Islami erdhi me besim, Sheriat dhe sistem të përkryer për jetën individuale, familjare, shoqërore dhe mbarënjerëzore. Madje, erdhi që ta udhëzojë mbarë njerëzimin drejt asaj që është më e mira.
Islami erdhi si mision gjithëpërfshirës dhe si sistem i përkryer, jetën e ngriti mbi themelet dhe shtyllat më të forta, në mënyrë që në të të përhapen e vërteta, drejtësia, mëshira dhe bamirësia ndërmjet njerëzve, madje, ky është qëllimi i të gjitha misioneve qiellore.
Në këtë suazë, Islami erdhi me burime dhe dispozita që ta organizojë jetën ekonomike të njerëzve, sepse pasuria është e Allahut, e njeriu është trashëgimtar dhe besnik i saj, ai nuk ka liri veprimi për të bërë si të dëshirojë, por është i kufizuar me udhëzimet e Pronarit kryesor të pasurisë, e ai është Allahu. Allahu xh.sh. thotë: “Dhe shpenzoni nga ato që Ai jua ka lënë trashëgim”. (El-Hadid, 7).
Islami erdhi me dispozita të shumta që organizojnë pasurinë. Nga më të rëndësishmet janë këto dy grupe dispozitash:
– Dispozita që kanë të bëjnë me urdhëresa;
– Dispozita që kanë të bëjnë me ndalesa.
Sa u përket dispozitave që kanë të bëjnë me urdhëresa, është zekati, i cili është në krye të urdhëresave islame dhe është shtyllë e islamit.
Ndërsa, sa u përket dispozitave që kanë të bëjnë me ndalesat dhe haramet, është ndalimi i kamatës.
Ç’është kamata?
Kamatë do të thotë t’i japësh dikujt të holla që t’i shfrytëzojë për një kohë të caktuar, me kusht që më pastaj t’i kthejë ato me një përfitim të kufizuar, duke garantuar kapitalin, punoi apo nuk punoi me to, fitoi apo humbi pak ose shumë.
Kamata nuk është një gjë e re, ajo ekzistonte edhe para Islamit në kohën e injorancës arabe, gjithashtu ka ekzistuar edhe në injorancën e romakëve, grekëve dhe shumë popujve të tjerë, e ekziston ende deri në ditët e sotme.
Kamata është një prej shtatë mëkateve shkatërruese, siç i ka emëruar Pejgamberi a.s. kur ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkate shkatërruese! Cilat janë ato?-pyetën njerëzit. Tha: T’i bësh shok Allahut; magjia; mbytja e njeriut të cilin akt Allahu e ka ndaluar, përpos nëse ajo bëhet me të drejtë; ngrënia e kamatës; ngrënia e pasurisë së jetimit; ikja nga fushëbeteja dhe shpifja për gratë besimtare të ndershme dhe të mbrojtura nga mëkatet”. (transmetim unanim nga Ebu Hurejra r.a.). Këto mëkate shkatërrojnë individin dhe shoqërinë, dynjanë dhe Ahiretin.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kur të shfaqen zinaja dhe kamata në një vend, banorët e saj ia kanë lejuar vetvetes ndëshkimin e Allahut”. (Hakimi nga Ibn Abbasi r.a.).
Shfaqja e prostitucionit në një vend, është shenjë e prishjes së atij vendi nga aspekti shoqëror, ndërsa shfaqja e kamatës, është shenjë e prishjes nga aspekti ekonomik, e kur të bashkohen këto dy shkaqe, atëherë ai popull do të zhduket.
Gjithashtu “Pejgamberi a.s. ka mallkuar ngrënësin e kamatës, paguesin, shkruesin dhe dy dëshmitarët për të, dhe ka thënë se të gjithë ata janë të barabartë në mëkat”. (Muslimi nga Xhabir ibn Abdullahi r.a.).
Filozofia e Islamit është se, kur ta ndalojë një gjë, ndalon edhe çdo gjë tjetër që shpie dhe i ndihmon asaj, në mënyrë që ta bllokojë të keqen dhe të ndaluarën në një sferë sa më të ngushtë.
Prandaj, me alkoolin janë mallkuar edhe 10 grupe të personave që kontribuojnë nga afër apo edhe së largu, dhe për këtë arsye janë mallkuar edhe ngrënësi i kamatës, paguesi, shkruesi dhe dy dëshmitarët për të.
Kur’ani konfirmon një gjë të tillë. Allahu xh.sh. thotë: “Ata që marrin fajde (kamatë), do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e tij, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamata” (El Bekare, 275).
Kështu diskutonin dhe debatonin injorantët e kohës së xhahilijetit, idhujtarët dhe hebrenjtë, të cilët merreshin me kamatë, madje, në të kaluarën, ata ishin mësuesit e kamatës.
E ndaluan kamatën ndërmjet vetes, hebreut nuk i lejohej t’i jepte para me kamatë fqinjit të
tij hebre, po i lejohej t’u jepte para me kamatë të tjerëve, që nuk ishin hebrenj. Ata nxitën dyshimin duke thënë: Ç’është dallimi ndërmjet tregtisë dhe fajdesë? Me tregti merr e jep dhe fiton, gjithashtu edhe me fajde, merr e jep dhe fiton. Ç’është dallimi ndërmjet kësaj dhe tjetrës?
Mu për këtë, erdhi përgjigjja hyjnore vendimtare dhe bindëse: “Porse Allahu e ka lejuar tregtinë,
kurse kamatarinë e ka ndaluar”. (El Bekare, 275).
Allahu nuk i lejon veçse gjërat e mira, dhe nuk i ndalon veçse të këqijat. Prandaj, nuk ka fjalë, as interpretim e as përpjekje: “Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget kamatës, le ta mbajë atë që tashmë ka fituar, dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë”. (El Bekare, 275).
Allahu xh.sh. thotë: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës”. (El Bekare, 276). Allahu ia heq begatinë asaj, edhe nëse shtohet, siç ka thënë Pejgamberi a.s.: “Kamata, edhe nëse shtohet, fundi i saj do të shkojë kah pakësimi”. (Hakimi nga Ibn Mes’udi r.a.). Sa fajdexhinjve u është shtuar pasuria e tyre, e më pastaj Allahu ua mori të gjitha!
Kamata, në anën e jashtme të saj, duket se po shtohet, mirëpo ajo është shtesë e asgjësuar dhe e pabegatshme, që në të shumtën e rasteve ndikon në veten tënde, shëndetin, familjen dhe fëmijët e tu, që rriten nga pasuria e kamatës, Allahu nuk do t’i begatojë ata: “Ç’të jepni nga pasuria për ta shtuar e rritur (me kamatë), në pasurinë e njerëzve, ajo nuk do të shtohet tek Allahu, kurse ç’të jepni si bamirësi, për të arritur kënaqësinë e Allahut, do t’ju shumëfishohen (të mirat)”. (Er-Rum, 39).
Kamata në anën e jashtme të saj duket se po shtohet, ndërsa në anën e brendshme të saj ajo pakësohet. Zekati dhe sadakaja-lëmosha, në anën e jashtme të tyre duken se po pakësohen, ndërsa në anën e brendshme të tyre ato shtohen, Allahu ua shton atyre pasurinë, e më pastaj edhe shpërblimin: “Allahu ia heq çdo përfitim kamatës, kurse e rrit përfitimin e bamirësisë. Allahu nuk i do ata që janë mohues – gjynahqarë”. (El Bekare, 276). Kjo është një shenjë për fajdexhiun.
Pastaj, Allahu xh.sh. thotë: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë”. (El Bekare, 278).
Çdo gjë që ka mbetur nga kamata nga koha e injorancës, qoftë pak ose shumë, hiqni dorë prej saj. “Nëse nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë ju është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij”. ( El Bekare, 279). Është luftë legjitime, prandaj nuk mund të triumfojë ai që i është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, sepse Allahu do të ngadhënjejë. Për asnjë mëkat tjetër nuk është cekur një ndëshkim i tillë, ashtu siç është cekur për kamatën. Allahu xh.sh. thotë: “Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë”. (El Bekare, 279). Kjo është shenjë se çka shtohet mbi kapitalin fillestar pa kurrfarë kompensimi, po për shkak të kohës së kufizuar, as shitblerje e as tregti, ajo është padrejtësi, ajo është kamatë.
Disa njerëz thonë: Si mund të jetë kamata padrejtësi, kur unë vetë e marr me pëlqimin tim?!
Unë bie dakord me bankën që të marr 100 e më pas t’i kthej 110, pse kjo të konsiderohet padrejtësi?!
Atyre u themi: A mund të imagjinojë dikush se kamata mund të merret pa pëlqimin e të dyja palëve? A ka marrë kush kamatë ndonjëherë me forcë? Njerëzit shkojnë te fajdexhinjtë, gati sa s’ua puthin duar e këmbë, vetëm që të marrin para me kamatë.
Kamata merret gjithmonë me pëlqimin e të dyja palëve, mirëpo pëlqimi nuk mund të lejojë të ndaluarën. Nëse një burrë bën zina me një grua, e zinaja bëhet me pëlqimin e të dyja palëve, a mund të lejohet kjo? Pëlqimi i të dyja palëve nuk lejon të ndaluarën, të keqen nuk mund ta bëjë të mirë, sepse është pëlqim i paefektshëm. islami e ka ndaluar kamatën për shumë urtësi.
Prej tyre: Pasuria në pikëpamjen islame as nuk rritet e as nuk shtohet vetvetiu, paratë nuk lindin para, pasuria nuk lind pasuri, por pasuria shtohet
me punë. 1000 nuk mund të bëhet vetvetiu 1200, ç’është ajo që e bën pasurinë të shtohet? Pasuria shtohet duke punuar.
Mirëpo, të gjithë njerëzit nuk janë të aftë për punë, ka mësues që punojnë në arsim dhe i kursejnë paratë e tyre, ç’të bëjnë ata me ato para?
Nëse nuk mund të punojë, cila është zgjidhja? Në këtë rast, njeriut i lejohet t’ia japë tjetrit paratë e
tij, që të tregtojë me to, ose të bëjë ndonjë projekt, dhe me këtë bëhen dy ortakë: i pasuri me paratë e tij, dhe tjetri me mundin dhe eksperiencën e tij, e kështu bashkëveprojnë kapitali dhe puna.
Në këtë rast, Islami thotë: Meqë je bërë ortak me tregtarin afarist, e ti je pronari i pasurisë, atëherë bëhu i guximshëm e i sjellshëm, dhe barteni përgjegjësinë e pjesëmarrjes së bashku, nëse fitoni bashkë, nëse humbni-bashkë, në bazë të përqindjes së marrëveshjes. Kjo është drejtësia islame.
Kamata është pa dyshim e ndaluar, ashtu siç vepruan myslimanët gjatë shekujve, prej kur Allahu e dërgoi Muhamedin a.s., e pas tij erdhën halifët e drejtë, dhe pas tyre erdhën udhëheqës të ndryshëm. Përgjatë gjithë këtyre shekujve, askush nuk deklaroi lejimin e kamatës, ose të zinasë, ose pirjen e alkoolit, sepse këto janë gjëra të prera në fenë islame.
Mirëpo, me ardhjen e kolonizimit perëndimor në vendet myslimane, të cilët sundonin arsimin, ekonominë, ligjin dhe kulturën tonë, dhe përshtatnin jetën tonë sipas filozofisë së tyre, atë kohë ata lejuan atë që e ndaloi Allahu, i përmbysën obligimet e Allahut dhe ligjësuan gjëra që nuk i lejoi Allahu.
Më pastaj, u themeluan bankat bashkëkohore, të cilat janë pjesë e shoqërisë kapitaliste. Kapitalizmi perëndimor i ka mjetet e tij, e prej më kryesoreve janë bankat. Kapitalizmi ngrihet mbi dy gjëra: monopolin dhe kamatën. ndërsa kamata manifestohet në banka.
Ç’është funksioni i bankave? Funksioni i bankave është të japë dhe të marrë para me kamatë, prej nga është edhe fitimi i tyre. Puna kryesore e bankave është tregtia me anë të kamatës, e ata nuk mendojnë fare për prodhimtari, kultivim ose investim.
Të gjithë dijetarët myslimanë janë unanimë se përfitimet që marrin bankat, janë kamatë e ndaluar me Sheriat. Madje, janë mbajtur edhe shumë kongrese me juristë islamë, ku të gjithë janë deklaruar se përfitimet bankare janë kamatë e ndaluar.
Dyshime rreth kamatës
Ekzistojnë të atillë që dyshojnë në ndalimin e kamatës. Këto janë dyshime të rrezikshme që i çorientojnë njerëzit dhe i maskojnë të vërtetat. Në dekadat e fundit, ekziston një mosmarrëveshje ndërmjet disa dijetarëve myslimanë, disa prej të cilëve thonë se duhet të ecim hapave të shoqërisë perëndimore për të kapur civilizimin e tyre, të mirat dhe të këqijat, të ëmblat dhe të hidhurat e tyre.
Më pastaj, erdhën disa dijetarë të tjerë, që ishin më të lehtë se të parët, që mundoheshin të justifikonin aktualitetin, duke thënë: Përpiqemi t’i justifikojmë ato që mundemi, nga civilizimi perëndimor. Qëllimi i tyre ishte justifikimi i aktualitetit dhe jo përpjekja e çlirimit nga aktualiteti i futur tek ata. U përpoqën t’i nënshtroheshin aktualitetit dhe ta justifikonin atë me interpretime dhe komentime pa pasur asnjë argument nga Allahu, dhe me to përpiqeshin të përkrahnin aktualitetin e futur brenda Ymetit.
Thoshin se kamata e kohës së injorancës nuk është e njëjtë si kamata bashkëkohore. Por, kamata e xhahilijetit është po e njëjta e kohës bashkëkohore, sepse njeriu huazon para për një kohë të caktuar, në këmbim të një shume të caktuar.
Disa dijetarë të tjerë thonë se kamata e ndaluar është ajo që merret për ta shpenzuar (për ngrënie, pirje ose veshmbathje) e jo edhe ajo që merret për të prodhuar (për tregti ose investim), duke thënë se kjo e fundit nuk ka të bëjë me kamatën!!
Edhe kjo nuk është e vërtetë, sepse, kur erdhi Islami, ndaloi të gjitha kamatat, qofshin për tregti ose për shpenzime personale.
Ndërsa, disa dijetarë të tjerë thonë: Kamata e ndaluar është kamata e shumëfishtë mbi kamatë, pasi që Allahu xh.sh. thotë: “O besimtarë! Mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë”! (Ali Imran, 130).
Mirëpo, të gjithë komentatorët e Kur’anit, nga të gjitha shkollat dhe drejtimet islame, kanë qenë unanimë se ky përkufizim ka qenë sqarim për aktualitetin e kohës së Pejgamberit a.s., pasi injorantët e linin kamatën të shumëfishohej, por kjo nuk nënkupton që kamatat e tjera nuk janë të ndaluara. A është logjike që vetëm kamata e shumëfishuar të jetë e ndaluar?
Ata që janë munduar ta lejojnë kamatën në fillim të shekullit të kaluar, të gjitha dyshimet e tyre kanë rënë e s’mbeti asgjë prej mendimeve të tyre, myslimanët u liruan nga këto ngatërresa dhe ranë në ujdi për ndalimin e kamatës, qoftë për shpenzim apo prodhim, pak apo shumë. Islami, kur ta ndalon ndonjë gjë, e ndalon të paktën dhe të shumtën e saj, si në rastin e alkoolit, sepse ai dëshiron t’i ndajë njerëzit nga harami, dhe plotësisht t’i mbyllë dyert që shpien në haram.
Përveç juristëve islamë, që filluan t’i zbulonin sekretet e Islamit dhe t’i sqaronin rreziqet e kamatës, këtë gjë e bënë edhe disa ekonomistë dhe financierë perëndimorë. Madje, edhe vetë perëndimorët thanë: Pikërisht kamatat janë ato që qëndrojnë prapa krizave të rënieve ekonomike në botë, dhe bota mund të shpëtojë nga kjo vetëm nëse përfitimet bankare bëhen zero, pra, nëse anulohen kamatat.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Do t’u vijë njerëzve një kohë, kur s’do të mbetet askush pa e përdorur kamatën, e nëse dikush nuk e përdor, ai do të goditet nga pluhuri i saj”. (Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe nga Ebu Hurejra r.a.).
A ka zgjidhje tjetër përveç kamatës?
Njerëzit thonë: Islami na ka ndaluar kamatën, ç’të bëjmë, a nuk ka ndonjë alternativë për këtë çështje? Dijetarët islamë u përgjigjen atyre duke u thënë: Nuk ka gjë që ka ndaluar Allahu xh.sh. e të mos ketë alternativë tjetër nga të lejuarat, pasi Allahu nuk mund të ndalojë një gjë për të cilën njerëzit kanë nevojë, atëherë në kohën tonë mund të hapim banka që veprojnë pa kamatë.
Përsëri njerëzit thonë: Kjo është e pamundshme, pasi ekonomia është shtyllë e jetës, ndërsa bankat janë shtyllë të ekonomisë, dhe përfitimet nga kamatat janë shtyllë të bankave, mos ëndërroni banka pa kamata.
Mirëpo kjo ëndërr u realizua dhe u themeluan banka islame, në të cilat nuk veprohet me kamatë. Para myslimanit është hapur rasti të gjejë alternativa nga harami, për të mos u ushqyer me haram ai dhe fëmijët e tij.
Dr.Jusuf el Karadavi
Përktheu: Mr. Faruk Ukallo
EDITOR
9 years ago
previous article
Kjo jetë
next article