijetarët islamë?
“Deri dje ishin të rrezikuar muslimanët, ndërsa sot është rrezikuar Islami…”
Fëmijët dhe të rinjtë, që rriten në qytetet islame midis armëve dhe bombave, me çfarë psikologjie do të përqendrohen në ardhmërinë? Deri dje shumë vende islame ishin të okupuara dhe bota muslimane ishte e rrezikuar, ndërsa ngjarjet e sodit janë duke e rrezikuar Islamin. Brezat e ardhshëm, të përballuar me ngjarjet e sodit, do ta marrin në pyetje perceptimin për islamin, i cili për çdo ditë është duke derdhur gjak dhe do të vendosin distanca mes tyre dhe strukturave islame. Dua ta pranoj me keqardhje se asnjë arsye nuk ka mundësi të shikojë me simpati ndaj Islamit, duke i parë ngjarjet e sodit në botën islame. Deri më sot, ne thirrësit në fe, e përdorëm konstatimin se Islami është tjetër dhe muslimanët tjetër dhe kështu e ndamë Islamin nga bërjet e muslimanëve, mirëpo tash e tutje nuk do të mund të mbrohemi me këtë ndarje. Për shkak se çdo strukturë fetare i mbështet veprimet e veta në Islam, duke e prezantuar në teori si udhërrëfyes Kur’anin dhe Sunnetin.
“Duhet të formohet një Këshill i Burrave të Urtë nga dijetarët islamë…”
Duhet të formohet një Këshill i Burrave të Urtë për t’i tejkaluar problemet fetare dhe shoqërore që kanë të bëjnë me botën Islame. Ky këshill nga aspekti teorik duhet të prezantojë receta për zgjidhjen e problemeve teorike; në rast nevoje duhet të formojë tavolina krize dhe në praktikë të pengojë përleshjet brenda botës islame. Duhet ta ndërtojmë sërish të drejtën dhe etikën e jetës së përbashkët në botën islame. Organizata Islamike për Bashkëpunim dhe nënkomisionet e kësaj organizate duhet t’i përkujtojnë sërish obligimet thelbësore të tyre.