Radio Haraçina, FRI-ja dhe M7 Media në Restorantin Kalabria shtruan koktejin modest me rastin e realizimit të edicionit të 500 të emisionit “Zëri i Urtësisë”, nën organizimin dhe udhëheqjen e hoxhës së njohur Qenan Ismaili, projekt ky i përbashkët i Radio Haraçinës dhe Forumit Rinor Islam.
Të arrihet ky numër nuk është punë e lehtë, padyshim se është dhënë shumë mund, sakrific e vullnet, por në të njëjtën kohë janë arritur edhe rezultate. Vlen të përmendet se “Zëri i Urtësisë” filloi në Prill të vitit 2004, si rezultat dhe kurorëzim i idesë së Radio Haraçinës, si prijës i emisioneve fetare që nga themelimi nga njëra anë, dhe kryesisë së atëhershme të FRI-së nga ana tjetër.
Me emisionin në fjalë sadopak është kontribuar në ngritjen e vetëdijes fetare dhe nivelit të përgjithshëm të popullatës. Në këtë mbrëmje fjalë përshëndetëse kishin ata që në mënyrë direkte apo indirekte dhanë kontribut në realizimin e emisionit në fjalë. U falenderua pronari i radios z. Xhavit Sulejmanin i cili hapi dyert e bashkëpunimit dhe vite të tëra përkrahi parezervë këtë emision. Fjalë rasti kishin edhe kryetari i atëhershëm i FRI-së dega Shkup z. Kenan Idrizi, menaxhuesi i radios z. Florent Rustemi, kryeredaktori i Tv ERA z. Ismail Sinani, kryetari i FRI-së z. Fevzi Musliu, dhuruesi i shumë librave për dëgjuesit, drejtori i Shtëpisë botuese Furkan ISM dhe njëherit kryetari i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional z. Muhamed Murtezi, z. Reshat Kamberi gazetar në TVM2 kanali në gjuhën shqipe dhe në fund “fajtori” kryesor i cili nuk kursej asgjë, barti mbi supet veta për 10 vite me rradhë, për të arritur atë që shumë rrallë arrihet, edicionin e 500 të një emisioni, që kur përmendim emisonin fetar në radio na shkon mendja vetëm tek ai, i nderuari Qenan Ismaili.
Vlen të përmendet se krahas emisionit Zëri i Urtësisë Qenan Ismaili ka realizuar edhe emisione tjera në këtë radio si “Hutbeja e Xhumasë” dhe emisinoet e Ramazanit, që gjithësej deri tani janë realizuar diku 1300 emisione. Në fund të këtij jubileu meqenëse ishte mbrëmje gëzimi, përkujtimi dhe frymëzimi, profesori i muzikës z. Xhengiz Ibrahim luajti në instrumentin oriental Kanun që të pranishmëve u ofroi momente të këndëshme.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Forumit Rinor Islam