Studentët e Fakultetit Juridik të UEJL-së, nën udhëheqjen e dekanit, prof. dr. Ismail Zejneli, prodekanit doc. dr. Jeton Shasivari si dhe profesorëve, prof. dr. Asllan Bilalli dhe prof. dr. Adnan Jashari, kanë realizuar një vizitë studimore në Spanjë.
Sipas një njoftimit të UEJL-së, studentët e Juridikut kanë vizituar me këtë rast Senatin e Kortesit spanjoll në Madrid, ku janë njoftuar për së afërmi mbi historikun, organizimin, përbërjen, funksionet dhe procedurat ligjvënëse parlamentare.
Po ashtu, në Madrid është vizituar edhe Fakulteti juridik i Universitetit Autonom të Madridit, ku nga ana e dekanit prof. dr. Fernando Molina Fernandez, si dhe prodekanit Irene Martin Kortes, studentët janë njoftuar me programet studimore të studimeve deridiplomike dhe master si dhe mënyrën e mbajtjes së provimeve, të ligjëratave dhe të orëve praktike në këtë fakultet.
Studentët kanë pasur gjithashtu mundësinë që të njihen për së afërmi edhe me kolegët e tyre spanjoll, duke shkëmbyer kështu edhe përvojat e tyre të studimeve.
Në Barcelonë, ndërkaq, është vizituar Fakulteti Juridik i Universitetit Autonom të Barcelonës, ku nga ana e përgjegjësit për çështje mobiliteti, prof. dr. Josep Kapdeferro, janë prezantuar programet studimore të këtij fakulteti, me theks të veçantë drejtimet e studimeve master si dhe mundësitë për bashkëpunim midis dy fakulteteve në kuadër të programeve Erasmus.
Gjatë vizitës në Barcelonë, është realizuar dhe një vizitë Parlamentin e Komunitetit Autonom të Katalonisë, ku studentët kanë parë dhe dëgjuar nga afër mbi historikun, strukturën, funksionet dhe mënyrën e punës së këtij parlamenti.
“Vizita studimore u vlerësua e suksesshme meqenëse kontribuon në zgjerimin e horizonteve ndërkombëtare dhe evropiane të studentëve dhe të stafit akademik të Fakultetit Juridik të UEJL-së”, theksojnë nga UEJL.
Categories